Vetëvendosje: Krijimi i asociacionit të komunave, eufemizëm për autonomi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ky asociacion do të jetë në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisarit, ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. E, një gjë të tillë e ka thënë edhe zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi. Ai ka thënë se kryeministri Thaçi dhe kryeministri serb, Ivica Daçiq, kanë biseduar për tri zgjidhje, të cilat janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet respektive. 

Kuçi ka thënë se asnjë marrëveshje nuk është bërë jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Mirëpo, opozita në Kosovë mendon ndryshe. Sipas Vetëvendosjes, krijimi i një asociacioni të tillë, do të thotë eufemizëm për autonomi. “Kjo është ndarje faktike ashtu siç ka ndodhur edhe në Bosnje me Republika Srpskan”,  ka thënë Visar Ymeri nga kjo lëvizjeje.  Edhe pse KTV-ja ka tentuar që të kontaktojë me zyrtarë të partive tjera opozitare, të njëjtit nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për këtë çështje./Kohanet

Lajme të ngjashme

Back to top button