Nëse Gjykata Kushtetuese i shpall të vjetruara rastet e PSP-së, harrojeni BE-në, thonë burime diplomatike

Nëse Gjykata Kushtetuese në seancën e së mërkurës e abrogon paragrafin (5) të nenit 353 nga Kodi Zgjedhor, me minimum 5 vite burg për ministrat dhe funksionarët e tjerë të lartë – nënshkrues të prokurimeve publike të paligjshme me të cilat i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit shtetëror, vjetrohen të gjitha procedurat para-hetimore, hetimore, akuzat e PSP-së por edhe raste të gjykuara për krim të organizuar nga viti 2004 e deri sot,që kur ka filluar të zbatohet, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Harrojeni anëtarësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizon këtë paragraf”, është mesazhi i përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, të cilët me vëmendje po e monitorojnë gjyqësorin dhe gjykimet e rasteve më të mëdha të korrupsionit të cilat para 4 viteve i ka hapur Prokuroria Speciale.

Vendimi përfundimtar ndodh 8 muaj pasi është mbajtur debati. Me këtë iniciativë kërkohet që paragrafi (5) të mos ekziston më. Abrogimi do të nënkuptojë dënime me burg të parapara me paragrafin (1) nga neni i njëjtë, proceset e hapura hetimore dhe gjyqësore për vepra të këtilla penale do të vjetrohen dhe do të ndërpriten për shkak se do të fillojnë përllogaritje të afateve tjera më të shkurta të vjetrimit.

Me iniciativën e parashtruar nga një avokat i të pandehurve, nga PSP-ja e Shkupit, kërkohet ose të mos ekzistojë më paragrafi (5) i nenit 353, ose i njëjti të reduktohet në dënim minimal për ata që e kanë dëmtuar Buxhetin me prokurime publike, në 4 vite. Edhe vetëm me reduktimin në 4 vite, përkatësisht kthim të dispozitës që ka qenë në fuqi nga viti 2004 deri 2009, do të kenë dobi të akuzuarit dhe të dyshuarit, për shkak se me 5 nuk mund, por me dënim minimal prej 4 vitesh për vepër të këtillë, gjykatësit mund të shqiptojnë vetëm dënime me kusht për të akuzuarit.

Qëkur ishte parashtruar kjo iniciativë, flitej që qëllimi është të shpëtohen nga përndjekja penale ose dënimet me burg të akuzuarit: Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Elizabeta Kançeska-Milevska, Igor Janushev dhe funksionarë të tjerë të mëhershëm. Por edhe ata aktual për të cilët veç më janë hapur procedura para-hetimore, për çka do të hapet mundësi që për këto vepra serioze penale për diskrecion me paratë e popullit nga pozita e funksionit të lartë t’u shqiptohen vetëm dënime me kusht.

Përpjekje për ndryshim të Kodit zgjedhor në lidhje me paragrafin (5) ka pasur që nga formimi i PSP-së. Më 3 gusht 2018 takimi i liderëve për organizim të referendumit për anëtarësim në NATO dhe BE, sipas kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev, është shfrytëzuar për kushtëzim nga oponenti tij politik Hristijan Mickoski me zvogëlim edhe të dënimit minimal për keqpërdorim të mjeteve buxhetore, ose me mënjanim të paragrafit (5) nga neni 353, me çka do të vjetrohen lëndët e PSP-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button