Shqipëria e përball valën e dytë të COVID-19 me numrin më të ulët të testeve në rajon

Në fillim të muajit qershor qeveria e konsideroi nën kontroll situatën me COVID-19 dhe i dha dritën jeshile rihapjes së aktiviteteve. Mirëpo një muaj më vonë, kur vendi është përfshirë nga një valë e dytë infeksioni me raste rekord viktimash dhe të infektuarish, Shqipëria po e përball atë me numrin më të ulët të testimeve në rajon.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi të martën se “ka rritur me mbi 90 mijë testet në dispozicion” për autoritetet shëndetësore, por të dhënat e përpunuara nga Euronews Albania tregojnë se Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve për COVID-19 në Ballkanin Perëndimor.

Në raport me popullsinë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka mbetur në fund të listës, – prapa Kosovës.

Të dhënat zyrtare të raportuara nga 7 shtetet e rajonit dhe të përpunuara nga Euronews Albania, tregojnë se autoritetet shëndetësore shqiptare kryejnë:

  • 26% më pak teste se në Kosovë
  • 49% më pak se në Kroaci
  • 63% më pak se në Mal të Zi
  • 63% më pak se Bosnje e Hercegovinë
  • 67% më pak se në Maqedoni të Veriut
  • 83% më pak se në Serbi

Zyrtarisht në rajon Serbia është vendi që ka kryer më shumë teste – rreth 450 mijë.

Më pas vjen Bosnje e Hercegovina (rreth 100 mijë), Kroacia (86 mijë), Maqedonia e Veriut (68 mijë), Shqipëria (rreth 30 mijë) e më tej Kosova e Mali i Zi – 25 dhe rreth 18 mijë.

Për t’i vënë në krahasim më të drejtë na vjen në punë mesatarja e testimeve për çdo 1 milionë banorë. Të dhënat e mëposhtme të përpunuara nga Euronews Albania tregojnë një panoramë më të qartë.

Nga tabela më sipër bie në sy raporti pozitivë/negativë i testeve, ku Kosova ka përqindjen më të lartë të pozitivitetit në rajon 14.4 për qind, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pozitivitet mbi 10 për qind.

Ky raport tregon diçka edhe për valën e infeksionit që po kalojnë vendet muajin e fundit. Përqindja e lartë e pozitivitetit nënkupton se infeksioni është përhapur më shumë në Kosovë, por që për shkak se niveli i testeve është rreth dy herë më i vogël se sa në Maqedoni të Veriut, numri i të infektuarve është po dy herë më i vogël. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shqipërinë.

Në një intervistë për Euronews Albania, eksperti i shëndetësisë Erion Dasho e konsideroi numrin e testeve në Shqipëri të “niveleve afrikane, jo evropiane”.

“Me 400 teste ne jemi shumë pak, duhet të kemi të paktën 1 mijë teste në ditë në mënyrë që të kemi më shumë mundësi për ta kontrolluar epideminë,” – u shpreh Dasho.

Vetëm në muajin qershor dhe javën e parë të korrikut, në Shqipëri vdiqën 48 persona (nga 81 totali) teksa u diagnostikuan me COVID-19 edhe 1,895 persona (nga 3,038 totali), – 752 më shumë se në 3 muajt mars-maj të pandemisë.

Mirëpo përballë këtyre shifrave shqetësuese të pandemisë, autoritetet nuk kanë ecur ndjeshëm edhe me strategjinë identifikuese të rasteve dhe parandaluese të përhapjes së infeksionit.

Sikurse shihet dhe nga tabela, Shqipëria me 10,596 teste për çdo 1 milionë banorë mbetet vendi me më pak testime. Krahasuar me mesataren e raportit të çdo vendi në rajon Shqipëria kryen nga 26 deri në 83 për qind teste më pak.

Testimi për COVID-19 kryhet me marrjen e një mostre të sekrecioneve të hundës dhe gojës, ky proces quhet rëndomtë tamponim.

Pas marrjes së tamponit mostrat analizohen në laboratorë të specializuara dhe autoriteteve shëndetësore u duhet nga disa orë deri në 2 ditë për të dhënë rezultatin.

Shifrat e luhatshme të totalit të testeve

Të dhënat zyrtare për testet nga ministria e Shëndetësisë, të raportuara në njoftimin e përditshëm, nuk përkojnë me të dhënat e web-faqes Coronavirus.al e mundësuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Për shembull, të martën ministria raportoi në njoftimin e saj totalin e 29,669 testeve, ndërsa online rezultojnë 26,239 teste – diferncë 3,430 teste.

Diferenca gjen shpjegim në faktin se online raportohen vetëm testet me tamponë, ndërsa ministria përmbledh bashkë në raportet e saj edhe testet serologjike – teste të antitrupave që kryhet përmes analizimit të gjakut.

Ky lloj testi nisi të kryhej më 18 prill. Ministria njoftoi asokohe se do të testonte për të parë nivelin e antitrupave, personelin mjekësor e më pas policinë si grupe të rrezikuara nga infeksioni. Në njoftimin e asaj date ministria thoshte se kishte siguruar 6 mijë kite testesh.

Nga kjo periudhë e në ditët në vazhdim, ministria i njoftonte të ndara testet e kryera përmes tamponimit dhe analizimit të antitrupave.

Por prej datës 10 qershor ministria e përmbledh në totalin e testeve të kryera.

Më 26 qershor ministria njoftonte se numri i testeve serologjike kishte shkuar në 3,380 teste (pozitivitet 6 për qind).

Gjurmimi i rasteve

Nëse një person rezulton pozitiv autoritetet njoftojnë personat e ngushtë me të cilët ai ose ajo ka pasur kontakt kohët e fundit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se atyre nuk u bëhet menjëherë testi.

Autoritetet thonë se kjo bëhet për faktin se përgjithësisht virusit i duhet 5-14 ditë për të shfaqur simptoma dhe ekziston mundësia që në moment të parë personat e kontaktit të rezultojnë negativ.

Ndaj atyre u rekomandohet të mbyllen për disa ditë në shtëpi dhe të shmangin kontaktet me persona të tjerë. Kjo këshillohet për të parë nëse virusi do të shfaqë apo jo simptoma.

Nëse shfaqen simptoma autoritetet duhet me patjetër të kryejnë test.

“Testi nuk është gjithçka, testi nuk është se të shëron. Personi duhet ta konsiderojë veten që duhet të jetë pozitiv në raste se ka një kontakt të ngushtë që ka rezultuar pozitiv dhe për të ruajtur veten dhe të afërmit e tjerë, mirë është të qëndrojë i izoluar,” – u shpreh Daja për Euronews Albania duke thënë se ISHP teston edhe personat pa simptoma.

Megjithatë qytetarë të ndryshëm kanë ngritur shqetësimin se atyre u refuzohet kryerja e testimit edhe pse mund të kenë simptoma.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button