MBRESA NDËR BREZA

Syrja Etemi

Njeriut ndonjëherë edhe papandehur e beftas i ndodh që ta grishë fati i mirë, ta merr në krahët e magjishëm që t’i jep mundësi të përjetojë momente të bukura e fascinante, të cilat do të ngelin të thadruara në kujtesë për vite e dekada. Ndodhi kjo edhe me mua, pikërisht në fundin e qershorit të vitit 2013, kur i bëmë një vizitë grupore  Turqisë (me të punësuarit e komunës Tearcë).

Autobusi dykatësh i Agjencisë “Habib turs”, në ora 19-00, nga Tearca u nis me  52 pjesëtarë të kategorive dhe  grupmoshave të ndryshme – me motivacion: Pjesëmarrje në Festivalin e Qershisë, që duhet të mbahet në Keles (Qelesi) – Bursë të Turqisë. Meqë unë për këtë pjesëmarrje u njoftova një muaj më herët, e formova një grup folkloristësh nga treva e Tearcës, për të përgatitur program artistik për prezentim në këtë eveniment. Kështu, me të mbaruar përgatitjet e formalitetet,  të gjithë NE “mysafirët”, të ngazëllyer e të gëzuar, u nisëm duke përshëndetur me dorë të afërmit që kishin ardhur të na përcjellin e të na dëshirojnë rrugë të mbarë për në destinacionin e paralajmëruar. Shoferi bëri  “tu-tuuu” – në e fundit me borinë e fortë e penetruese, duke paralajmëruar nisjen e mbarë!

 MARSHI EPIK FILLOI…

…Ecëm tërë natën e lume, përmes Greqisë dhe, në mëngjesin e hershëm, arritëm te kufiri Greko-turk. Ceremonitë kufitare ishin më të shkurta sesa në kufirin maqedono – grek. Blatoja në vetvete:  “Recidivat e politikave inatçore të ballkanasve, patjetër të mugullojnë e të nxjerrin krye!…”

Pas kalimit të kufirit grek dhe hyrjes në tokën turke, gjëja e parë që të bie në sy hapësirave përreth rrugës është hudhja e mbeturinave: shishe plastike, najllonë, mbetje betoni, pika karburanti të braktisura, grumbuj hekurishtesh të ndryshkur, si: rimorkio kamionësh të prishur, karroseri limuzinash… rrugë të parregulluara të fushës, imazhe këto që ndrydhin përjetimet pozitive. Më larg diku të kap syri edhe qen endacakë, madje edhe lopë e dhen, duke kullotur kullotave të paana. Edhe këtu, si kudo tjetër, zona kufitare e shteteve është “viktima” e pazarllëqeve të pushteteve, duke e ndëshkuar me moskujdes dhe neglixhencë. “Kësi skenash kam vërejtur edhe në shumë vija kufitare të shteteve tjera ballkanike, prandaj edhe Turqia nuk bëka përjashtim”, mendova me vete…

Në vazhdimin e rrugës, më në thellësi të Vendit të Madh, të thadron mbresa impozante rrafshi i paanë i fushës së mbjellur me lloj – lloj bimësh drithore e ushqimore, duke filluar nga gruri, elbi, tërshëra,e,deri te orizi, pambuku, luledielli, susami e shumë të tjera që s’di edhe t’i emërtoj. Me këtë panoramë që zgjati te  5-6 orë udhëtim përgjatë fushë së bereqetshme me plotë ujë  e lagështi artificiale, u binda se kemi të bëjmë me një vend shumë të pasur, i cili nuk vuan për bukë, bile që ka edhe rezerva të ushqejë edhe krejt Ballkanin me bukën e gojës.

Të lodhur për gjumë, ashtu duke u kalamendur në mbështetësen e sedilës, dikur arritëm në Çanakala –  në bregun e detit Marmara,  me ç’rast për nja 10 minuta ceremoni burokratike, hypim në trajekt dhe përreth nja 20 minuta arrimë në anën tjetër, ku na priste mediatori apo ndërmjetësi i vizitës, shqiptari me prejardhje nga Nerashti, Ferhat Hocallar – Ferati, i cili na shoqëroi deri në vendin e destinuar.

DETI “I ZI”– DI TË JETË I BARDHË PËR MYSAFIRËT E “RUMELISË”

Në Bursë arritëm  aty  kah ora 14-00. Për mua, meqë ishte hera e parë që po vizitoja këtë vend, nuk mungonte kurreshtja që të “regjistroj” çdo imtësi dhe detal, qoftë të fizikut, qoftë të mentalitetit dhe sjelljes së njerëzve të kësaj Toke të Madhe. Dhe ashtu bëra.

  KELES ( 29 dhe 30 qershor, 2013)

Arrijmë në Keles (70 km. larg Bursës) dhe, menjëherë vëren njerëz që nuk priren shumë pas luksit, por që gëzojnë mirëqenie ekonomike, sidomos shtresa e mesme. Infrastrukturës rrugore nuk i kanë kushtuar gjithaq kujdes, por në shumë vende shihet se punohet me të madhe në këtë drejtim.

Banorët e Kelesit janë shumë bujarë e mikpritës. Kështu, duke na llogaritur miq të zemrës, na servirën darkë (edhe atë dy netë) në të njëjtin lokal ku bëhej edhe dasma e synetit (natën e parë) dhe martesë (natën e dytë). Aty ceremonia e dasmës zhvillohej pa kurrnjëfarë paragjykimesh se brenda në hapësirat e restoranit ka edhe “të huaj”. Ushton muzika  me këngë e valle të bukura turke. Bile kërkuan  dhe na u lutën që lirisht të mund të marrim pjesë edhe në vallen e shtrirë, ku vallëzonte me plotë naze edhe nusja me dhëndrin. Këtu rash në përfundim se, ne shqiptarët e Tetovës, Tearcës (Sllatinës), jemi shumë paragjykues dhe konservativë, dhe se stereotipet i kemi krijuar vet, e, nuk na i “eksportojnë” të tjerët. Ne ende dasmat i bëjmë veç e veç, d.m.th. burrat veç e gratë veç.

Kuptova se komuna, kryetari i së cilës, në bashkëpunim me qytetarët e saj, d.m.th. të Kelesit, ka kërkuar që, ditën kur në restoran ka dasëm (kushdo që të ketë qenë në rend sipas agjendës), do të përgatitë ushqim apo darkë plus edhe për 55 vetë mysafirë nga Maqedonia – Tetova -Tearca.

…Hyzmeti është në nivel shumë të kënaqshëm dhe pa teklif; bukë sa të duash, pije po ashtu, çaj, neskafe… Por, ajo që më habiti së tepërmi ishte fakti se kafje turke nuk konsumohej dhe nuk preferohej gjithaq, bile-bile, nuk përdorin gjithaq edhe automat kafeje për kapuçino apo makijato.

Natën e parë kur arritëm në Keles, pasi u sistemuam në një konvikt (shtëpi e madhe private), shfaqëm një program artistik me këngë e valle nga artistë  reprezentë të komunës së Tearcës. Programi realizohet në një  binë të hapët, që  në cilësinë e Festivalit tradicional, mbahej për çdo vjet si Festival i Qershisë.

Nuk prish punë nëse bëj ndonjë parantezë në vijim, e  t’ju shkruaj diç më tepër – për të prekur ndonjë detal më të hollësishëm në lidhje me qytezën mikpritëse – Keles!

Ky vendbanim ka 3600 banorë me 4 xhami, shkollë fillore e të mesme, me degë të Fakultetit të pylltarisë, madje, stacion policie, shumë dyqane veprimtarish të ndryshme, me infrastrukturë relativisht të mirë rrugore, dhe me pozitë kodrinore – malore , ku pjesë të konsiderueshme shtrihen edhe në rrafsh, me toka të mbjella me bimë drithore e me pemë frutore. Sidomos veçohet qershia (shumë kualitative). Mbi të gjitha, Kelesi është edhe komunë në vete, në krye të së cilës është z. Sylejman Kajnak (stërgjyshi i të cilit ishte me prejardhje nga Shkupi).

Festivali Kelesit

Lartësia mbidetare e Kelesit është 1100 m. , që, për ne, pak më  të shtyrët  në moshë, na bën pak telashe me frymëmarrjen. Vendbanimi është i mbushur me pemë (pisha të mëdha, dru rrapi apo çinari, bile ndonjë arrin trashësi diku deri dy metra, të thuash – sa të mos mund tre – katër burra ta mbërthejnë. Një dru i tillë gjigant (monument natyre), qe  200 vjet po lartësohet e po “mrizon” në qendër të  këtij vendbanimi shumë atraktiv – ndërmjet xhamisë dhe çajtores gëluese dhe mikpritëse. Mu në këtë çajtore, kryetari i komunës  “vjedh” kohë për të  na qerasur me një çaj vendi, dhe i cili nuk mund të përmbahej nga emocionet e një shpirti që vuan për identitetin e bjerrë, që mund të lexohej në sytë e përlotur dhe në  shpirtin e lëmekur për të parët e tij.

Çajtoret janë si tonat: luhet tablla, “gjurëz”, letra, por nuk pihet duhan. Kryetari, për të na davaritur frikën e gjobitjes, për shkak të pirjes së duhanit brenda lokalit, nxori vet pakon e cigareve dhe na ofroi neve për të ndezur. Ne, të druajtur (jo se nuk e praktikojmë një veprim të këtillë, por të dukemi si “të kulturuar”), dikush i bëri shoqëri nikoqirit apo mikpritësit të madh e zemërgjerë. Kjo sikur donte të thoshte se “për mysafirët e rrallë, jemi të gatshëm të sfidojmë edhe Ligjin, e të bëhet përjashtim”.

Nuk vonoi, dhe, kamarieri, i vetëdishëm për sekuencat e shkeljes së ligjit për antiduhan, solli një shpuzore: për “zor”, e vendoi në tavolinë dhe na pyeti për preferencat e gostisjes   me ndonjë pije, e, që, që nuk ia prishëm qejfin…

PERFORMIM E “DROJE” NGA FESTIVALI

Madhështia e këtij evenimenti justifikohej me shumë primesa: Vendi i gjërë në natyrë, e binë gjigante në mes të kodrinave të buta, ku të bëhej përshtypja se Zoti e ka destinuar enkas për kësi rastesh të veçanta. Në ndërdijen time mendoja:

Festivali në Keles

-Si do ta mbushim gjithë këtë alamet skene me njerëz – artistë? Si do ta presë publiku paraqitjen tonë me pikat e folklorit këtu në  “skaj të botës”?

Dilemat sillen vërdallë në kokën time, që më bën gati të harroj edhe radhën kur duhet të dalim në podiumin madhështor, ku në anën ballore, në dimensionin gjysmëhark, lartësoheshin    pjerrësirat me shkallë natyrale ku mund të akomodoheshin deri 3000 e më tepër shikues, të cilët uleshin secili sipas dëshirës dhe mundësisë. Tek-tuk, në distanca jo fort të largëta, bredhët hijerëndë, mbronin shikuesit artdashës nga rrezet e forta të diellit.

Në skenë defilojnë artistë të vendeve të ndryshme, kombe e etni të ndryshme. Vallëzime, rite e këngë gjuhësh të ndryshme, që, nëse gjuhën nuk ua kupton, ua “dekodon” gjestikulacionin.

Festivali në Keles

Na erdhi radha “hileqare” edhe neve. Të ndrojtur paksa, ngjitemi në skenë. Problemi i parë që hasëm, ishte manipulimi me zërimin. Por, profesionistëve të festivalit, asgjë nuk mund t’u “rrëshqasë” nga dora. Asgjë nuk mund t’i lihej rastit e neglixhencës. Secili arsyetonte profesionalizmin e vet. Çdonjëri është në vendin e duhur dhe në momentin adekuat. Për nja 2-3 minuta, teknika bëhet gati për veglat tona të folklorit: 4 çifteli, 2 sharki, 1 def, bile edhe mikrofonat e solistëve – në akces…

Natën e parë u paraqitëm, apo të themi më saktë: u prezentuam me instrumentalin e udhëhequr nga Syrja Etemi, madje – këngën: “Kah po shkojnë këta djem?” (të kënduar nga Hasan Memishi e S.E.) dhe këngën: “Ku e kam, nënë, çiftelinë e babës?”, të kënduar nga Zemri Arifi.

Për çudi, paraqitja jonë në skenë befasoi të pranishmit, përkatësisht përcjellësit e Festivalit, sidomos me kostumografinë e cila karakterizohej me: opinga, tirqi, brez, këmishë të pëlhurtë, jelekë dhe kësula të bardha.

Harrova të them se Festivali nuk ka karakter garues, por revyal. Por, sido që të jetë, kjo neve nuk na preokupon gjithaq, sepse qëllimi ynë është që ne të paraqitemi në mënyrë sa më  dinjitoze e mos të koritemi para një publiku të këtillë. Dhe, që në natën e parë, relativisht ia arritëm qëllimit: performuam  me sukses…

Festivali në Keles

Kështu u paraqitëm edhe natën e dytë, por kësaj radhe prezentimin e bëmë ditën, aty kah ora 14-00, kur  ngrehinat prej ku përcillej festivali, ishin të stërmbushura me plot spektatorë. Përderisa “rridhte” festivali, në terrenet përreth tij, në një hapësirë, të thuash prej kilometrash të tërë, zhvillohej edhe Panairi i Madh i Kelesit, ku “derdhej” e ekspozohej një pasuri e madhe me mijëra e mijëra asortimentesh e mallrash, duke filluar, nga “gjilpëra” e deri te  kombaji. Çdo gjë – “Turk mallo” apo prodhim vendi.

   BURSA  më 01.07.2013

Në mëngjesin e 1 korrikut, u zgjuam jo aq herët, por aty kah ora 9-00. Bëmë nga një dush dhe përgatitëm “cakravatet” – i morrëm me vete dhe, sipas  agjendës, plaçkat i lamë në autobusin e parkuar në qendër të Kelesit dhe shkuam për të ngrënë mëngjesin. Brenda në restoran, ku shërbejnë nja dhjetëra kuzhinierë dhe kamarierë, të gjithë të presin me nga një “Selam!”- të shoqëruar edhe me nga një buzëqeshje të sinqertë e të ngrohtë. Këtu marrim takëmin e ushqimit – tabllën me thikë, lugë, pirun e letra higjienike… duke kaluar drejt tryezës së stërmbushur me lloj-lloj ushqimesh, sidomos ato me produkte vedore: bukë (7-8 llojesh), vezë, djath, kaçkavall, ulli, reçele, marmelada të ndryshme, bostan; madje sallatë (kastraveca e domate); gjygymi i madh i çajit është në dispozicion; kokrra sheqeri (katror) etj. Secili sipas shijes së vet, zgjedh e merr  atë që ia do shpirti e zemra, mbush pjatën…e, herë – herë të vjen edhe kamarieri (ndodh që të jetë edhe femër), në mënyrë që të të ndihmojë për ndonjë nevojë plus.

Shumica e të pranishmëve kishim nevojë për toalet. Duke patur parasysh rrugën e gjatë që do të merrnim për në Bursë, edhe ata që nuk kishin gjithaq nevojë, do të  “vizitojnë” WC-të, të cilat ishin shumë të pastra dhe shumë të rregulluara. Nuk kishte lokal, madje edhe rrugë pa një “shërbim” të këtillë dhe, kurrë nuk bëhej kallaballëk për të fituar radhën …ashtu si tek Ne, ku të kërkojnë edhe para për “oferta” të këtilla.

Pasi hëngrëm sillë, bëmë një vizitë apo “zijaret” në zyrën e kryetarit të komunës së Kelesit, z. Kajnak, madje edhe foto nga më të ndryshmet që do të na ngelin si kujtim i ëmbël nga vizita vëllazërore. Mëpastaj, frekuentuam hapësirat e komunës  dhe u hallashtisëm me të punësuarit e këtij institucioni, duke na dëshiruar ndonjë takim tjetër të radhës.

Lotët ishin të paktë për të shprehur gjithë atë mall, atë përdëllesë, ato emocione, me rastin  e ndarjes nga njëri – tjetri, por të gjithë  uruam  që sa më shpejtë të ndodh edhe ndonjë “sebep” tjetër, e të shifemi sërish.

Hypim në autobus dhe nisemi për në Bursë, ku arrijmë aty kah ora 14-30. Që nga një distancë prej nja 10 km. “ndjejmë” aromën e këtij metropoli të mrekullueshëm. Hymë brenda në qytet. Dikush pretendon të kap momente e tabllo sa më interesante e atraktive, duke bërë foto me celular që nga autobusi, duke mëtuar të kapë pozicione sa më të mira.

…Rrugë të stërmbushura me komunikacion e automjete, por duke iu nënshtruar – strikt rendit urban. Nga kati i autobusit, nga njëra anë vërejmë kulme të një arqitektura qibare osmane rrëzë kalave të panumërta, kurse në anën tjetër – ”bumin” ndërtimor modern të stilit europian. Një kombinim interesant, një bashkëjetesë të pakundërshtueshme, duke respektuar moshën e njëri – tjetrit, e, sikur i japin shtysë  pulsimit të jetës urbane drejt pushtimit të zemrave të vizitorëve e mysafirëve, që, këtu  nuk janë të paktë. Këtë karakteristikë markante e dallojmë nga pozitat ku jemi, sepse të kap syri shumë grupe njerëzish (turistë) duke kaluar nga një monument në tjetrin dhe duke fotografuar apo xhiruar.

Me të arritur te selia e bashkisë së Bursës, zbresim nga autobusi dhe për nja 15 minuta pritje, na  sugjerohet për të hyrë brenda në objekt, në godinën e vjetër 200 vjeçare – e stilit tipik osman: me dyer e dritare të mëdha, kanatet e të cilave janë të ngjyrosura me  bojë kafe të errët, bile edhe krejt fasada e ndërtesës (e Shtëpisë së Madhe) – e lyer me lloj-lloj koloriti, që edhe te ndonjë vizitor indiferent do ta zgjonte kurreshtjen për t’ia hedhur sytë e për t’u admiruar e që do ta bënte për vete. Kulmi i mbuluar me qeremide të vjetra të zeza të ullukta, të pastra e pa fije pluhuri, të lë përshtypje indikative. Enterieri – tipi i një ambienti oriental, por i modifikuar me elemente të kohës, si: abazhure, qilimë e tepihë të pushtë, kanape e kolltuqe të buta alla-sulltançe, mindere të gjata me peçeta të qendisura me dorë, ku pikasej dora e shkathtë e femrës turke, e, ku në murë, nuk do të mungojnë as pikturat e zgjedhura autorësh osmanë, turk e të huaj, që  doemos të zbukurojnë muret me fasadat atraktive të enterierit impozant.

Hymë në  zyrën e kryebashkiakut të Bursës 3 milionëshe, z.Rexhep Altepe. Për aq vetë sa jemi (55), në çdo poltronë të parlamentit ku do të uleshim ne, kishte të vënduara nga një çantë me peshqeshe për mysafirët. Për pak kohë mbërrin zëvendësi i kryetarit, Nexhbedin Sali, i cili me një përshëndetje duke tundur dorën në ajër e me buzëqeshje miqësore, mori pozicionin aty afër foltores. Me një përshëndetje të bukur shqipe na uroi mirëseardhje të përzemërt, pastaj u prezentua dhe fjalën e parë që foli, pohoi se  vjen nga një familje me prejardhje nga Shkupi (familje shqiptare) dhe, përsëri na u drejtua me një shqipe të ëmbël, duke  na bërë me dije se edhe kryetari Rexhep Altepe (i cili për moment gjendej në vizitë zyrtare në Bullgari), është me prejardhje shqiptare nga Gjilani i Kosovës, dhe se: “synimi i të gjithë Neve, pa marrë parasysh prejardhjen, kemi një qëllim të përbashkët: ta bëjmë vendin sa më të mirë – në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në të, jo me reçetën e një vëllazërim – bashkimi të rrejshëm të stilit të dikurshëm jugosllav, i cili doemos edhe të dështojë…” Në vazhdim të fjalimit, zëvendëskryetari potencoi: “Kur jemi te përbërja etnike e Bursës, mund të flas edhe me gjuhën e statistikës, që indicon kësisoj: vetëm 10% e banorëve të Bursës janë banorë rezident apo me prejardhje osmano-turke, ndërsa 90% e përbëjnë banorë të etnive tjera, sidomos nga Rumelia, e në veçanti shqiptarë…”

Ajo që na lë përshtypje për të dëshiruar, është  fakti se  nga referimi i këtyre të dhënave , kuptuam se tanimë deklarimi i prejardhjes këtu nuk është temë – tabu, por shprehje e lirshme  e personit, por mbi të gjitha parametrat, këtu, synim i përbashkët i të gjithë pjesëtarëve të etnive (për nga provinienca stërgjyshore e gjeografike) të ndryshme është ndërtimi dhe zhvillimi i qytetit të tyre të përbashkët, e ku secili gëzon hisen e vet që i takon. Është ky qytet i mundësive dhe vizioneve  të akceptueshme  e të realizueshme, metropolë  e ndryshimeve dhe modifikimeve të përditshme, mapë e diversiteteve komplementare, qytet -“ shtet” në miniaturë, në të cilin, qytetarët e saj duke rafinuar të kaluarën, modelojnë dhe zhvillojnë të ardhmen.

Stili i punës dhe jetës së qytetarëve të Bursës, paraqet një antipod të përditshmërisë sonë  të tendosur me reflekse agresive në IRJM, ku pulson një stil i jetës: ”Për inat të vjehrës më vdektë burri…”, e, ku, periodikisht, për çdo tersllëk i kërcënohemi njëri – tjetrit, duke ia dëshiruar ferrin njëri – tjetrit dhe “dhomat e gazit”  bashkëqytetarit apo fqiut të vet.

Përderisa në komoditetin e gjetur në ambientin e sallës së Parlamentit, jehu kumbues i folësve po përhapej gjithandej, nuk u la pa u përmendur edhe kontributi i Njeriut të Madh të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk dhe ndikimi në mëkëmbjen e këtij shteti që vuante ngalakaqjen e shekujve. Ende kjo figurë e madhe reflekton energji pozitive tek gjeneratat që pasojnë. E, si mos të të magjeps shikimi i këtij burrshteti të madh nga fotografia – në mur të sallës ku jemi? Vështrimi përbirues dhe heshtja e tij flet shumë. Mesazhi i tij ende po gjallon, ende po stimulon… E, ky mesazh duhet të jetë formulë apo recetë për shtetndërtim, për të gjitha shtetet e kombet e Ballkanit të trazuar, e jo vetëm për turqit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button