VMRO i dha afat LSDM-së, kjo e fundit refuzoi

Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE sot doli me një  propozim të ri për zgjidhjen e krizës politike duke pranuar caktimin e një afati të ri për dorëzimin e kandidaturave dhe për formimin e komisionit anketues për ngjarjet e 24 dhjetorit.  

Por, opozitarja LSDM ka refuzuar këtë propozim me duke thënë se VMRO është hipokrite duke treguar mungesë të qasjes së përgjegjshme për interesat kombëtare dhe për të ardhmen e Maqedonisë.

“Përcaktimi i një afati të ri për paraqitjen e listave të kandidatëve për këshilltarë dhe kryetar komunash, që do të zgjaste deri më 3 mars deri në ora 24. Gjatë këtij afati të gjitha partitë politike do të mund ti parashtrojnë listat. Kjo procedurë do të mundësohej me ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe ka të bëj vetëm me këto zgjedhje lokale. Në rast se LSDM-ja sot e pranon këtë propozim, nesër në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit do të miratoheshin ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të njëjtat do të hynin në fuqi menjëherë. Opozita tani e ka mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Nëse refuzohet edhe ky propozim, atëherë është e qartë ideja e LSDM-së për të krijuar problemeve, në vend se të ndihmojë për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë”, tha anëtari i komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Zoran Stavrevski. 

Përgjigjja e LSDM-së ishte se ata nuk kishin vendosur të bojkotojnë zgjedhjet për shkak se nuk ka pasur kohë, por për shkak se sipas tyre, vendimi për bojkot është përgjigje për puçin partiako-policor të Qeverisë. 

“Kryetari Branko Cërvenkovski në emër të opozitës së bashkuar ka dalë me propozim konstruktiv për dalje nga kriza, sipas së cilit, për atë nëse duhet të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme parlamentare duhet të vendosin qytetarët në zgjedhjet lokale, e jo VMRO DPMNE-ja. Ai propozim thotë se nëse në zgjedhjet lokale opozita fiton qoftë edhe vetëm një votë më shumë se koalicioni i VMRO DPMNE-së atëherë duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Opinioni po bindet se me çfarë shpërfillje po sillet Nikola Gruevski kundrejt krizës aktuale politike dhe për pasojat e rënda që mund të pasojnë thellimin e saj. Askush në Maqedoni nuk ka hamendje se kredibilitetin e institucioneve të shtetit e japin, në këtë rast – e kthejnë qytetarët, përmes votës së tyre në zgjedhjet parlamentare fer dhe të lira” përgjigjet LSDM-ja opozitare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button