38 përqind e amerikanëve mbështesin presidentin Trump sipas anketës së Gallup

Sipas një ankete të re të organizatës Gallup që u publikua të hënën, 38 përqind e amerikanëve e miratojnë punën e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, një shifër pothuajse e pandryshuar muajin e fundit, por një rënie e thellë që nga fillimi i majit, njofton Zëri Amerikës.

 

Presidenti Trump, që përballet me një garë të ashpër në nëntor përballë ish-nënpresidentit Joe Biden, kapi shifrën 49 përqind mbështetje, para dy muajsh.

Por kjo shifër ra ndjeshëm në fund të majit dhe në fillim të qershorit, pas protestave në gjithë vendin, disa prej të cilave u shoqëruan me dhunë, kundër brutalitetit të një pjese të policëve ndaj pakicave, pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, ndërsa ishte në duart e policisë në Mineapolis të Minesotës.

Presidenti Trump shprehu mbështetjen për protestat paqësore, duke thënë se amerikanët duan ligj dhe rend dhe shprehu mbështetje të vazhdueshme për policinë.

Katër muaj para zgjedhjeve të nëntorit, mbështetja për të është vetëm tre përqind më e lartë se pika e tij më e ulët e përkrahjes, 35%. Një numër anketash kombëtare, të analizuara nga faqja Real Clear Politics, tregon se Biden ka një epërsi mesatare prej nëntë pikësh.

Anketa e fundit e organizatës Gallup tregon një përçarje të pashembullt në Amerikë.

Sondazhi i kryer nga 8 deri në 30 qershor, tregon se mbështetja e republikanëve për  Trump është rritur nga 85% në 91%, ndërsa mbështetja e demokratëve për të ka rënë nga 5% në 2%. Mbështetja nga të pavarurit për të, ka rënë nga 39% në 33%.

Gallup tha se diferenca prej 89 përqind mes mbështetjes së votuesve republikanë dhe asaj të demokratëve, ishte më e thella që është parë ndonjëherë, për dekada të tëra anketash.

Organizata e sondazheve thotë se Trump vazhdon të ketë një mbështetje prej 57% mes amerikanëve të bardhë pa diploma universitare, por kjo shifër është më e ulët nga 66% që ishte shënuar para disa muajsh.

Mbështetja e përgjithshme për  Trump në qershor në një vit kur presidenti synon rizgjedhjen është e ngjashme me atë të vetëm dy presidentëve që e humbën garën për t’u rizgjedhur, në katër dekadat e fundit: Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H.W. Bush në vitin 1992.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button