Dialogu Prishtinë-Beograd fillon më 12 korrik në Bruksel

Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) njoftoi se takimi i parë pas një kohe të gjatë i Procesit të Dialogut Serbi-Kosovë që parasheh normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do të mbahet më 12 korrik, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, në konferencën ditore për media, njoftoi se kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç më 12 korrik do të takohen në Bruksel në mikpritjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

Ai rikujtoi se dialogu nuk mbahet që nga nëntor i vitit 2018, duke theksuar se në mbledhje do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ku do të trajtohen marrëdhëniet bilaterale si dhe zhvillimet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Më 19 prill 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb Ivica Daçiç, në Bruksel nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve, e cila nga komuniteti ndërkombëtar ishte përshkruar si “historike”.

Kryeministri Hoti udhëton drejt Parisit, nesër takim me presidentin Macron

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të udhëtojë sot për në Paris, ku nesër, më 7 korrik 2020, do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës, dy liderët do të takohen në Pallatin Elize në Paris.

“Pritja zyrtare që bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize (Palais de l’Elysée) në Paris, Pallati presidencial i Francës, tregon kujdesin dhe përkushtimin e presidentit Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Që nga qershori është konfirmuar se presidenti francez Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel po planifikojnë një takim në Paris midis delegacioneve kosovare dhe serbe në kuadër të procesit të dialogut midis dy vendeve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar më 20 qershor se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Macron ku ndër të tjera është diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Takimi i kryeministrit Hoti dhe presidentit Macron do të ndodh pas shtyrjes së takimit të delegacionit kosovar me atë serb të planifikuar të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 27 qershor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button