Këto janë masat e reja për parandalimin e COVID-19 të miratuara nga Qeveria e Kosovës

Pas rritjes së numrit të të vdekurve dhe të të prekurve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Kosovë, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për masa të reja në parandalimin e përhapjes së pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen elektronike të mbajtur mbrëmjen e së dielës më 5 korrik, Qeveria ka vendosur se duhet të rriten kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore në klinika për të trajtuar rastet e prekura me COVID-19.

Në njoftimin e Qeverisë për media thuhet se në këtë pikë duhet të bëhet riorganizimi i klinikave duke krijuar shtretër dhe hapësira shtesë, duhet të krijohen kapacitete shtesë në spitalet rajonale e të krijohen kapacitete shtesë edhe në institucionet private.

Po kështu, Qeveria ka vendosur që duhet të ketë riorganizim të personelit shëndetësor, të mobilizohen stafi mjekësor edhe profesionistët që s’janë të angazhuar momentalisht e “të shtohen kapacitetet në mikrobiologji, infektologji e shërbime të tjera që lidhen direkt me rastet COVID-19”.

Me vendimin e ri të Qeverisë, obligohet MSH-ja dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprime të nevojshme në mënyrë të menjëhershme për të realizuar testimet virologjike, duke përmendur krijimin e kapaciteteve të reja testuese nëpër rajone, licencimin e institucioneve private shëndetësore për të kryer testimet, si dhe prioritetizimin e testimit të personave më në nevojë.

Vendimi obligon MSH-në të ndajë buxhetin për blerjen deri në 100 mijë teste virologjike dhe 500 mijë vaksina për gripin sezonal. Po ashtu është theksuar se duhet të bëhen porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër koronavirusit. Është vendosur për blerjen e shtatë aparateve për testim e terapive specifike për trajtimin e të prekurve me COVID-19.

“Nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri. Përjashtim bëjnë rastet urgjente shëndetësore”, thuhet në vendimin e Qeverisë, ku si arsyetim mund të pranohet vdekja e ndonjë anëtari të familjes, nevoja për ndihmë mjekësore dhe nevoja për ndihmë institucionale.

Nga e hëna e 6 korrikut, gastronomisë i ndalohet funksionimi nga ora 21 e mbrëmjes deri në ora 5 në mëngjes gjithashtu në tërë territorin e vendit. Jashtë këtij orari mund të punohet vetëm në hapësira të hapura, me distancë 1.5 metra mes tavolinave, dhe me shërbime “merre me vete”. Sipas njoftimit nga Qeveria, të gjitha inspektoratet do të vihen në dispozicion për të mbikëqyrur zbatimin e masave.

Vendimi obligon që edhe ofruesit e transportit publik të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Institucionet publike dhe private duhet të reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm, ndërsa Qeveria ka kërkuar nga të gjitha komunat e Kosovës “t’i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale”.

Vendimi parasheh rregulla të reja për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ku thuhet se “me plotësimet dhe ndryshimet e miratuara fluturimet në ANP “Adem Jashari” do të organizohen në intervale prej minimum 45 minutave ndërmjet aterimeve. Menaxhimi i orareve të bëhet duke respektuar aplikimin e rregullores”. Ky vendim do të hyjë në fuqi nga data 9 korrik.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të ndajë mjete financiare ne vlerë prej mbi 1.8 milionë eurove për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë bujqësore nga fatkeqësitë elementare natyrore gjatë periudhës janar-qershor 2020, në disa komuna.

Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e kufizimit në lëvizje dhe mbylljen e përkohshme të bizneseve nga 23 marsi i këtij viti, ndërsa ato masa u ndërprenë më 8 qershor të këtij viti duke filluar me hapje graduale si dhe me thirrje për zbatim të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore. Vendimi i ri i Qeverisë do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button