Fitore bindëse e HDZ-së në zgjedhjet në Kroaci

Në zgjedhjet parlamentare të Kroacisë, partia në pushtet Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e kryeministrit aktual Andrej Plenkoviç realizoi një fitore bindëse, ndërsa rivali i tyre më i madh, koalicioni Restart, i kryesuar nga Partia Social Demokratike (SDP), përjetoi fiasko, publikoi Indeks.hr.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, bazuar në 86 për qind të vendvotimeve të përpunuara, HDZ me partnerët e saj të koalicionit në disa Njësi zgjedhore (HSLS dhe HDS) i fitoi 67 mandate, së bashku me tre mandate në diasporë, ndërsa koalicioni Restart i fitoi 41 mandate.

Në vendin e tretë ndodhet “Lëvizja Atdhetare” e Mirosllav Skoro me 16 mandate, e ndjekur nga “Urra” me tetë, “Mundemi” me shtatë, Partia me emër dhe mbiemër fitoi dy, ndërsa “Reformistët” dhe HNS me nga një mandat. Tetë vende të tjera në parlament i përkasin pakicave kombëtare.

Kryeministri dhe drejtuesi i HDZ-së, Andrej Plenkoviç, mbrëmë i falënderoi të gjithë ata që votuan për partinë e tij dhe vlerësoi se “demokraci është kur qytetarët e shprehin vullnetin e tyre në cilin drejtim të lëvizë vendi”.

“Ky rezultat detyron. Kishim një mandat të vështirë, plot mundime pas nesh. Ndërsa sfidat që janë para nesh janë shumë më të mëdha. Rrethanat e tilla kërkojnë përpjekje, entuziazëm, sakrificë, njohuri, përvojë”, theksoi Plenkoviç para anëtarëve dhe mbështetësve të partisë, i mirëpritur me duartrokitje dhe ovacione.

Ai theksoi se “Kroacia ka nevojë për zgjidhje si për ekonominë ashtu edhe për shëndetin publik, forcimin e institucioneve, të drejtat e njeriut dhe të pakicave.”

“Kjo fitore na lejon të jemi pak të lumtur, të qetë. “Menjëherë në mëngjes, të gjithë do të fillojmë të punojmë së bashku, si më parë, me gjithë zemër për Kroacinë”, përfundoi Plenkoviç.

Në zgjedhjet parlamentare në Kroaci, bazuar në 96 për qind të vendvotimeve të përpunuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, të drejtën e tyre të votës e shfrytëzuan 1.666.359 votues, përkatësisht pjesëmarrja ishte 46.68 për qind.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button