ARTI DHE POLITIKA

  1. Një ditë e kaluar duke bërë redaktimin e veprës Çështje të estetikës, të Cometti, Mourizet dhe Pouivet (Paris, 2000). Ndërkohë, duke lexuar për artin, filozofinë, veprat e artit, mënyrën e prodhimit, vlerën e tyre si dhe fenomenin e formuar nga vetë ekzistenca e artit, para syve na kalon një titull medial që shënon se një artiste kroate, për të shënuar marrjen e presidencës së Bashkimit Europian nga Kroacia, ka pozuar nudo mbi pavijonin “Meshtroviq” (Shtëpia e Artistëve Kroatë) nga Sheshi i Viktimave të Fashizmit, kollokuialisht apo popullorçe i njohur edhe si “Džamija” (xhamia), nga shkaku i formës së “rrethore”, ngase i përngjan faltores myslimane. 

    Dhe çështja që shtrohet është relacioni art-nudizëm, që ka një të kaluar nga ndalimi deri te liria e plotë, rrënjët e të cilit arrijnë deri në Greqinë antike. Pro-nudizmi thotë se “trupi i njeriut si i lindur nga nëna, pa tesha, cullak” është vegël për të ligjëruar anatominë, mënyra e vetme për të përshkruar kockat dhe muskujt, pjesën organike (Körper) dhe mishërore të njeriut (Leib), është e kundërta e paraqitjes së njeriut me kapotë, kapela dhe syze të zeza. Sipas ithtarëve të këtij konceptimi “artistik”, nudizmi  i mundëson artistit ta pozicionojë personin jashtë kontekstit historik sepse s’ka shenja eksterne të një periudhe apo shoqërie, por vetëm trupin si simbol. Nga ana tjetër, anti-nudizmi, që në esencë është me bazë fetare (Bibla – Gjeneza 9:21; Eksodi 20:26; Kur’ani – A’raf, 26), niset nga teza se nudizmi ka qenë fazë parake e përkohshme e gjendjes humane si pasojë e gabimit të nxitur nga djalli, se zhveshja është shëmti, është anarko-naturizëm, se heqja e veshjes është heqje e kulturës (shedding one’s clothes means shedding one’s culture), se veshja e bën njeriun njeri, se rrobat e dallojnë atë nga bota animale.

    Dhe vazhdojnë arsyetimet se nudizmi ndikon negativisht në mendjen e njeriut, është pornografi, i bën njerëzit objekte në vend të të qenët qenie humane, e obsesionon individin me seks etj. (artreneval.org) “Banaliteti për nga përkufizimi është toksik”, shprehet Milenkoviq. E banaliteti nënkupton bajaten, të bezdisshmen, një gjë pa freski, të rëndomtë, të konsumuar. Libri i sipërcituar, mes tjerash, artin e trupit e ka cilësuar si “aventurë të rrezikshme”. Sipas disave “nudizmi nuk është formë e artit por gjendje natyrale e njerëzve.” (“Nudity is not a form of art but a natural state of humans”. – Sprogis, 2017).

    Gazetaria e klikimeve dhe rejtingut është gjithashtu e rrezikshme (titulli: “Artistja e zhveshur kreate pozon mbi xhami”). Së paku ka mundur që autori tempullin ta vejë në thonjëza sepse bëhet fjalë për një objekt publik të një natyre tjetër, laike, jo për objekt sakral, jo për xhami në plotkuptimin e fjalës. Nga ana tjetër fetaria e injorancës apo injorantit është sipërfaqësore dhe e rrezikshme: Shumë individë kishin hyrë në gjunah duke sharë “performuesen antiestetike” vetëm në bazë të titullit, pa e lexuar lajmin plotësisht, pa i hyrë në të tekstit, pa e kuptuar esencën e shkrimit. Sensibiliteti fetar është i plotë me vetëdije dhe dije të plotë.

  2. Dhe një ditë me agjendë të ngjeshur, duke shkuar në punë, kalimthi nëpër Çarshinë e Shkupit vërej një turmë, esnaf e qytetarë kuriozë, kamera dhe dy veta që bisedojnë. Një dyqanxhi dhe një figurë e njohur. Ish kryeministri i RMV-së. Dialogu vazhdon, ne vazhdojmë të ecim. Pak më poshtë një grua në gjuhën maqedonase klith: “Vetëm para zgjedhjeve janë tok me ne, na vizitojnë sa për sy e faqe! Na kanë dalë mbi krye rrenat e tyre!” Një fjalë që ilustron imazhin e politikanëve tanë, që politikën “si punë të polisit dhe në favor të tij” e kanë kufizuar me ditët e fushatës para hedhjes së votës në kuti, që politikën nuk e perceptojnë si përgjegjësi permamente, por si mundësi për vetëavancim, nam, famë, para, hedonizëm e benefite të tjera që si vdekatarë të rëndomtë, pa u bërë politikanë, s’do t’i shijonin kurrë.Disa pohojnë se politika dhe njerëzillëku nuk shkojnë bashkë, se “politika është art i mashtrimit” (Gandhi), e mashtrimi është një cen, një ves shumë i keq.

    Albert Camus një radhë ishte shprehur se politika dhe e ardhmja e njerëzve mbruhen nga individë pa ideale dhe pa madhështi, se “kush ka madhështi brenda vetes nuk merret me politikë.” Një pohim ky shumë i ashpër, që përjashton një veprimtari të rëndësishme pro-sociale, që en bloc e nxin atë, kurse e vërteta është se politika mund të jetë edhe e mirë edhe e keqe.E mirë nëse punohet në favor të komunitetit, e keqe nëse punohet për të shfrytëzuar komunitetin për qëllime vetjake, për interesa sipërfaqësorë. Politikanë të mirë do të kemi atëherë kur do të kemi njerëz që shoqërinë e perceptojnë si shtëpinë e vet, qytetarët si familjen e tyre, të cilët do synojnë që ta avancojnë, ta ngrejnë sa më lart shoqërinë, t’i sigurojnë asaj mirëqenie, të krijojnë fytyra të lumtura, nga të cilat varet lumturia e oikos-it (vatrës, shtëpisë) të vet. Dhe realiteti i qershorit dhe gjysmës së korrikut tek ne: fjalë, premtime të mëdha, tregtim ëndrrash, që vetëm pas një muaji do të harrohen sërish nga nje pjesë e klikës politike që është mësuar “të gjuajë apo të peshkojë shpirtra njerëzorë”.

    Kujtoni vetëm sekuencat e intervistës nga zgjedhjet e kaluara me gjithë ata gazetarë për rrugën Shkup-Bllacë që do të bëhej në mandatin e kaluar, dhe shumë objekte të tjera, që s’janë askund, ku s’është hedhur as një lopatë. Çfarë poshtërsie është të thuash a të premtosh diçka që s’mund të realizosh dhe të flesh rehat pas katër vitesh? Antiglobalistët kanë një fjalë: “Food no bombs!” (Bukë jo bomba!) Ne themi, punë jo llafe. Se jemi ngirë, obezë jemi bërë me fjalë boshe. Politikanë: Vizitojeni popullin dhe merruni me hallin e tij siç merreni me hallet e shtëpisë dhe familjes suaj. Përndryshe fundin do ta keni keq. Do t’ju hanë krimbat qysh në këtë botë! Për tjetrën, të mos flasim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button