Kosovë, raportohet për vdekje nga koronavirusi, autoritetet heshtin

Numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi mund të ketë arritur në 71, pasi mediat lokale po raportojnë se gjatë orëve të para të së dielës, edhe pesë pacientë kanë vdekur në Qendrën Klinike Universitare.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me drejtoreshën e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajvazaj-Berisha, për të konfirmuar këtë lajm, por telefoni i saj nuk ka qenë i qasshëm. As infektologët brenda kësaj Klinike nuk kanë qenë të qasshëm për të dhënë shpjegime lidhur me gjendjen në Klinikën Infektive.

Arbnora Fazliu nga Mitrovica, vajza e një pacienti 70-vjeçar, që ka qenë i infektuar me koronavirus, e që ka vdekur në orët e hershme të së dielës, tha për mediat se dyshon që babait të saj nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.

Policia e Kosovës është parë në ambientet e QKUK-së. Megjithatë, as zyrtarët për informim të këtij institucioni nuk e kanë hapur telefonin, që të tregojnë për arsyen se pse ka forca të shtuara policore dhe pse është rrethuar me shirita të policisë Klinika Infektive.

Ndërkaq, në ora 13:00, kryeministri Avdullah Hoti do të takohet me drejtuesit e institucioneve shëndetësore, Edhe Qeveria e Kosovës, pritet që të mbajë mbledhje në orën 15:00, ku pritet të vendosen masa të reja kundër koronavirusit.

Aktualisht në Kosovë janë 66 viktima të konfirmuara nga koronavirusi.

Vetëm gjatë të shtunës, autoritetet kanë konfirmuar se nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, kanë vdekur tetë pacientë.

Sipas të dhënave të përgjithshme, 3,356 persona janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 1,874 janë shëruar dhe 1,416 persona vazhdojnë të jenë aktivë me koronavirus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button