Makraduli: Mjaft nga kjo sjellje jodemokratike

Të gjitha aktivitetet tona janë të lidhura me inkurajimin e qytetarëve. Kështu u shpreh sot, deputeti i LSDM-së opozitare, Jani Makraduli, gjatë karvanit protestues të opozitës. 

‘Të gjitha aktivitetet tona janë në drejtim të inkurajimit të qytetarëve që së bashku me ne, t’u themi se e kemi mjaft nga kjo sjellje jodemokratike”, ka deklaruar Makraduli.

Makraduli, në pyetjet e gazetarëve se a do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, u përgjigj negativisht, ndërkohë që u shpreh se opozita është krejtësisht e përkushtuar në kthyerjen e demokracisë në vend.

“Fjalimi i djeshëm i Gruevskit, ishte ndër më të dobëtit në historinë e re të Maqedonisë. Ne jemi përkushtuar që me të gjitha metodat demokratike, të kthejmë demokracinë në Maqedoni, e cila më 24 dhjetor u varros. Ne, qytetarët e Maqedonisë, nuk do të lejojmë që ajo ditë të harrohet. Këtë nuk do të bëjmë asnjëherë. Mu për këtë, i këshillojmë qeveritarët se e tërë përgjegjësia nga rezultati I ngjarjeve, do të jetë mbi supet e tyre, pra të shumicës qeveritare”, deklaroi Makraduli.

Karvani opozitar i rezistencës, edhe sot, me fillim në orën 12, vazhdoi me protestë me automobila nëpër rrugët e Shkupit. Kolona e veturave u nis prej sallës sportive “Jane Sandanski” në lagjen Aerodrom, vazhdoi drejt lagjes Lisiçe e Re, nëpërmjet bulevardeve “Jane Sandanski” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu”, në drejtim të Bankës Popullore të Maqedonisë dhe ndërtesës së Kuvendit. Prej atje,  karvani vazhdoi drejt lagjes Taftalixhe, deri te udhëkryqi në Porta Vllae, dhe u kthye në qendër të Shkupit. Protesta do të përfundojë para ndërtesës së qeverisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button