Gazetarët “kërkojnë falje” nga Veljanovski dhe Gruevski

Gazetarët kolektivisht u kërkuan falje kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.

Në këtë mënyrë e shprehën qëndrimin e tyre dhe komentin ironik, ndaj faktit se nën presion të gazetarëve dhe redaktorëve kërkohet falje publike për tekstet e publikuara.

Me këtë, thonë ata, censurohet liria e mediumeve.

Një pjesë e gazetarëve kërkojnë falje për shkak se nuk punojnë sipas nevojave dhe porosive të politikanëve.

Fillimisht falje i kërkohet kryeparlamentarit Veljanovski.

“Në përputhje me dispozitat ligjore, i kërkoj falje kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski, për shkak se nuk i ka manipuluar rezulatet e anketës për incidentet që gjoja kanë ndodhur më 24 dhjetor 2012 në Kuvend dhe ato i tërheq. Edhe incidentet, edhe rezultatet. Për shkak se nuk e hulumtova se kush ia ka thyer guaskën e toaletit Dadarit. Për shkak se nuk e dëgjuam sigurimin e Kuvendit kur na luti në mënyrë të butë që ta lëshojmë lozhën. Për shkak se në Kuvend nuk ka manikir për thonjtë e deputetëve”, shkruan në kërkimin e faljes.

“Për shkak të kërkesës së shtuar për kërkim të faljes, e kjo është një gjë që nuk e kemi mësuar në fakultet, as si lëndë, as nëpër redaksi, Sindikati i gazetarëve erdhi deri tek ideja, që t’u gjindet njerëzve gjatë ballafaqimit me këtë vegël të re gazetareske dhe përgatitëm një formular për kërkim të faljes nga kryetari i Kuvendit dhe një për kërkim të faljes nga kryeministri Nikolla Gruevski, ku janë theksuar arsyet e kërkimit të faljes. Me këtë formular, kryetari Veljanovski, kur do të ndjehet i ofenduar, mund t’i hapë këto kërkime të faljeve dhe t’i kënaqë nevojat e tij”, deklaroi Tamara Çaushidis, kryetare e Sindikatit të pavarur të gazetarëve.

Kryeministrit i kërkuan falje për çdo pyetje të paporositur dhe jotematike, për shkak se kanë ardhur në kohë në konferencat për shtyp, për shkak se Maqedonia ka rënë në nivelin më të ulët sa i përket lirisë së mediumeve.

“Kërkojmë falje për shkak se e duam profesionin që duhet të mbetet në kuptimin e vërtetë të fjalës, punë që duhet të bëhet sipas parimeve, e jo atë që e kemi sot si pasqyrë mediale. Kërkojmë falje për shkak se parashtrojmë pyetje të cilat në kohën e sotme janë titulluar si tematike. U kërkojmë falje qytetarëve të cilët duhet të udhëhiqen sipas asaj që e shohin dhe e lexojnë nëpër mediume”, u kërkoi falje qytetarëve Dragan Antonovski.

Grupi parë i faljeve tashmë është dërguar, ndërsa të gjithë ata që nuk e kanë bërë këtë, e do të donin ta bënin, formularin për kërkim të faljes mund ta shkarkojnë nga ueb-faqja e SPGM-së, ose mund të dërgojnë falje në [email protected], që ajo pastaj t’u përcillet personave të lartëpërmendur./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button