Ëndërra për një sistem europian të kujdesit shëndetësor

Komisioni Europian (KE) miratoi kornizën ligjore për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë Veriore (MV) dhe Shqipërinë. Ky është një lajm i mirë për të dy shtetet, por a është gjithnjë e mjaftueshme dhe e drejtë që Bashkimi Europian (BE) të bëjë për ne gjëra të mira dhe me plot përfitime? Çfarë duhet të bëjmë ne që të dukemi më europianë dhe të jetojmë të gëzuar dhe të sigurtë njëjtë si shtetasit e BE-së? A duhet të kemi shëndetësi, arsim, gjykata, standard jetësorë, ambient dhe të drejta sociale që funksionojnë dhe zbatohen me të vërtetë njëjtë për të gjithë si një shtet që synon unionin i cili është ndërtuar mbi humanizmin, lirinë dhe të drejtat universale?

Në politikën europiane të fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit, kapitulli 28 ‘Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit’ theksohet rëndësia që i jep BE-ja-shëndetësisë. Aty përfshihen rregulla specifike detyruese në fushën e shëndetit publikLe të fillojmë me sektorin e shëndetësisë në MV. A mund të shkojmë në Europë apo të bëhemi pjesë e BE-së me këtë sistem të shkatërruar dhe të korruptuar shëndetësor? Sigurisht se jo! Vlerësimet e BE-së do të vazhdojnë të jenë dhe do të mbeten negative, duke filluar nga drejtësia, liria e shtypit, ndërsa më e prekura nga politika dhe grupet e interesit partiak do të jetë edhe më tej shëndetësia. Këtë njollë të zezë të MV-së, më së shumti e paguajnë qytetarët e këtj shteti dhe jo banorët e BE-së. Më tej, Covid-19 nxorri në pah të zezat e ‘sistemit të ri’ i cili është i bazuar në konceptin socialist të menaxhimit të shëndetësisë. Paralelisht, realiteti tregon se nga viti 1991 janë bërë keqpërdorime të mëdha të parasë publike të taksapaguesëve për një shëndetësi më të mirë dhe profesionale e cila realisht nuk ekziston në MV.

Kuadri profesional mjekësor për shkak të gjendjes së mjerueshme dhe ndikimit të politikës në shëndetësi, u detyrua të largohet jashtë në Perëndim. Në MV mbetën vetëm një grup mjekësh që s’kanë ku të shkojnë dhe janë të detyruar të punojë në kushte aspak sanitare që ia siguron shteti dhe qeveria e Maqedonisë Veriore apo thënë shkurt në kushte (jo) normale që ia siguron politika.

Ndërsa një grup tjetër i shkolluar dhe i vendosur në pozita udhëheqëse nga partitë politike dhe kanë zënë pozita drejtuese si rrjedhojë e nepotizmit familjarë, vazhdojnë të paraqiten si kuadër profesional, por në fakt këta janë frenuesit e modernizimit.

Se në çfarë gjendje i gjejnë pacientët spitalet e MV-së në kohën kur shërimi nga virusi kërkon ndihmë të shpejtë dhe adekuate, kjo nuk do ndonjë sqarim plotësues? Padyshim pamjet e spitaleve tona nuk krahasohen as me të shteteve afrikane dhe të mos flasim për ambientet e brendshme dhe strukturën udhëheqëse të reparteve mjekësore. Për më shumë dhe për të qenë realist, kjo është gjendja e sistemit shëndetësor të MV-së që vazhdon të funksionojë jashtë standardeve europiane dhe të një kaosi që qëndron mbi politikën shëndetësore.

Sipas ‘Fjalorit të Mjekësisë’, sistemi i kujdesit shëndetësor është një plan i organizuar i shërbimeve shëndetësore. Termi është përdorur zakonisht për t’iu referuar sistemit ose programit me të cilin kujdesi shëndetësor vihet në dispozicion të popullatës dhe financohet nga qeveria, kompanitë private, ose nga të dy sektorët. Në një kuptim më të gjërë, elementët e një sistemi të kujdesit shëndetësor përfshijnë këto kategori: 1. shërbime të kujdesit shëndetësor për individë dhe familje, të disponueshëm në spitale, klinika, qendra spitalore, në zyrat e mjekëve, klientëve dhe në shtëpitë. 2. shërbime shëndetësore publike të nevojshme për të mbajtur një mjedis të shëndetshëm, siç janë kontrolli i furnizimit me ujë dhe ushqim, rregullimi i barnave dhe rregulloret e sigurisë që synojnë mbrojtjen e një popullate të caktuar 3. veprimtaritë mësimore dhe kërkimore që lidhen me parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve dhe e fundit 4. Mbulimi i shërbimeve të sistemit nga palët e treta pra nga sigurimi shëndetësor.

Qeveria e MV-së ka miratuar një Plan Strategjik (2019-2021). Qëllimet prioritare të përcaktuara në vendimin për përcaktimin e përparësive strategjike të qeverisë për vitin 2019, të cilat i referohen sektorit të shëndetësisë janë: Sistem i kujdesit shëndetësor efektiv dhe të përballueshëm për popullatën, që nënkupton forcimin e shërbimeve dhe përmirësimin e organizimit të kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet: nivelin parandalues, parësor, sekondar dhe terciar; cilësia e përmirësuar e kujdesit shëndetësor dhe shërbimet shëndetësore; përmirësimi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për popullsinë; sistem shëndetësor të qëndrueshëm, i integruar dhe efikas, dhe i bazuar në barazi.

Prioritetet dhe qëllimet strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë në Planin Strategjik 2019-2021 përfshijnë: rishikime, konfirmime dhe aktivitete të reja zhvillimi. Në Planin Strategjik thuhet se në funksion të qëllimit, qeveria e MV-së synon ndërtimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësorë të ngjajshëm me standardet e BE-së.

Siç vërehet qeveria, ka miratuar një Plan Strategjik dhe kjo është në rregull, pasi vetëm me anë të planeve një qeveri dhe ministri mund t’i identifikojë problemet dhe të përmirësojë sistemin dhe paralelisht të ndërtojë kapacitete për të ardhmen në nivele të standardeve të BE-së. Megjithatë, plani i Ministrisë së Shëndetësisë është vetëm një utopi, sepse nuk ka ndryshime thelbësore në spitalet dhe klinikat e MV-së. Sistemi ynë shëndetësor nuk ka aspak ngjajshmëri me sistemin e shteteve të BE-së. Janë bërë kopje të disa sistemeve të huaja që nuk funksionojnë në MV.

Urgjentisht qeveria e re duhet ta rishyrtojë Planin Startegjik të shëndetësisë, pasi ky sistem paraqet një pamje të zezë para të huajve dhe për një vend që pretendon të hyjë nesër në BE, kjo me të vërtetë është e patolerueshme.

Përveç që shëndetësia vuan nga korrupsioni, shpenzimet e shumta të qytetarëve për t’i plotësuar kërkesat dhe shërbimet kryesore, janë pjesa tjetër e barës që duhet qytetarët ta përballojnë. Të fillojmë me disa shpenzime që duken aspak të rëndësishme po ja që në kohë të pandemisë e bëjnë qytetarin të mos procedojë me bërjen apo jo të testit të virusit cili kushton 4000 den. Si është e mundur që qeveria të mos i mbulojë shpenzimet e testit kur dihet se si rezultat i pandemisë globale mbi 300 milion euro ky shtet ka siguruar ndihma dhe donacione nga BE-ja dhe Sh.B.A.-ja?

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet sigurimit shëndetësor, duhet t’iu sigurojë të gjithë qytetarëve me dhe pa mbulesë të sigurimit shëndetësor testin e Covid-19 dhe asesi të refuzojë shërimin falas të qytetarëve nga kjo sëmundje ngjitëse. Në Sh.B.A. dhe në shtetet e BE-së, pacienti i cili është prekur nga Covid-19 mjekohet falas dhe pangarkesë financiare.

Argumenti tjetër është se kapaciteti i personelit shëndetësor dhe mungesa e paisjeve tekonologjike e bëjnë edhe më të rëndë çdo shërim dhe rimëkëmbje në MV. Nuk është rasti vetëm me menaxhimin e krizës pandemike dhe dobësitë e sistemit shëndetësor të MV-së, janë edhe një varg problemesh tjera serioze që ky shtet ndeshet që nga sistemi monist kur pacientët profilizoheshin mbi baza etnike dhe kur mjeku maqedonas vendoste nëse pacienti apo një foshnjë e lindur apo e posalindur do të jetonte apo jo.

Në sektorin e shëndetësisë, janë bërë punësime partiake, klanore dhe gjendja e objekteve spitalore është nën nivelin e kritereve për një shtet apo qeveri e cila flet pandërprerë për BE-në. Tani është koha që qeveria e ardhshme të punojë dhe të investojnë në të gjithë infrastrukturën kritike shëndetësore para se një epidemi tjetër të na përfshijë.

Një shtetas i Europës Perëndimore e ka të pamundur të shërohet dhe ndihmohet nga shëndetësia jonë e cila ende operon me mjete të shekullit XIX. BE na pret, por jo në këtë gjendje me krevatë të shqyer dhe objekte me mure të rënuara që datojnë nga koha e Mbretërisë Serbo- Kroate- Sllovene (SKS) dhe nga periudha e Maqedonisë socialiste. Gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike, kandidatët për deputetë dhe kandidatët për kryeministër janë zotuar për shuma të mëdha në rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor, arsimit dhe të sferës sociale. Të presim nëse po këta politikanë do t’i bëjnë realitet premtimet e tyre apo do të mbesin vetëm gënjeshtra zgjedhore por me ndikim në anëtarësimin e MV-së në BE.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button