Aleanca Kuq e Zi do të mbajë referendum shqiptar edhe në Maqedoni?

Aleanca Kuq e zi po mbledh materiale dhe po bën përgatitje që referendum për bashkimin kombëtar të mbajë edhe në pjesët e tjera ku jetojnë shqiptarë, përfshirë këtu edhe Maqedoninë. Sipas tyre referendumi do të realizohet kur të vijë koha.

Aleanca Kuq e zi, e cila në platformën e saj ka bashkimin e trojeve shqiptare po bën përgatitjet që edhe në Maqedoni të mbahet referendum për bashkimin kombëtar. 

Para tre javëve Aleanca Kuq e zi dorëzoi kërkesë për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, ndërkaq sipas tyre kur të vijë momenti i duhur një kërkesë e tillë do të dorëzohet edhe në Maqedoni dhe në pjesët e tjera ku jetojnë shqiptarë.

Valon Kurtishi, përfaqësues i kuq e zinjve në Maqedoni thotë se po punohet në atë drejtim. “Po punohet, mblidhen materialet, bëhen përgatitjet dhe kur të vijë momenti ata do të dalin me atë kërkesë”, thotë Kurtishi për “Lajm”. Ai nuk jep datë se kur mund të ndodhë kjo, pasi siç thotë ai, ky është një proces.  “Nuk ka datë dhe nuk ka afat, pasi ai është proces që do të realizohet kur të vijë momenti”, thotë ai, duke shtuar se një nga pikat kryesore të platformës së Aleancës është edhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve. 

Analisti nga Kosova Faik Krasniqi, në analizën e tij “Bashkimi i krejt shqiptarëve para anëtarësimit në BE” të cilën mund ta lexoni të plotë në këtë numër të “Lajm”-it, shkruan se strategjinë e bashkimit të Gjermanisë me anë të vullnetit të lirë të popullit duhet ta ndjekin edhe shqiptarët.

“Bashkimi i Gjermanisë u krye në bazë të vullnetit të lirë të gjermanëve. Dhe, si u krye?

Populli çau murin dhe në mënyrë plebishitare u bashkua, u përqafua. Si mund ta ndalonte Britania e Madhe dhe Franca? Të njëjtën strategji duhet të ndjekë edhe bashkimi shqiptarë, vullnetin e popullit. Referendum. Nëse shqiptarët votojnë pro, nuk ka Evropë që i ndalon”, shkruan Krasniqi. Sipas tij referendumi për bashkim kombëtar duhet të vlejë jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën shqiptare të Arbërisë (Maqedonisë), Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), Malësinë (Malit të Zi), pak më vonë edhe Çamërinë, se a duan të bashkohen në një shtet të vetëm shqiptar, apo jo!.

Më 8 janar të këtij viti Aleanca Kuq e Zi dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri kërkesën për zhvillimin e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri, nismë kjo e bërë publike prej 28 nëntorit, në Morinë. 

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu deklaroi se shtetet shqiptare duhet të anëtarësohen në BE si federatë shqiptare me 2 njësi, që rrëzon kufijtë, por nuk i ndryshojnë ato. “Federata shqiptare me dy njësi, krijon mundësinë që shqiptarët të hyjnë në BE si federatë shqiptare. Bashkimi do të ndodhë përpara anëtarësimit në BE. Ky është një detyrim që duhet ta kishte klasa politike shqiptare që duhet të provojë se nuk është peng i vendeve antishqiptare”, citohet të ketë thënë Spahiu.

Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë dorëzuar zyrtarisht në Protokollin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën e Aleancës Kuq e Zi për mbajtjen e referendumit dhe pajisjen me dokumentacionin zyrtarë për nisjen e mbledhjes së 50 mijë firmëtarëve të cilët do të kërkojnë mbajtjen e tij. / Gazeta Lajm

Lajme të ngjashme

Back to top button