Myler: Niveli i borxhit të Maqedonisë nuk është shqetësues

“Maqedonia është një nga rrëfimet me të vërtetë të suksesshme, ajo ka pasur rritje të shkëlqyeshme të lirive ekonomike gjatë dekadës së kaluar dhe u ngjit më shumë se dhjetë pika në indeksin tonë”, thotë ambasadori Teri Myler, drejtor i Qendrës për tregti ndërkombëtare dhe ekonomi në fondacionin “Heritage”.

Qendra punon në Indeksin vjetor të lirive ekonomike të “Heritage” dhe gazeta Wall Street Journal.
Sipas indeksit të publikuar paradokohe, Maqedonia u plasua në vendin e 43-të nga 177-të vende, edhe atë si më e mira në rajon dhe në vendin e 21-të në Evropë. Indeksi i vlerëson shtetet sipas mënyrës dhe nivelit të tatimit, sa është e vështirë të hapet një biznes i ri, transparencës së vendit për tregti në botë dhe sundimit të drejtësisë.

Në bisedën për Agjencinë e lajmeve të Maqedonisë, ambasadori Myler thotë se hapësira për përmirësim duhet të shikohet në sferën e fundit.

“Kuptohet se ka hapësirë për përmirësim, para së gjithash në indikatorët e sundimit të drejtësisë. Ndonjëherë këta indikatorë janë të ndërlidhur edhe me kulturën e vendit dhe nuk mundet të ndërrohen aq shpejt. Njëherësh, Maqedonia ndodhet në fqinjësi të vështirë.”

Sipas tij, niveli i borxhit të Maqedonisë nuk është shqetësues, por duhet kushtuar vëmendje se në çfarë drejtimi lëviz vendi.

“Heritage”, si një nga institucionet më të rëndësishme konservatore në SHBA, paralajmëron edhe për probleme të tjera që ndërlidhen me konsumin shtetëror.

Sipas Mylerit, përveç asaj se konsumi shtetëror nuk është mënyra më e mirë që të stimulohet rritja ekonomike, kjo çon edhe në rritjen e nivelit të korruptimit.

Një nga vlerësimet pozitive në raportin për Maqedoninë është shkalla e ulët dhe e barabartë e tatimit për kompanitë dhe për të ardhurat e realizuara. Por, ambasadori Myler thekson se tatimi i vlerës së shtuar që është zëvendësim për këto shpenzime, është i lartë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button