Zhelev fton BE-në dhe Greqinë ta njohin Maqedoninë me emrin kushtetues

“Të gjithë ne duhet ta mbështetim aspiratën e Maqedonisë për anëtarësim të plot në BE dhe NATO”- deklaroi ish-presidenti bullgar, Zhelju Zhelev në diskutimin publik me temën “Roli i potencilait civil-ekspert në politikën e jashtme të Bullgarisë, në kontekst të ’Kartonit të kuq’ të Sofjes për Shkupin lidhur me negociatat me BE-në”.

“Nuk duhet ta ndërpresim rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s. Gjithsesi, ajo patjetër duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret dhe kushtet të cilat vlejnë edhe për vendet e tjera ballkanike të cilat tashmë janë anëtare të plota të BE-së dhe të NATO-s. Integrimi euroatlantik duhet të jetë politikë për të gjithë ne, për bashkimin e  vendeve ballkanike. Kjo është absolutisht e domosdoshme” tha Zhelev.
Bullgaria është vendi i parë që e njohu pavarësinë e Maqedoninë më 15 janar të vitit 1992,  pikërisht kur Zhelev ishte shef shteti.

Ai e përsëriti tezën e tij se fajtori kryesor për problemin me emrin e Maqedonisë është Komisioni Evropian.

“Si mund të lejohet të tjerët të vendosin për emrin e një shteti. Ky mekanizëm për sjelljen e vendimeve me konsensus të plotë është idiotizëm. Në këtë mënyrë u mundësohet fqinjëve të debatojnë me shtetin i cili shqyrtohet”, theksoi Zhelev dhe i bëri thirrje BE-së dhe Greqisë ta njohin Maqedoninë nën emrin kushtetues.

Sipas tij, “e drejta për ta zgjedhur emrin e shtetit të vet është e drejta e tyre dhe askush nuk mund ta shkelë atë”. Zhelev tha se kontesti për emrin “Maqedoni” është i ngjashëm me atë sikur tani ta kontestonte emrin “Greqi”, sepse në historinë e vendit ajo nuk është quajtur vetëm Greqi, por edhe Bizanti dhe Elada. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button