Hoti i gatshëm të shkojë në dialog edhe pa presidentin Thaçi

Ende nuk ka datë se kur mund të rinisë dialogu Kosovë-Serbi, por kryeministri Avdullah Hoti thotë se së shpejti do të caktojnë takim të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Për këtë, Hoti thekson se ka folur me emisarin amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Pas takimit në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Hoti ka shtuar se është i gatshëm që të shkojë në dialog edhe pa presidentin Thaçi.

“Kosova ka institucione legjitime Kushtetuese për të marrë përgjegjësit që i takojnë. Unë jam i gatshëm me Grenellin për të caktuar një datë për të rifilluar dialogun. Duke caktuar një agjendë fillimisht ekonomike, më pas politike. Por me parime të qarta që hymë për njohje reciproke”, ka thënë ai, raporton KOHA.

Zyra e të dërguarit amerikan për dialogun Richard Grenell, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se ende nuk kanë caktuar datë të saktë se kur pritet të mbahet takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Zyra e Grenellit nuk ka dhënë përgjigje nëse takimi i Uashingtonit do të ndodhë para Samitit të Parisit, i planifikuar të mbahet në mes të korrikut.

Ndërkaq, partia opozitare Vetëvendosje thotë se Qeveria Hoti është jolegjitime për të udhëhequr me dialogun me Serbinë, duke përjashtuar çdo mundësi që të jetë pjesë e ekipit të dialogut.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të themelojë këshill të ekspertëve dhe koordinator për dialogun me Serbinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button