Elita materiale me varfëri shpirtërore

Në një të kaluar të largët të parët tanë na thoshin se duhet shumë punë që njeriu atë që e ka materiale ta ndjejë edhe shpirtërisht dhe së njëjtës t’ia di vlerën e vërtetë. Na thoshin se rrugët do na nxjerrin përballë plot driza, të cilave me kalimin e kohës do t’ua prisnim rrënjët dhe për brezat e mëvonshëm në vend të tyre do të duhej të mbillnim trëndafila. Diçka që atyre do t’u jepte frymë jete dhe motiv për të ecur drejt një të ardhmeje pa brenga sunduesish e me fitore mëngjesi.

Në shumicën e porosive që na lanë, na mësuan se jo të gjithë do të ishim në atë vend që e meritonim (Arsyet kanë qenë të njohura gjithmonë dhe të tilla do të mbeten), sepse ata nga përvoja jetësore ishin bindur se vjen një kohë kur shoqëria nga primitive tenton të bëhet moderne me plane për ta plaçkitur dhe rrënuar shpirtërisht tjetrin. Kur flasim për tjetrin, gjithmonë e kemi parasysh atë të voglin e heshtur që pret dorën e të madhit për kapje, ashtu siç pret diellin t’ia ngroh skutat më të thella të shpirtit. Tjetrin, që e kemi përballë e për çdo ditë ia numërojmë lotët pa i dalë në ndihmë, ndoshta jo aq sa bëri Nënë Tereza jonë, sepse e para mbetet gjithmonë e tillë, ne edhe po të mundohemi me mish e me shpirt nuk mund ta arrijmë atë. Por, flasim për një ndihmë, një mbështetje që mund ta bëjë secili nga ne e në atë mënyrë të mbushim shpirtin tonë me gëzimin që ndjen shpirti i tjetrit përballë nesh.

Nga të gjitha gjërat që ne trashëguam nga të parët tanë është edhe porosia që jetën ta çojmë me nder dhe ashtu siç bënë ata, të kënaqemi edhe ne me bukën dhe kripën në një sofër që na mbledh bashkë e na detyron t’i tregojmë qëllimet për të ardhmen. Por, nga historia dhe rrethanat shoqërore në të cilat jetojmë, shohim se jo të gjithë në sofër kanë qëllime të përbashkëta, sepse ndonjë del me interesa personale dhe harron atë që deri dje ia mbrojti shpinën. Ndonjë që merr pozitë, mbush zbrazëtirat e mëparshme, tenton të duket si i veçantë për ata që nuk e njohin dhe nuk dinë se në ç’rrugë ka ecur për të arritur atë që ka sot, ose ndonjë që shfrytëzon djersën e tjetrit dhe kënaqet kur ky i ngrati ia uron pozitën e re “të pamerituar”.

Njerëzit e tillë përpos që në jetën reale, ne i gjejmë mjaft të trajtuar edhe në veprat letrare, e në veçanti në ato që synim kryesor kanë të nxjerrin psikologjinë e një njeriu që tenton të bëhet ndryshe, jo duke marrë për bazë atë që krijon vet ose ia ka siguruar një që e ka për detyrë (Në këtë rast prindi), por duke vjedhur atë që tjetri e ka të vetme dhe motiv jete për të nesërmen. Duke ia marrë atë që ia siguron jetesën në një vend ku rrethohet me plaçkitës shpirtrash.

Të tillë ne njohim të gjithë, ndonëse ata mundohen të na tregojnë vetëm pjesën materiale pa lodhur shumë kokën se ne dimë edhe pjesën e tyre shpirtërore, një shpirt të varfër e me halle që i fshehin edhe nga vetët e tyre. Shumica nga ne jemi përballur me të tillë dhe duke qenë se vet jemi të përgatitur si profesionalisht ashtu edhe shpirtërisht për gjërat që shoqëria ka nevojë (profesorë, mjekë, inxhinierë), shohim se mbetemi në një rreth kur vlerat janë shndërruar në antivlera ose aty ku heshtja jonë e kënaq atë që dëshiron t’i dëgjohet zëri pa thënë diçka të madhe e që mban për të gjithë, por, thjesht, diçka që atë e ngre lart duke ia nxjerrë në pah varfërinë e madhe e të thellë shpirtërore.

Përpos kësaj varfërie, që atë e bën të përkulet kur i vjen koha të zë vendin e dikujt që ka dhënë mund, por, që duke mos qenë i një mendjeje me sistemin, mbetet atje ku nuk e njeh kush, ai tregon se sa i zoti është për fjalët që ia shkruan Demka e përballë popullit ai merr rolin e një Zyloje që çdo ditë e më tepër adhurohet nga gruaja e vet. Të tillët me kohë na i solli pena e artë e Agollit pa mundur t’i heqim nga shoqëria ose t’ua pasurojmë shpirtin që e kanë aq të varfër.

Kësaj elite materiale që mbi të vegjlit dhe të heshturit vendos urdhra se si duhet të jetohet e në ç’pika të kapen ata për ta duartrokitur më shumë, duhet t’i tregohet vendi dhe t’i dalin përballë intelektualët e vërtetë, që gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë pararojë dhe pengesë e shoqërisë që synon sundimin. Një elite që fryma po i zihet çdo ditë e më shumë, por që ashtu si Gilgameshi lufton për përjetësinë e kësaj bote, pa harruar se gjarpri del nga kudo, edhe atëherë kur ai rend e rendja e çon që tjetri, të cilin ai e quan makinë shërbimi për nevoja personale, t’ia mësojë atë varfëri që e fsheh me antivlera moderne.

Se përse kjo elitë ka varfëri shpirtërore ne e dimë të gjithë, por, se sa e njëjta tenton të duket e të ruan vendin që tjetri nga frika ia siguron, e di vetëm ajo. Për ne mjafton që për të tillën të bëhemi pararojë, të bëhemi një zë i brendshëm që do e ndjek edhe në gjumë, e se sa ajo do të mundohet të hiqet nga rruga që nuk i përket e të mbështes atë që e shfrytëzon do e shqyrtojë vetë. Për ne mjafton që të nxjerrim zërin dhe ta pasurojmë shpirtin, e sa për materialen pajtohemi të mbetet tek ata që me shpirtin me kohë kanë lënë lamtumirën.

Shkroi- Adelina XHAFERI

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button