Zhbogar me përkrahje për plotësimin e rekomandimeve të UNESKO-s në rajonin e Ohrit

Aktivitetet për rregullimin adekuat të bregut të Liqenit të Ohrit në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të UNESKO-s dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit kanë hasur në përkrahje edhe nga ambasadori i BE-së në vend, Samuel Zhbogar. Gjatë vizitës së djeshme të Ohrit, ai e vizitoi edhe plazhin Gorica Treta, ku tani janë zbuluar objektet pa leje dhe vendet e plazheve ku kanë qenë ato mbushen me rërë lumore, shkruan Portalb.mk.

Euroambasadori Zhbogar theksoi që Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut e përshëndetë dhe e mbështetë procesin e filluar për përmbushje të rekomandimeve të UNESKO-s dhe të gjitha aktivitetet ligjore që ndërmerren për mbrojtje të trashëgimisë botërore të rajonit të Ohrit dhe për ruajtje të Liqenit të Ohrit, si pasuri natyrore e paçmueshme.

“E kuptoj dhe e shoh që ka njerëz në Ohër dhe në rrethinë të cilët nuk kujdesen për statusin e UNESKO-s, mirëpo në vend të parë i kanë interesat e tyre. Besoj që shumica e qytetarëve në Ohër me të vërtetë kujdesen për ruajtjen dhe mbrojtjen e Liqenit të Ohrit për gjeneratat e ardhshme” – tha ambasadori Zhbogar.

Menjëherë pas vizitës në këtë lokacion, euroambasadori Zhbogar e vizitoi edhe Qendrën për shumim të drerit evropian në Parkun Nacional Galiçicë.

Në kuadër të sipërfaqes së vet prej 86 hektarë, gjendet një kope prej 30 drerëve, me 24 drenusha dhe 6 drerë, ndërsa tash më ka edhe drerë të vegjël. Ambasadori Zhbogar e ka përshëndetur nismën dhe entuziazmin e entit për realizim të aktiviteteve për mbrojtje të natyrës.

Në suaza të vizitës, është diskutuar edhe për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Parkun Nacional Galiçicë dhe aktivitetet që i ndërmerr dhe planifikon t’i implementojë enti në të ardhmen. Zhbogar ishte i njoftuar me progresin dhe rezultatet nga zbatimi i projektit: “Përmirësim i efektivitetit në mbrojtjen dhe menaxhim me Parkun Nacional Galiçicë”, që është pjesë e Programit: “Përmirësim i menaxhimit me zonat e mbrojtura”, i financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa i zbatuar nga Programi për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në partneritet me Ministrinë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button