Programe zgjedhore me Gogolin shqiptar në qendër

E kam thënë edhe më herët se në shtetin e sëmurë nga ileti i rrezikshëm me gjenezë mesjete janë të lejuara deklaratat ekstreme nacionaliste të orientuara kundër ekzistencës së tjetrit, ndërhyrjet në drejtësi, burgosjet e kurdisura, inskenimet e konflikteve ndëretnike, instrumentalizimi i medias dhe pitbullëve të saj me njëmijë privilegje, korrupcioni, keqpërdorimet ordinere të parave popullore dhe shtonat tjera kutërbuese të kapadainjëve me veset e Luigjit XIV, që e pandehin veten Diell e shtetin çiflig babe. Ndërkaq, të jashtëligjshme, të palejueshme, të ndaluara, të dënueshme, antishtetërore, grushtshtetërore… janë vetëm aktet e publikimit të pisllëqeve që mund të prishin imazhin e teleisur të parësisë së demokracisë në paterica.

Të sipërthënën e përligjin dhe vakitë e zgjedhjeve aktuale që vlojnë nga marshet revolucionare, fjalimet patetike, fiks-idetë hegjemone të mendjerobëruarve dhe komplekset lilipute të atyre që duan t’i sundojnë të tjerët, të atyre që Maqedoninë e Veriut e duan, jo ashtu si është – multietnike, multikulturore e multifetare, po si shtet nacional të ortodoksëve sllavë. Lexoni pjesët ballore të programeve të partive maqedonase, dëgjoni premtimet e prijësve të tyre për të ardhmen e shkretishtes për ta kuptuar se janë thelbesisht shoviniste e të orientuara kundër gogolit shqiptar, që rrezikuaka shtetin me kërkesa ekstreme që do të shtrohen sërish në momentin kur do të formohet qeveria e re, pjesë e së cilës do të jetë detyrimisht edhe partia fituese e votave të shqiptarëve, të cilët përbëjnë të paktën një të tretën e popullatës së vendit të çudirave.

Më e serta me kërcënimet e lidhura përherë me shqiptarët armiq të shtetit të vetëm të maqedonasve, në këto zgjedhje është partia e profesorit Janko Baçev, pikëpamjet e të cilit nuk dallojnë nga ato të parësisë së Agimit të artë grek. Sipas tij:

  • Republika e Maqedonisë duhet të jetë shtet nacional i popullit maqedonas me të drejta të garantuara për pakicat.
  • Kuvendit të Maqedonisë i duhet një parti e fortë nacionale dhe atdhetare, jo partitë që bëjnë koalicione më shqiptarët.
  • Në RM gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase, ndaj duhet të zhbëhet ligji për dygjuhësinë.
  • Të bëhet regjistrimi i popullatës dhe të shpallen të pavlefshme të dhënat e regjistrimit të falisfikur i vitit 2002, në të cilin pakica shqiptare doli rrejshëm 25.17 % .
  • Maqedonia duhet të jetë shtet unitar, pa mundësi konfederalizimi a autonomie eventuale për dikë.
  • Duhet të kthehet patjetër organizimi territorial i shtetit para vitit 2004 – duhet të kthehen kufijtë e vjetër komunalë të Kerçovës dhe Strugës…

Po kaq patetik, antishqiptar dhe i drejtëpërdrejtë është dhe profesori Ljupço Ristevski – kryetari i partisë Konservative maqedonase, i cili pretendon se me politikat e tij do t’i mësojë edhe të tjerët si duhet atdheu dhe kombi. Natyrisht, edhe ky kërkon me ton luftarak formimin e një Qeverie Atdhetare, kërcënohet se: gjithkush duhet ta dijë se Maqedonia është shtet i popullit maqedonas, ndaj, që të jetë e tillë duhet urgjentisht t’i priten krahët shqiponjës shqiptare, që rrezikon ekzistencën e maqedonasve… Më ironikja është se, pas kërcënimeve idiote, të dëgjuara para më shumë se dy dekadash nga regjizori i tebdilosur në politikan Ljubisha Georgievski, Ljupçoja zbut pordhat dhe thotë se politika e tij qenka edhe në të mirë të shqiptarëve, të cilët, pasi të shkrihen brenda kombit maqedonas, do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat.

Për këto lëvizje me elemente raciste që kërkojnë të bëjnë shtet monoetnik atje ku ai nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë, nuk do të shkruaja po të mos përkonin me programet dhe broçkullat e rrezikshme parazgjedhore të dy partive më të mëdha maqedonase: VMRO-së së Hristian Mickovskit, i cili premton se, posa të vijë në pushtet, do ta ndryshojë kushtetutën e vendit, duke nisur nga rregillumi i marrëdhënieve ndëretnike sipas principit të kombit të vetëm maqedonas… dhe LSDM-së së Zoran Zaevit, i cili ia ofron Mickovskit paktin e përçudnuar, i premton se do t’i japë 13 deputetë për ta bërë shumicën, nëse VMRO-ja fiton më shumë vota se LSDM-ja, duke kërkuar të njëjtën ta bëjë edhe ai, nëse korr fitore LSDM-ja, me qëllim që asnjëra parti maqedonase të mos jetë e varur nga kushtëzimet e partive shqiptare.

Kjo ofertë idiote që synon margjinalizimin e etnisë së dytë më të madhe të vendit, bëhet në kohën kur “liberali”  Zoran Zaev vazhdon të kërkojë me kubi votat e shqiptarëve për të ruajtur pushtetin, në krye të të cilit e sollën shqiptarët. Kjo është arsyeja përse duhet të shpërfillim floskulat bashkim-vëllazërore dhe të votojmë partitë shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button