Kombinim fatal

Gjendja aktuale shoqëroro-politike e shqiptarëve të Maqedonisë sipas shumë parametrave është e rëndë. Sa për të argumentuar këtë konstatim të hidhur mjafton të hidhet një shikim sipërfaqësor mbi disa të dhëna për nivelin e përfaqësimit politik të qytetarëve shqiptarë të këtushëm, temat e politikbërjes të atyre që pretendojnë përfaqësimin politik të tyrin si dhe nivelin e debatit që assesi nuk është proporcional me rëndësinë që kanë shqiptarët e këtushëm. 

Shembulli më ilustrativ për këtë gjë ndoshta është një dorëheqje e rëndomtë e një deputeti shqiptar i cili në zgjedhjet lokale kandidohet për kryetar të qytetit të Strugës. Në shoqëri dhe rrethana normale kjo gjë zor se edhe do përbënte lajm, por ja që në Maqedoni pati efekt dhe debat, shumë përtej një lajmi. Së pari ky deputet në vet partinë e vet, inicioi çështjen se kur do dorëhiqen dy ministra të cilët, poashtu, kanë kandiduar për kryetarë komunash por edhe vu në pozitë të rëndë konkurentin e tij lokal, i cili njashtu është deputet, nga radhët e një partie tjetër. Efekti dhe debati, me gjithë nivelin që e pati, më pas u katandis, si shumë herë më parë, në shkulje leshi dhe vezë të fërguara. Fjalë këto që janë të vështira për përkthyesit zyrtar të parlamentit por janë edhe fjalë që shtojnë ende më shumë ndjenjën e turpit të votuesve të këtyre të “zgjedhurve të popullit”.

Megjithëse nuk duhet shumë fjalë për të argumentuar konstatimin për vëllimin dhe cilësinë e politikës në Maqedoni duhet shumë fjalë për të analizuar kontekstin, shkaqet por edhe pasojat e kësaj gjendje. Besoj që në një shkrim të vetëm do mund të spikatim vetëm një arsye që solli deri në kësi hapësire, aq të vogël, të politikbërjes për shqiptarë të këtushëm. E ajo është përkujtimi se shteti është kushti rrethanor ku zhvillohet çdo aktivitet shoqëror. Kjo ende më shumë është rasti në Maqedoni ku shumëçka prej kulturës, arsimit dhe deri në bujqësi dhe ekonomi varet, në përqindje të madhe, nga shteti. Sidomos viteve të fundit kur me qeverinë udhëheq një parti si DPMNE-ja e Gruevskit, ku ajo ka shtuar etatizmin, sidomos në kulturë dhe bujqësi, sigurisht e udhëhequr edhe nga motive etnike për dominim politik ndaj shqiptarëve. Shqiptarët të cilët, si taksapagues dhe qytetarë i japin shtetit në proporcion me numrin që janë por nuk marrin as dhjetëfishin e asaj që kontribuojnë.

Kurse një prej definicioneve për shtetin ishte edhe ajo: “Shteti është diçka shumë e madhe për gjërat e vogla, por shumë i vogël për gjërat e mëdha”. Ashtu që me çfarëdo dominimi, qoftë edhe absolut, të shtetit nuk mund të rregullohen çështjet e mëdha si identiteti apo përkatësia por duke e përdorë shtetin dhe uzurpuar atë për vogëlsira si partia politike dhe përfitim personal, e gjithë padrejtësia kthehet bumerang. Dhe kjo që ndodh tani me katandisjen e shtetit ligjor në Maqedoni mendoj se është fillimi i kthimit bumerang të padrejtësisë.

Sidoqoftë, një nga arsyet kryesore që solli në ngushtimin politik, kësisoj, të shqiptarëve të këtushëm është fakti se pretenduesit për politikanë, ndër shqiptarë, e lanë bosh sheshin kryesor të politikës nacionale dhe temat kryesore shtetërore si politika e jashtme, buxheti shtetëror, integrimet euro-atlantike, çështjen e emrit dhe censusin e parealizuar të popullatës. Pra, në vite kur shteti rriste edhe më shumë prezencën e vet në shoqëri ata nuk merreshin me shtetin dhe sistemin por preferojnë dhe janë më të interesuar që të udhëheqin me qytetet dhe komunat.

Politikanët e shqiptarëve të këtushëm bënë dhe bëjnë të kundërtën e përdorimit të shtetit që bën DPMNE-ja. Ata janë një kombinim fatal: nuk përzihen në punët e mëdha por as që i rregullojnë ato të voglat. I vetmi përdorim i shtetit është përdorimi si arsyetim për mossuksesin e tyre. Ashtu që për punët e mëdha arsyetohen me vogëlsinë e tyre në raport me shtetin kurse për punët e vogla me madhësinë e shtetit.

Në këto zgjedhje lokale mund të ndodhë edhe praktikisht tërheqja për në qytete dhe komuna të dy anëtarëve të qeverisë; njëri prej tyre do shkojë të udhëheqë me Gostivarin. Pas përvojës së vet personale si ministër i pushtetit lokal, ku do e ketë kuptuar se çfarë ngecje dhe vështirësi ka decentralizimi, në kësi konstelacioni, kur nuk ke forcë politike qendrore që do shtyn përpara procesin dhe ndihmon komunat. Kurse tjetra, sigurisht, në pamundësi të ndikon në procesin e madh të euro-integrimeve pasi i njëjti u ndërlidh me çështjet e mëdha, e pa shqiptarë, të emrit të shtetit dhe politikës së jashtme. Do e kënaqin, e pamë! 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button