Diar Xani: Në mundem do i bashkoja trojet shqiptare

Diar Xani është një aktor dhe regjisor tejet i njohur nga Drenica. Dokumentari i tij i fundit me titullin “Gratë” mbrëmë kishte premierën në RTK. Për sfidat e jetës, periudhën e luftës dhe sukseset e tij lexoni në intervistën në vijim.


Intervistoi: Haxhere Zenuni

Fama juaj ka përfshirë një pjesë të madhe në Kosovë, duke i kaluar kufijtë e saj edhe drejt Maqedonisë dhe më gjerë. Për ata që nuk ju njohin dhe për ata që duan të dinë më shumë për ju, kush është Diar Xani, ku shtrohet veprimtaria e tij artistike? 

D.Xani: Kam lindur dhe jam rritur në Skenderaj të Drenicës, një nga vendet e ngjarjeve të mëdha historike, trevë e luftërave, fushëbetejë e përgjakshme, trevë e njohur në trojet Etnike shqiptare. Unë jam i diplomuar në fakultetin e arteve në degën Aktrim në Universitetin Shtetëror të Tetovës, te profesor Vebi Qerimi, si dhe po ashtu i diplomuar në fakultetin e artit Dramatik dega Regji në Universitetin e Prishtinës. 

Kam qenë në një teatër forum, më të njohurin në Gjermani në Berlin. Nga gjithsej 52 producentë, regjisorë, aktorë që kanë qenë pjesëmarrës nga vendet e ndryshme të botës, unë kam qenë i vetmi që kam marrë pjesë nga Ballkani (Kosova). Në 2011 kam qenë i ftuar si aktor mysafir në rezidencën artistike të teatrit Schlachthaus Theater Bern, për përgatitjen e shfaqjes  “Bluetsuuger” ku kam luajtur rolin kryesor, pastaj kam shumë prezantime në Gjerman dhe Zvicër. Në Kosovë jam fitues i disa çmimeve si regjisor. 

Si priteni nga publiku si një aktor-regjisor i ri në moshë dhe me profesion?
D.Xani: Në të gjitha shfaqjet që kam marrë pjesë, falë punës dhe përkushtimit të madh për një realizim sa më origjinal skenik, jam pritur jashtëzakonisht mirë dhe ndoshta vet duartrokitjet e tyre kanë qenë një pasqyrë e vërtetë e punës time si aktor por edhe si regjisor.

Cilat  janë shfaqjet më të suksesshme për të cilën vlerësimi i publikut e ka kaluar pritshmërinë tuaja? Si është kjo ndjenjë?
D.Xani: Si Aktor: shfaqja “Bluetsuuger”, ko-produksion i tri teatrove, Zvicër & Gjermani: “Schlachthaus” Theater – Bern, Theater “Rampe” – Stuttgart, Theater “Winkelwiese” – Zürich.
Ndërsa si regjisor, shfaqja të cilën kam diplomuar si regjisor  “ Këngëtarja tullace”  nga autori Eugene Ionesco, me të cilën më ka profilizuar si regjisor i diplomuar, si dhe më ka sjell shumë çmime. 

Me çfarë fjalësh do ta përshkruani daljen tuaj në ballinën e të përjavshmes të Cyrihut në Zvicër?
D.Xani: Gazeta javore zyrtare e qytetit të Cyrihut, e cila në ballinë kishte fotografinë time, figurën e rolit që e luaja në shfaqje duke e shoqëruar me titullin “Koka e javës”. Kjo gazetë shpërndahet në kutitë postare në të gjitha amvisëritë e Cyrihut. Për mua ishte privilegj dhe kënaqësi që isha figura më e veçantë e asaj jave në Zurich.


Çfarë privilegjesh përjetoni që jeni vazhdimisht në bashkëpunim me aktor dhe regjisor gjermanë dhe të huaj?
D.Xani: Është kënaqësi, por edhe përgjegjësi, të punosh dhe të kesh bashkëpunime me një ekip siç janë ata te cilët kam pas rastin të punoj atje. Megjithëkëtë ajo çfarë peshon më shumë është te puna që unë kam bërë. Çdo aktor, çdo regjisor, çfarëdo fame të ketë, është fascinuese për të, ashtu edhe për mua që me këto bashkëpunime që kam pasur, më kanë mësuar qasjen, ritmin e punës, orarin, të riparoj gabimet, si dhe shumë virtyte të tjera që mund të them se kanë qenë në favorin timin, gjë që mua më ka forcuar në aspektin profesional të të interpretuarit e të menduarit si aktor. Për mua këto bashkëpunime janë shumë të veçanta dhe kanë një peshë të madhe mbase edhe nga fakti që vazhdimisht punonim nëpër teatrot më të njohura në Zvicër dhe Gjermani.

Çfarë do thoni për Kosovën?
D.Xani:  Unë edhe pse bëj udhëtime te shpeshta, natyrisht se jam i lidhur emocionalisht me vendlindjen, pasi që familjen e ngushtë e kam në Kosovë dhe për mua është vendi më i vlerësuar dhe më i çmuar. Kosova ka gjithë ato gjëra për t’i shprehur, gjithë ato histori për t’i rrëfyer prandaj krejt natyrshëm dhe arsyeshëm është që unë ndjehem shumë krenar që vendlindja ime është Kosova.

Çfarë kujtimesh ju lidhin me Tetovën meqë studimet i keni kryer pikërisht në këtë qytet?
D.Xani:   Shumë herë e kujtoj qytetin e Tetovës dhe Shkupin, ku studiova dhe për një kohë të shkurtër edhe punoja. Më bie shumë rrallë të vij në Tetovë, por sa herë që vij ndiej një nostalgji për këtë vend, mendoj se si çdo student që ka një ndjenjë të veçantë po për atë qytet ku ai ka kryer studimet. Mandej aktrimi më lidh shumë me skenat dhe me teatrot e Maqedonisë,  konkretisht të Tetovës dhe Shkupit. Unë kam diplomuar në Teatrin Kombëtar Shqiptar në Shkup, mandej po në skenën gjigante të teatrit të Tetovës kam luajtur pothuajse gati të gjitha rolet e studimeve duke e veçuar dhe kujtuar, vitin e parë të studimeve ku si student për herë të parë dola para publikut në Tetovë.  

Kohë pas kohe ju keni shkruar për gazetën “Lajm” në Maqedoni. Ku e shihni veten në gazetari?
D.Xani:  Asnjëherë s’kam menduar që do të punoja ndonjëherë në gazetari. Në momentin kur po e përgatitja shfaqjen e diplomës për aktor në Shkup, pashë një konkurs që kërkonin gazetar në gazetën “Lajm”, botimi për Maqedoni, konkurova dhe fillova të punoja. Sikur të mos mbyllej kjo, unë ndoshta ende do ta kisha vazhduar gazetarinë sepse fillova të ndjehem mirë dhe më pëlqente të shkruaja për sektorin e kulturës.

Mes disa çmimeve që keni marrë brenda dhe jashtë Kosovës, më e fundit dhe si më e rëndësishmja cilësohet çmimi që morët në Festivalin e Teatrit Kombëtar në Ferizaj 2012 . Çfarë do na thoni për këtë?
D.Xani:  Vërtet nuk e prisja, sa që edhe në mbrëmjen finale nuk dëshiroja të shkoja fare,  por mbase shkova edhe u befasova edhe vetë, kur 5 çmimet kryesore i rrëmbeva unë me shfaqjen time “Këngëtarja Tullace”. Tani ndjej edhe më shumë dëshirë që të krijoj dhe realizoj sa më shumë, prandaj mundohem që të kapem pas veçantive që kam. Arti tani më është pjesë e jetës sime. Më pëlqen dhe prandaj mendoj se për çdo ditë e njohë mirë e më mirë artin skenik.

Sikur ta kishit pushtetin politik, çfarë do të ndryshonit së pari?
D.Xani:  Përveç se ka shumë për të ndryshuar, por… Do t’i bashkoja të gjitha trojet shqiptare… 

Cilin e vlerësoni si intelektuali më i madh i Kosovës?
D.Xani:  Kosova ka intelektualë të shquar si në fushën e artit, kulturës, shkencës e në fusha të tjera, veprimtaria e të cilëve na shërben si frymëzim  e motivim për një arritje sa më dinjitoze në rrugët që kemi nisur. Sipas veprimtarisë së mëhershme dhe biografisë së saj, mendoj dhe besoj në intelektualitetin e saj, Dr. Edita Tahiri.

Aktori/Aktorja më e madhe shqiptare?
D.Xani:   Fatmirësisht janë shumë. Skena dhe kinematografia shqiptare është e pasur me shumë aktorë të denjë, të cilët në jetën e tyre artistike kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.

Cilin shkrimtar shqiptar e pëlqeni më shumë, po nga të huajt?
D.Xani:  Ismail Kadaren, kurse nga të huajt, F.M Dostojevski.

Libri që po lexoni aktualisht?
D.Xani:  “Arti për të fituar miq dhe pushtet”, nga Dale Carnegie.

Po te jepet mundësia të jetosh në ndonjë shtete  jashtë vendit, cilin do ta zgjidhnit?
D.Xani:  Më pëlqen Berlini (në Gjermani)…

Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më shumë?
D.Xani:   Me qenë se më kushtëzoni vetëm nga Perëndimi atëherë, Franca. 

Cili është mesazhi juaj për të gjithë ato që e pëlqejnë aktrimin/regjinë dhe duan të ndjekin rrugën tuaj?
D.Xani:  Të jenë vetvetja, të luftojnë për ëndrrat e tyre sepse gjithçka është e mundur në këtë jetë.  Natyrisht se nuk është e lehtë por me punë, vullnet , dëshirë, dhe me mund, arritja profesionale do të vie shumë shpejt. Unë natyrisht se tani jam në fillim të karrierës time dhe mundohem të punoj pandalur për të ecur më tutje në fushën e bukur të artit, sepse vërtet ndihem mirë kur gjendem në botën krijuese. Po ashtu  porosia ime për të gjithë ata që duan botën e artit, skenës, filmit është se puna pa nda, ngrit madhështinë.

Planet e juaja profesionale në të ardhmen?
D.Xani:  Zakonisht planet e mia për të ardhmen, i ruaj si private deri sa të realizohen, sepse tek ne fillojnë dhe ka mundësi që nuk mbarojnë. Vetëm një gjë do ta them që tani. Këtë javë e mbaroj një film dokumentar në të cilin jam producent dhe autor. Quhet “Roli i Gruas”, i financuar nga zyra e kryeministrit gjegjësisht nga Agjencia për Barazi Gjinore. 

Video nga dokumentari “Gratë”

Lajme të ngjashme

Back to top button