U premtua 8 vite, ndërkaq 13 ditë para zgjedhjeve filluan punimet për shkollën në Reçicë të Vogël

Pasi u premtua në çdo cikël zgjedhor për tetë vite radhazi, punimet për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël kanë filluar sot. Bazuar në kontratën e nënshkruar për këtë të fundit, punimet duhet të përfundojnë pas 11 muajsh, respektivisht në maj të vitit 2021, shkruan Portalb.mk.

Përmes një statusi në rrjetin social “fejsbuk”, kryetarja e Komunës së Tetovës ka informuar se punimet për shkollën fillore në Reçicë të Vogël kanë filluar.

“Atë që e premtojmë edhe e bëjmë. Filluan punimet për ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël” shkruan Arifi në fejsbuk.

Megjithatë, kujtojmë se vetëm para disa muajsh në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës na thanë se kjo shkollë nuk është në kompetencë të tyre sepse ata as nuk e financojnë e as nuk e ndërtojnë. Kjo përgjigje e tyre nuk i ka penguar ata që të promovojnë fillimin e punimeve.

Bazuar në kontratën e cila është e publikuar në sistemin për prokurim publik, nga data e fillimit të punimeve, që është sot, realizuesi i punimeve duhet të i përfundoje të njëjtat në afat prej 11 muajsh në të kundërtën do të pasojnë dënime.

Kjo shkollë është “peng” i premtimeve parazgjedhore

  • 2013- Zgjedhjet lokale

Programi i vitit 2013 kandidates të atëhershme për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, parashihte ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël.

Kjo nuk ndodhi.

  • 2017- Zgjedhjet lokale

Meqenëse shkolla e premtuar në vitin 2013 nuk u realizua, kryetarja Arifi të njëjtin premtim e dha edhe gjatë fushatës për zgjedhje lokale të vitit 2017 në debatin “Debat për nime” të organizuar nga Portalb.mk.

Gazetarja Jeta Xharra: Sa herë e keni premtuar ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël?

Teuta Arifi: E kam premtuar një here, aq premton njeriu, jo më shumë.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni përsëri?

Teuta Arifi: Absolutisht po.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni për ta kry shkollën apo për lejet?

Teuta Arifi: Premtoj se do të kryhet, për shkak se buxhetimi nuk do të vije nga Komuna e Tetovës.

  • 2020- (Janar) menjëherë pasi u caktuan zgjedhjet e prillit.

Edhe pse kaluan 3 vite dhe aspak nuk u përmend ndërtimi i kësaj shkolle, disa ditë pasi u sigurua se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin prill, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi kontratën për ndërtimin e shkollës.

Sipas asaj kontrate, shkolla parashihej të hapej në shtator të vitit 2021. Megjithatë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, për pesë muaj rresht as një fjalë nuk është thënë për ndërtimin e kësaj shkolle.

2020- (Maj) disa ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e qershorit

Menjëherë pasi Portalb.mk informoi se punët për shkollën fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kishin filluar, ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” njoftoi se ka nënshkruar vendimin për zjedhjen e kompanisë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”.

“Sot me kënaqësinë më të madhe e nënshkruajta Vendimin për zgjedhjen e Operatorit ekonomik (Kompanisë) me ofertën më të lirë për ndërtimin e objektit të ri shkollorë për nxënësit e SHFK “Naim Frashëri”, të Reçicës Vogël, komuna e Tetovës. Punimet fillojnë së shpejti!” shkruan ministri në Fejsbuk.

Informojmë se edhe sot kur arritën mjetet punuese të para në vendin ku pritet të ndërtohet kjo shkollë, jemi në kohë fushate parazgjedhore,  edhe atë vetëm 13 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndryshe, Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button