Faqja 62

Në euforinë e fushatës së zgjedhjeve parlamentare 2020 dëgjohen kryesisht akuza të ndërsjella për atë se kush është tradhtar e kush patriot, kush kujt ia shiti shtetin dhe interesat etnike, kush u korruptua e kush jo. Ato që nuk debatohet gjatë fushatës janë detajet e programeve politike, të cilat janë shkruar me ngjyrë të zezë mbi letër të bardhë dhe i janë ofruar qytetarit si ofertë për kontratën shoqërore, atë kontratë që sipas Rusosë, qytetarët si sovranë të shtetit e lidhin me kandidatët për pushtet, të cilëve me votën e tyre ua japin besimin që ta udhëheqin shtetit dhe t’i mbrojnë të drejtat natyrore të qytetarëve. Kjo pra është esenca e çdo sistemi demokratik. Qytetari si bartës i sovranitetit e delegon këtë sovraniteti te pushtetmbajtësit dhe në këmbim këta të fundit duhet të garantojnë mirëqenien njerëzore dhe të drejtat fundamentale të njeriut.

Është mirë që qytetarët të shfletojnë me shumë kujdes programet parazgjedhore të partive politike. Ka shumë mundësi që të habiten nga kreativiteti i tyre, nga zgjedhjet që i ofrojnë për problemet e përditshme, ose të mahniten nga njohuritë e thella politike dhe diplomatike të partive konkurrente për përfaqësim në parlament. Dallimi i pikëpamjeve politike në majtiste dhe djathtiste e ka humbur moti kuptimin në këtë shtet, ku shpesh ndodh që parti me programe krejtësisht të kundërta politike të formojnë së bashku qeveri të cilat nuk mund të thuhet se janë as të majta as në të djathta e as në qendër.

Por është posaçërisht interesante kur një parti që quhet “E majta” paraqitet me vizione konservative, nacionaliste dhe tërësisht diskriminuese të cilat shumë më tepër do të mund të identifikoheshin me të djathtën ekstreme. Kështu, po qe se e lexoni me vëmendje programit zgjedhor të “Së majtës” do të vëreni në faqen 10 që ata do të angazhohen për anulimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik konsocial dhe kthimin e sistemit të shumicës (e mbani mend, sistemi i shumicës ishte ai ku shqiptarët në këtë shtet nuk kishin votim me Badenter dhe as mundësi për përfaqësim proporcional në institucionet shtetërore). Përveç kësaj “E majta” do të angazhohet edhe për anulimin e Marrëveshjes së Prespës, anulimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa në faqen 31 të programit shkruan që kjo parti do të angazhohet për tërheqjen e njohjes së Kosovës! Epo kështu ndodh kur e majta kalon në të djathtën ekstreme. Por ajo që më habit më shumë, është se ka shqiptarë që janë anëtarë të kësaj partie dhe i qëndrojnë pas këtij programi zgjedhor skandaloz.

Mbetet të shihet sa qytetarë do të jetë në gjendje të mobilizojë “E majta” e djathtë. Por ajo që është ende më interesante, është të lexohet programi parazgjedhor i VMRO-DPMNE-së. Në këtë program, nga faqja 62 deri në faqen 64 kjo parti elaboron se si do të bëjë rilindjen e sistemit juridiko-kushtetues dhe politik të Maqedonisë. Në këtë pjesë të programit VMRO-DPMNE thotë që do të angazhohet për ndryshime kushtetuese, ose për sjelljen e një kushtetute krejtësisht të re në bazë të propozimeve të një grupi ekspertësh të cilët duhet të gjejnë zgjidhje kushtetuese të bazuara në dy konstanta: ruajtja e karakterit unitar të shtetit dhe rregullimi i raporteve ndëretnike sipas principit të kombit të vetëm maqedonas sipas shembullit të Francës Spanjës, SHBA, Greqisë, etj) . Karakteri unitar i shtetit nuk është problematik dhe i njëjti është i përcaktuar si koncept bazik edhe i Marrëveshjes së Ohrit. Por kjo “konstanta” e dytë e programit politik të njërës ndër partitë kyçe në shtet duhet të jetë objekt i një analize të veçantë.

Pra VMRO-DPMNE angazhohet për krijimin e shtetit-komb, ku të gjithë do të identifikohemi si kombi i vetëm maqedonas. Gjatë zhvillimit të kësaj teorie ku si shembull merret Franca ose Greqia (SHBA nuk është shembull i mirë sepse nuk e përmbush “konstantën” e parë, pra kërkesën për shtet unitar), duhet pasur parasysh se në Francë ose Greqi nuk njihet koncepti komunitet, etnitet, nacionalitet, ose pakicë. Pra Në Francë ose Greqi nuk ka qytetarë tjerë në shtet përveç francezëve ose grekëve. Gjatë marrjes së nënshtetësisë greke, personi duhet ta ndryshojë edhe emrin dhe të marrë një emër grek dhe ortodoks. Një tendencë e tillë ka qenë e njohur edhe në këtë shtet, ku shumë qytetarë në të kaluarën është dashur të shtojnë një “-ski” në mbiemrin e tyre. Por tani, në vitin 2020, dy dekada pas konfliktit të armatosur dhe pas Marrëveshjes së Ohrit e cila garanton demokracinë konsensuale, të angazhohesh seriozisht si parti kyçe politike për kthim të sistemit politik në shekullin XVIII është jo vetëm retrograde por skajshmërish tendencioze, diskriminuese dhe shovene.

Koncepti shtet-komb në Maqedoninë e Veriut nuk ka funksionuar asnjëherë dhe nuk mund të funksionojë as në të ardhmen. Bazat e konceptit shtet-komb janë disa karakteristika të cilat në këtë shtet nuk janë të aplikueshme.
Ato karakteristika janë:
1) Popullata etnikisht homogjene (shtetet-kombe në kohën kur janë formuar kanë pasur popullatë gati etnikisht të pastër, me mbi 90% pjesëtarë të së njëjtë etni, për shembull Franca e shekujve XVIII-XIX). Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk ka pasur popullatë etnikisht homogjene, sepse një pjesë e mirë e qytetarëve të cilët kanë jetuar këtu gjatë gjithë historisë, janë pjesëtarë të grupeve të ndryshme etnike.
2) Gjuha e përbashkët (shtetet-kombe kanë një gjuhë zyrtare të cilën e flet ajo popullatë etnikisht homogjene mbi 90%). Në Maqedoninë e Veriut nuk ka një gjuhë zyrtare por ka dy gjuhë zyrtare në nivel të institucioneve qendrore dhe më tepër gjuhë zyrtare në nivele lokale.
3) Historia e përbashkët (shtetet-kombe kanë narrativ të përbashkët historik që konsiderohet si element integrues i popullatës, narrativ me të cilin identifikohet pikërisht ajo 90% e popullatës që e flet gjuhën e njëjtë bile ka edhe traditë kulturore dhe folklorike të njëjtë). Në Maqedoninë e Veriut nuk ka një narrativ të përbashkët historik, nuk ka as trashëgimi të përbashkët kulturore dhe folklorike, por ka një diversitet kulturor nevojat e të cilit koncepti i shtetit-komb nuk mund t’i përmbushë.

Në shtetet si Maqedonia e Veriut koncepti i shtetit-komb është i parealizueshëm. Ky koncept është vetëm ëndërr e shovinistëve që pretendojnë se maqedonasit janë të zotët e këtij vendi ndërsa shqiptarët dhe të tjerët janë mysafirë e qiraxhinj. Ky raport i pronarit dhe qiraxhiut është qartazi i dukshëm në programet politike të partive si VMRO-DPMNE dhe “E majta” të cilët haptazi këto qëndrime i kanë shënuar në programet e tyre zgjedhore dhe ia kanë ofruar mes tjerash edhe votuesve shqiptarë.

Koncepti shtet-komb është i kundërt me konceptin e shoqërisë së përbashkët dhe interkulturalizmit. Qeveria në vitin 2019 solli Strategjinë për një shoqëri dhe interkulturalizëm ku qartazi e shpjegon konceptin e interkulturalizmit i cili shkon përtej konceptit të multikulturalizmit dhe e kundërshton segregacionin përmes dialogut interkulturor dhe përkrahjes së ndërsjellë mes etiniteteve. Ky koncept është tërësisht i kundërt me këtë konceptin hegjemonik të shtetit komb me kombin e vetëm maqedonas. Partitë shqiptare në atë kohë nuk e përkrahën atë strategji sepse iu dukej jo sa duhet konsensuale. Më intereson tani, cila parti shqiptare, që nuk ka besuar në interkulturalizmin e Strategjisë së vitit 2019 do të jetë në gjendje të koalicionojë më VMRO-DPMNEnë e cila në programin e vet zgjedhor e sheh Maqedoninë e Veriut si shtet-komb ku ka një komb të vetëm maqedonas me të cilin duhet të identifikohen të gjithë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button