fbpx

Radio MOF publikoi një “podcast” për pandeminë e dezinformatave në internet

Burimi: KriThink

Ashtu siç ekziston virusi, ekzistojnë edhe super përhapës të virusit. Por, këtu nuk bëhet fjalë direkt për koronavirusin e ri, por për dezinformatat që dalin nga shfaqja e tij. Zakonisht ato vijnë nga përdoruesit me një numër të madh ndjekësish të cilët, me vetëdije ose pa të, shpërndajnë dezinformata dhe e përhapin “virusin përreth”.

Në temën se si qytetarët mund të ndërtojnë imunitet kundër dezinformatave në internet dhe a ekziston ilaç për këtë, Radio MOF foli me studenten e gazetarisë Aleksandra SubashiqFilip Stojanovskin nga Fondacioni Metamorfozis dhe Sllobodan Jaqoskin nga “Wikipedia në gjuhën maqedonase”.

Në intervistë, studentja Subashiq vuri në dukje se plan-programi i Fakultetit të Gazetarisë nuk përmban mjaft shembuj praktikë nga të cilët studentët mund të mësojnë.

Nuk ka asnjë lëndë që na edukon në mënyrë të mirëfilltë se si t’i njohim lajmet e rreme, tha ajo.

Jaqoski theksoi se verifikimi i materialeve të publikuara është pjesë e kulturës së “Wikipedia”, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për komunitetin, sepse aplikimi i parimeve shkencore varet edhe nga besueshmëria e gjithë enciklopedisë. Ai gjithashtu e theksoi nevojën për të biseduar me njerëzit që përhapin informata të rreme në mediat sociale, madje edhe kur nuk ka shpresë për t’i bindur, sepse dialogët e tillë janë një formë edukimi për përdoruesit e tjerë.

Ne kemi një përgjegjësi të kultivojmë një kulturë të vërtetësisë, thotë Jaqoski.

Stojanovski ndau disa nga përvojat e projektit “Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike”, të cilat tregojnë se dezinformatat shkaktojnë jo vetëm dëme politike, por edhe komerciale. Ndër të tjera, ai paralajmëroi për tendencat e identifikuara nga KriThink për mashtruesit me kriptovalutat të cilat ndërlidhen me propagandën kundër Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj.

Dezinformatat nuk janë vetëm politike, nuk janë vetëm pjesë e përhapjes së histerisë për të treguar se institucionet janë jofunksionale, por shpesh dezinformatat e tilla si për 5G dhe të ngjashme shkojnë krah për krah me dezinformatat fitimprurëse: për shitjen e ilaçeve, për shëruesit popullorë, për shërues të ndryshëm kuazi-shkencorë, etj., të cilët i ofrojnë shërbimet e tyrem, e që në thelb janë mashtrim (scam), dhe janë pjesë e këtij ekosistemi të tërë të dezinformimit, shpjegoi udhëheqësi i projektit “KriThink”, të cilin e zbaton Fondacioni “Metamorfozis” në bashkëpunim me “Eurothink” dhe mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

“Podcast”-i është publikuar në platformën Mixcloud më 29 qershor 2020, dhe është pjesë e një serie përmbajtjesh që lidhen me alfabetizmin mediatik #TëKlikohetOseJo të zhvilluara në kuadër të Projektit për shprehje të të rinjve, të cilin e implementon Forumi Arsimor  Rinor – FAR (MOF), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button