BE ndihmoi Kosovën me donacion në vlerë 800 mijë euro në përballjen me COVID-19

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka bërë pranim-dorëzimin e pajisjeve dhe mjeteve për sistemin shëndetësor kosovar në përballimin e situatës me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e pranim-dorëzimit ku morën pjesë ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj si dhe udhëheqës të institucioneve të shëndetësisë në vend, u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Ndihma e BE-së për Kosovën përfshinë 6 mijë komplete testimi për diagnostikimin e COVID-19, 90 shtretër spitali, mbi 67 mijë maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor.
Gjithashtu kjo dërgesë, përfshinë 350 oksimetra pulsi në gisht dhe 5 defibrilatorë me pacemaker dhe karrocë.
Udhëheqësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova tha se është krenare që ndihmat e para për menaxhimin e pandemisë në Kosovë erdhën nga BE-ja, duke shtuar se “aktualisht, ju jeni fqinj i yni por jeni edhe anëtar i ardhshëm i yni, për këtë ne u ndihmojmë”.

Apostolova thirri qytetarët e Kosovës të kenë kujdes më të shtuar në zbatimin e masave për parandalimin e këtij virusi, ngase siç tha ajo, nga përvoja ka parë që një gjë e tillë nuk po gjenë zbatim.
“Shumica nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e mëdha që mund të kemi, jo për ne, por për njerëzit që janë më në moshë që kanë sëmundje kronike. Po e përdor këtë vend t’ju kërkoj ju media që të na ndihmoni që ky mesazh të shkojë nëpër gjithë Kosovën”, tha Apostolova duke shtuar se:

“Është shumë e rëndësishme sepse ne e dimë që sistemi shëndetësor i juaji nuk është gati t’i marrë sfidat e ardhshme me pandeminë. Ne mund t’ju ndihmojmë juve, t’ju japim pajisje por në fund të ditës, njerëzit, doktorët dhe vendet e akomodimit mund të arrijnë në një nivel që s’do të dëshironim ta shihnim. Mesazhi im është: na ndihmoni që t’ju ndihmojmë”.

Ministri i Shëndetësisë, Zemaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë të ketë donacione të tilla në vazhdimësi, duke bërë që ta tejkalojmë virusin me zbatimin e rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore.
“Ministria e Shëndetësisë është duke i koordinuar aktivitetet me donatorë. Jemi shumë të interesuar dhe të angazhuar që shpërndarja të jetë shumë efikase dhe të mbërrijmë në destinim ku ne më së shumti kemi nevojë. Ky donacion nuk është i vetmi as i fundit nga BE-ja. Është një ndër pjesët e kontigjentit të cilat kanë arritur më parë dhe na kanë ndihmuar shumë në menaxhimin e pandemisë dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, tha Zemaj.

Vlera totale e këtij donacioni është rreth 800 mijë euro dhe është pjesë e ndihmës prej më shumë se 60 milionë euro nga BE-ja për Kosovën për përballimin e COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button