Aktakuza ndaj Thaçit s’e ndal dialogun, Brukseli paralajmëroi takim në korrik

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndalet me gjithë rrethanat e krijuara pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi, i cili kishte marrë rolin prijës në këtë proces.

Derisa zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se në korrik planifikojnë t’i thërrasin palët në takim, Shtetet e Bashkuara nuk kanë caktuar ndonjë datë, megjithëse nuk do t’i ndalin përpjekjet.

Zëdhënësi për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë KOHËS se presin që dialogu të rifillojë këtë muaj, derisa data e saktë do të komunikohet në kohën e duhur.

Sa i përket përfaqësimit në dialog, Stano shton se janë autoritetet e Kosovës ato që duhet të vendosin se si interesat e tyre prezantohen më së miri.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje edhe pa Hashim Thaçin nuk do t’i ndalë as administrata e Shteteve të Bashkuara.

Një burim i KOHËS ka thënë se emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, së shpejti do ta caktojë datën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, pas dështimit të atij më 27 qershor. Për amerikanët nuk paraqet problem ndryshimi i negociatorëve dhe mungesa e Thaçit.

“I takon popullit të Kosovës t’i caktojë liderët që duhet të marrin pjesë në dialog. Emisari Grenell do të tentojë t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje”, ka thënë ky burim.

Në zyrën e Richard Grenellit kanë deklaruar se aktualisht nuk kanë një datë për takimin mes palëve.

Se dialogu nuk ka alternativë dhe do të rinisë së shpejti e ka thënë edhe kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e Qeverisë. Ai ka përsëritur se ky proces do të udhëhiqet prej tij.

Në funksion të kësaj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e këshillit të ekspertëve për dialog me Serbinë, i cili do të veprojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Partia më e madhe opozitare nuk do të jetë pjesë e dialogut të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, thotë se qeveria Hoti nuk e ka legjitimitetin për ta udhëhequr këtë proces, veçmas pas krijimit të rrethanave të reja.

Ndërkaq në Partinë Demokratike nuk kanë treguar nëse do të bëhen pjesë e dialogut dhe eventualisht edhe e qeverisë së udhëhequr nga Hoti.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se dialogu duhet të vazhdojë me gjithë paqartësitë që kanë ekzistuar edhe para zhvillimeve të fundit rreth Speciales.

Derisa BE-ja synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se fokus kryesor e kanë marrëveshjen për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button