Shqipëria teston vetëm personat me simptoma dhe kontaktet e të infektuarve me Covid – 19

Qeveria e Shqipërisë, në fillim të pandemisë, ka kufizuar testimin për ata persona që kishin kontakte me një person të infektuar, njerëz të sëmurë kronikë dhe njerëz mbi moshën 65 vjeç, të cilët konsiderohen kategoria më e prekshme. Qeveria nga ana e saj ka mbajtur qëndrimin se ajo po zbaton protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke testuar vetëm personat me simptoma dhe kontaktet e të infektuarve.

Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shqipërisë, pas akuzave e kritikave të shumta në opinion që kishin të bëjnë me strategjinë e testimit, ka dalë me një deklaratë për mediat ku ka sqaruar edhe procedurat e testimit.

Korona virusi, teste
Korona virusi,
Photo: Pexels

Sipas Komiteti Teknik të Ekspertëve, testimet për Covid 19 bazohen në ekspertizë, në karakteristikat e modelit të përzgjedhur sipas rekomandimeve të OBSh për qëllimin, zbulimin e rasteve, ndjekjen dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Ndër të tjera ata sqarojnë se debati mbi testet për Covid 19, mbi sasinë e testeve që kryhen, mbi rezultatet e një modeli apo një modeli tjetër, është një debat i cili vazhdon të zhvillohet në mbarë botën dhe ka opinione e qasje nga më të ndryshmet.

“Përgjegjësia e Komitetit Teknik të Ekspertëve  është që të zbatojë një strategji të mirëpërcaktuar, e cila synon të identifikojë rastet, të ndjekë dhe të ndërpresë zinxhitin e transmetimit të infeksionit. Një strategji që, duke u nisur nga konstatimet dhe rezultatet e derisotme, nuk gjejmë asnjë arsye për ta rikonsideruar. Detyra funksionale e Komitetit Teknik të Ekspertëve është që të udhëzojë dhe të kërkojë mbështetje të vazhdueshme nga autoritetet, me qëllim zbatimin rigoroz të një strategjie të përcaktuar qartë, të luftës kundër Covid19 në tërësinë e saj. Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerëson se masat e marra nga autoritetet shqiptare, kanë qenë tejet të dobishme dhe kanë patur efekte pozitive, të cilat duhet bërë kujdes maksimal, që të mos zhbëhen prej lehtësimeve që mund të rezultojnë të parakohshme”, kanë thënë mes tjerash nga ky komitet.

Ndërkohë, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli deklaroi më 14 prill se testimet u bëhen vetëm personave që kanë simptoma të virusit, dhe jo personave që mund të jenë mbartës, por që janë asimptomatikë.

Mira Rakacolli

“Numri i testimeve ka të bëjë me fazën që është një sëmundje. Tashmë jemi në një fazë pandemi. Përhapja e madhe e bën të pamundur që të kontrollohet, pasi në shumicën e rasteve është asimptomatike. Një person që është asimptomatik është më i rrezikshëm sepse mund ta përhapë sëmundjen. Kjo e bën të pamundur që nëse nuk ke shenja dhe testohesh sot dhe je negativ, kjo nuk do të thotë se nesër nuk do të jesh pozitiv. Prandaj strategjia ka qenë në përputhje me këshillat e OBSH-së, që duhen testuar rastet e dyshuara. Më pas testohen kontaktet e personit të infektuar”, ka deklaruar Rakacolli.

OBSh vlerëson se çdo vend duhet të vlerësojë vetë rrezikun që i drejtohet dhe duhet të zbatojë me shpejtësi masat në shkallën e përshtatshme për të ulur transmetimin e COVID-19 dhe ndikimin ekonomik, publik dhe shoqëror.

Niveli i tretë i epidemisë është ai ku në një vend ka grupime të sëmurësh të krijuara përmes trasmetimit brenda vendit të sëmundjes por kur shumica e këtyre grupeve janë të gjurmuara në gjithë zinxhirin e transmetimit.

Në rastet siç është ai i Shqipërisë, ku ka grupime të sëmurësh të krijuara përmes trasmetimit brenda vendit të sëmundjes por kur shumica e këtyre grupeve janë të gjurmuara në gjithë zinxhirin e transmetimit, që konsiderohet si niveli i tretë i epidemisë, strategjia që sugjeron OBSH-ja është ajo e testim-gjurmim-trajtim: testimit të personave më simptoma, gjurmimit të kontakteve të personit të infektuar dhe izolimit dhe trajtimit të rasteve të infektuara.

Testimi

OSHB-ja sugjeron të testohet çdo person që plotëson kriterin për të qenë i dyshuar: çdo person që ka simptoma të Covid-19, çdo kontakt i një personi të infektuar, çdo person që vjen nga një zonë e prekur nga koronavirusi.

Korona virusNë rast se ka shumë raste dhe pak kapacitete laboratorike, mund të vendoset prioritet për testimin. Prioriteti i parë është testimi i të gjithë personave me simptoma, ndërsa të tjerët që nuk kanë simptoma mund të karantinohen për 14 ditë.

‘Deep Knowledge Grup’ ka realizuar një studim rreth çdo shteti dhe rajoni në lidhje me performancën e përballjes ndaj COVID-19.

Indrit Seferi, specialist i Shëndetit publik nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike shpjegoi për Euronews Albania të dhënat e përpunuara për të kuptuar edhe trendin e Shqipërisë.

”Shqipëria ndodhet ne pozicionin e 88 në këtë rankim, por krahasimi varet se me cilat vende bëhet.  Nëse do të krahasohemi me rajonin, Shqipëria ndodhet e parafundit. Në vendin e parë në rajon ndodhet Sllovenia dhe në të fundit Maqedonia e Veriut. Pra, ka vend për të bërë përmirësime për t’u krahasuar me rajonin. Nëse marrim krahasimin për eficencën e karantinës, Shqipëria është e 7-ta në Ballkan, pra kemi indikatorin më të mirë në krahasim me indikatorët e tjerë”, shpjegoi specialisti i ISHP.

Ndërkohë, sipas shifrave të fundit të worldometro.info, numri i të infektuarëve në Shqipëri është 897 në 1 mln banorë ndërsa numri i të vdekurve është 23 në 1 mln banorë

Shqiperi shifrat

Shqipëri që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 27.303 testime dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Që nga fillimi i pandemisë numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri është rritur në 2.580 dhe numri i të vdekurve gjithsej në 65,ndërsa numri i të shëruar është 1.516 numrin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht janë 999 persona aktivë me COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button