PËRSHPIRTJE PËR SILKEN

Silke Blumbach, ishte mike e mirë dhe e veçantë.

Ajo ishte Njeri shumë i dashur, që nuk dinte të urrente.

Ajo ishte poete dhe përkthyese e shkëlqyer.

Ajo rrezatoi dashuri mahnitëse për njerëzit, kombet, kulturat, religjionet dhe gjuhët e ndryshme.

Personalitetet si Silke, nëse i referohemi një poeti, nuk shuhen, por vetëm e ndryshojnë adresën.

Adresa e re e Silkes tani është eterike, qiellore, është adresë prej ëndrre.

Atdheu i ri i saj tani e tutje është qielli.

Silke i deshi shqiptarët, por edhe shqiptarët e deshën, vazhdojnë ta duan dhe besoj se do ta duan e do ta nderojnë përherë.

Sikur ta donim veten aq sa na deshi ajo, atëherë do të ishim shumë më të mirë dhe shumë më të fisëm.

Silke Blumbach, nga pikëpamja kulturore, është edhe shqiptare, pavarësisht se ka lindur si gjermane. Shqiptare edhe bëhesh. Kombet, sipas Mitrush Kutelit, janë “më fort unitete gjuhësore edhe kulturale se sa unitete raciale”.

Silke ishte një shqiptare ashtu si duhet të jenë shqiptarët: të ditur, të sinqertë, miqësor, që e duan njëri – tjetrin, që i respektonte vlerat e veta dhe vlerat që janë krijuar dhe krijohen në sistemet tjera kulturore.

Silke ishte edhe një evropiane e mirë.

Ajo e respektonte shumëllojshmërinë kulturore, etnike, religjioze, gjuhësore. Pa asnjë paragjykim. Pa asnjë mendjemadhësi.

Shqiptarët duhet ta duan vendin, kulturën dhe gjuhën e tyre, ashtu siç i deshi ajo.

Shqiptarët duhet t’i respektojnë vlerat e tyre, ashtu sikurse i respektoi ajo.

Duhet t’i vlerësojnë bukuritë e vendit të tyre, ashtu sikurse i vlerësoi ajo.

Duhet t’i çmojnë vlerat e sistemeve tjera kulturore, ashtu sikurse i çmonte Silke, e cila, me përkthimet e saj, e pasuroi sistemin tonë kulturor. Përkthyesit janë pasuruesit më të mëdhenj të një kulture. Ata janë margaritarët e një kombi dhe të një kulture.

Silke i adhuroi shqiptarët, sepse na e njihte historinë dhe kulturën, përkundër shumë shqiptarëve që e përçojnë historinë dhe kulturën e tyre, sepse nuk e njohin.

Ajo u ndje krenare me identitetin e ri të saj, përkundër shumë shqiptarëve që ndjehen të fyer dhe të nënçmuar për shkak të këtij identiteti.

Silke na fali ngrohtësinë, dashurinë dhe miqësinë e saj; na fali vargjet dhe përkthimet e saj.

Për punën e përkushtuar meriton që ndonjë rrugë apo institucion ta mbajë emrin e saj në qytetet e saj, në Tetovë e gjetkë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button