Kufijt e Bashkimit Evropian mbeten të mbyllura për banorët e Maqedonisë së Veriut

U miratua vendimi i Këshillit të BE-së për hyrjen e qytetarëve nga vendet e treta në territorin e Unionit nga 1 korriku , Maqedonia e Veriut nuk i plotëson kriteret epidemiologjike, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Edhe krahas rekomandimeve të Komisionit Evropian për t’i dhënë dritë të gjelbër të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për hyrje në BE më 1 korrik, vendet anëtare ranë dakord ta lejojnë heqjen graduale të kufizimeve vetëm për qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi.

Dritë të gjelbër morën edhe Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Koreja e Veriut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguai.

Lista e vendeve do të rishikohet çdo dy javë bazuar në situatën epidemiologjike në secilin prej tyre.

Sa i përket Kinës, Bashkimi Evropian do të pranojë hapjen e kufijve nëse leja është e ndërsjellë.

Kriteret mbi të cilat u mor ky vendim janë situata epidemiologjike, masat mbrojtëse si distanca fizike, si dhe parametrat ekonomikë dhe socialë, shpjegojnë nga Këshilli i BE-së.

Për të pasur të drejtën për të udhëtuar në BE, situata epidemiologjike e një vendi duhet të plotësojë tre kritere: numri i rasteve të reja të Kovid-19 në 14 ditët e fundit për 100,000 qytetarë të jetë i ngjashëm ose më i ulët se mesatarja e BE-së; vendi të tregojë ulje ose stabilizim të kurbës në 14 ditët e fundit, dhe kushti i tretë është mënyra se si vendi ballafaqohet me Kovid-19 në drejtim të informacioneve në dispozicion dhe besueshmërisë së tyre, testimit, monitorimit të kontakteve dhe trajtimit.

Brukseli e bazon vlerësimin e tij në informacionet që i merr nga delegacionet e BE-së në terren.

Për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që mbesin në listën e zezë, vlejnë disa përjashtime: një qytetar i BE-së dhe familja e tij, persona me qëndrim afatgjatë në BE dhe familja, dhe, natyrisht, punëtorë thelbësorë si punonjësit mjekësorë.

Të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë zonën e Shengenit.

Edhe pse ky rekomandim i Këshillit nuk është juridikisht i detyrueshëm për Shtetet anëtare, dhe secili ka të drejtë ta marrë vendimin e tij, Këshilli konsideron që, për aq sa vendet e treta nuk lejohen të hyjnë në BE, vendet anëtare të BE-së nuk duhet të marrin vendime të ndryshme pa u koordinuar me vendet e tjera të Unionit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button