Reformat në administratë sfidë për RMV-në dhe kusht për fillimin e negociatave me BE-në

Reformat në administratë, për Maqedoninë e Veriut janë një ndër kushtet që të fitojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por se çfarë është bërë deri më tani për përmbushjen e këtyre reformave, ku përgjegjëse e procesit është Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës? Institutet që kanë monitoruar proçesin reformues thonë se shteti ka përparim por ende nuk ka arritur reformimin e duhur, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thotë se janë ndërmarrë masa për përmirësimin e administratës publike në vitet e fundit, si dhe arritjet më të mëdha fokusohen në shërbimet ndaj qytetarëve.

“Në 3 vitet e kaluara, janë bërë një sërë ndryshimesh dhe reformash në mënyrën e funksionimit të administratës publike dhe kushtet në të cilat funksionon. Janë bërë të gjitha ndryshimet në mënyrë që administrata të jetë në fund një shërbim për qytetarët, të punojë në shërbimin e tyre dhe në kushte dinjitoze. Disa nga ndryshimet janë: Ulja e kostove për aplikantët për punësim; Heqja e testit të psikologjik si kusht për punësim; Orari fleksibël i punës; Kohë pune me ndërime; Institucionet e hapura për qytetarët deri në orën 20:00; Krijimi i një administrate profesionale dhe efikase, të përgjegjshme dhe transparente që do të sigurojë shërbime cilësore për qytetarët dhe sektorin e biznesit dhe do të mbrojë të drejtat e tyre, etj”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Nga kjo ministri për Portalb.mk, sqarojnë se të gjitha ndryshimet në administratë, janë shënuar në ueb faqen e saj, ku ka qasje çdo qytetar.

Instituti për Demokraci “Societas Civilis – Shkup”, thotë se përderisa shtetit i janë çelë dyert për negociata me BE, kjo nënkupton se reformat në sfera të ndryshme të parapara nga KE, janë përmbushur deri në një nivel.

“BE vuri para nesh reforma, si në administratë, gjyqësi, media e të tjera dhe në këtë këndvështrim, Politika e qeverisë së mëparshme, meqë tani kemi qeveri teknike dhe presim zgjedhje parlamentare, përgaditi reforma-plani 3-6-9 (fokusuar në pikën 18), për reforma në fusha të ndryshme, ku edhe ne si Institucion hulumtuam dhe monitoruam, ku përfundimi del i kënaqshëm, por gjithsesi pritet që disa reforma të kontrollohen” tha për Portalb.mk, Ivan Nikolovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis – Shkup.

Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve në Shkup, thotë për Portalb.mk se ka ndryshime në administratën e RMV-së,

“Sukseset që shohim janë: Digjitalizimi masiv i shërbimeve për qytetarët përmes portalit për shërbimet elektronike. Ky hap vlerësohet si përparimtar në drejtim të rritjes së efikasitetit të administratës dhe uljes së mundësive për korrupsion, si dhe një mundësi ndaj krizës shëndetësore me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Gjithashtu, ka përparim në lidhje me përgatitjen e Ligjit për Menaxhimin e Lartë të shërbimeve dhe akteve nënligjore përkatëse. Megjithëse ligji u hartua nga dega ekzekutive dhe u dërgua në Kuvend, ai nuk u miratua për shkak të vendimit për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kyçja e një sistemi të tillë është veçanërisht e rëndësishme për dallimin e politikës nga niveli profesional në administratë, si dhe vendosjen e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së drejtuesve të institucioneve për punën e tyre.
U promovua i vetmi portal për të dhëna të hapura nga institucionet publike, www.opendata.gov.mk, dhe depërtim te të dhënat buxhetore të institucioneve, open.finance.gov.mk me të cilat administrata demonstron transparencë dhe hapje proaktive për qytetarët.”, thanë për Portalb.mk nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve.

Sa i përket përgatitjes për negociatat e ardhshme të anëtarësimit në BE, nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve shtojnë se është e rëndësishme që Qeveria të marrë vendime për krijimin e më shumë organeve dhe strukturave për koordinimin dhe zbatimin e negociatave. Sidoqoftë, reforma më e madhe që pret administratën, sipas kësaj Qendre, ka të bëjë me kapacitetet në institucione për zhvillimin e proceseve të harmonizimit dhe negociatave me bashkimin Evropian.

Ndryshe, me 1 korrik 2020, Komisioni Evropian (KE) paraqiti në Këshillin e Bashkimit Evropian (BE) kornizën e re negociuese me Maqedoninë e Veriut në të cilin janë përcaktuar parimet e negociatave që duhet të hapen deri në fund të këtij vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button