​Rama: Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në takim homologun e tij shqiptar Edi Rama, të cilin e falënderoi për mbështetjen e përhershme që Shqipëria i ka dhënë vendit tonë. Me këtë rast, Rama ka ftuar Hotin për vizitë zyrtare në Shqipëri më 3 korrik, transmeton RTK.

Duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria i kanë të gjitha mundësitë që ta thellojnë bashkëpunimin edhe më tej, kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës e konsideron natyrshëm Shqipërinë si partnerin më të afërt dhe strategjik në procesin e realizimit të synimeve integruese euroatlantike.

Ndërkaq, duke folur për gjendjen e re të krijuar në vend, kryeministri Hoti ritheksoi se Kosova tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla që nuk janë të lehta.

Po ashtu, Hoti ritheksoi se, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Rama, ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.

Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button