Saraçini: Shfrytëzoni kolektorë diellor

Ministria e Ekonomisë edhe këtë vit promovon programin për subvencionimin e shpenzimeve për instalimin e kolektorëve diellorë.

Në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë, për vitin 2013 janë ndarë gjithsej gjashtë milionë denarë (100 mijë euro) për realizimin e programit për subvencionimin e kolektorëve diellorë, ndërsa Thirrja publike për këtë program është shpallur më datën 25 janar dhe do të zgjasë deri më datën 31 maj të këtij viti.

Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini me këtë rast u apeloi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë në Thirrjen publike.

“Subvencionet parashohin që qytetarëve t’u kthehen 30 për qind, ose maksimum 18.000 denarë nga mjetet e investuara për instalimin e kolektorëve diellorë. Edhe pse Republika e Maqedonisë ka potencial të madh për shfrytëzimin e energjisë diellore, duke pasur parasysh se brenda një viti kemi 280 ditë me diell, nga gjithsej 600.000 familje ne Maqedoni, kolektor diellorë kanë instaluar vetëm 3.000 familje”, deklaroi Saraçini.

Ai shtoi se megjithatë gëzon fakti, se vitin e fundit, është shtuar interesimi i qytetarëve per instalimin e kolektorëve diellorë, dhe bëri një krahasim duke informuar se në vitin 2011 ka pasur 1000 kërkesa për subvencionim, ndërsa në vitin 2012 numri i kërkesave është dyfishuar dhe arrin 2000.

Analizat e bëra nga ekspertët, mirëpo edhe përvojat tregojnë që me vendosjen e kolektorëve diellorë në mënyrë drastike ulen shumat e faturave për energjinë elektrike të shpenzuar nga ana e qytetarëve.

“Nëse instalohet kolektor diellor, i cili kushton rreth 36.000 
denarë, kursimi mujor është rreth 1.000 denarë, ndërsa kursimi vjetor arrin edhe deri në 12.000 denarë. Kjo praktikisht tregon se investimi mund të kthehet në afat prej tre viteve”, deklaroi Saraçini.

Ai shtoi se me instalim e kolektorëve diellorë nëpër amvisëri, përveç që benefite kanë familjet, gjithashtu do të kursen edhe shteti, duke shtuar se, nëse të gjitha familjet në Maqedoni, që janë rreth 600.000, do të  instalonin kolektorë diellorë në shtëpitë e tyre, kursimi vjetor do të ishte rreth 144.000 megavat orë energji elektrike në vit, përkatësisht shteti do kursente rreth 80 milionë euro, mjete këto, te cilat tani jepen për import të energjisë elektrike.

Lajme të ngjashme

Back to top button