KRIMBI

Mëngjesi i një dite pranvere me diell të zbehtë. Bisedë shumë e gjallë me shokët në një kolonë e rrugëtim bjeshkatarie drejt njërës nga majat apo bjeshkët më të bukura të rrethinës së Shkupit (Bashinec). Marrim frymë thellë, bëjmë pushime të vogla duke thithur aromën e barnishteve dhe luleve një zonë ekologjike, të gjelbërimit sypushues, të paprishur ende nga dora e njeriut, të shumësisë ekzistenciale që simbolizon një botë të përkryer hyjnore. Shushurimat e përroit me një ritëm të muzikës së pashoqe. Gjethet prekin herë krahët e herë shpinën tonë, hije, freski. Një nga shokët s’është në ditën e vet, paksa i ngathët, i pafuqishëm. Tentojmë ta mobilizojmë me të gjitha mënyrat. I kthehet forca dhe vazhdon udhën, i trimëruar.

Dhe pas dia orëve arrijmë te pika e synuar. Çezma, livadhe, bagëti. Pijmë ujë, stacionohemi te ca drurë nën një shpatije. Hamë bukë, pijmë çaj. Dhe mishin e mbetur, nja dy  kilogramë, e mbulojmë dhe e heqim mënjanë, për më vonë. Rrëfejmë, tregojmë përvoja e përjetime, shaka, qeshje, të gjithë buzagaz, hepening i vërtetë. Buzëqeshja, kjo gjë që i mungon shumë njeriut modern, të mrrolur nga brengat, shumicën e të cilave i ka krijuar vetë. Shijojmë edhe qershitë e Nerezit. Dhe ora tregon pasditën e vonshme. Një nga miqtë shkon ta marrë mishin nën hije, nga tepsia e madhe, me qëllim që të mos hidhet, që ta shfrytëzojë dikush, dhe kthehet me kavanozin thatë, pa gjë në të. “I paskan hyrë krimbat mishit, s’është për t’u ngrënë. Mizat kanë bërë krimba të vegjël që janë shumuar e janë bërë të panumërt, si shushka sharre.” Dhe klithma e shokëve. Auu, si ka mundësi, për dy-tre orë të krimbet mishi?  Dhe një shqyrtim eskatologjiko na u vërtit nëpër kokë. (Eskatologjia: pjesë e teologjisë që merret me vdekjen, gjykimin dhe destinacionin përfundmtar të njeriut.) E njerëz, i them vetes jo prezentëve, shiheni se sa kohë iu duhet krimbave për të të ngrënë, për të të bërë dhé, hi, për të të kthyer te origjina, te toka nga e cila është krijuar dhe që është shtrati i fundit i njeriut; mbi të cilën, siç thotë shkenca, me një të shkelur impaktojmë nga tridhjetë e pesë deri më dyzet gjallesa.

Me dhënien e frymës së fundit, përfundon odiesada e kësaj bote, shpallesh i vdekur, të bëjnë ceremonitë e duhura tradicionale, fetare, familjare, ideologjike, laike, patriotike, ushtarake e akademike ose të ndonjë natyre tjetër, dhe të fusin në tokë, rrallëherë në ujë, disa edhe i djegin,  por më natyrshmja, është kthimi në tokë, në këtë fabrikë të madhe që merr dhe jep në një formë tjetër, që njerëz të panumërt bart në prehërin e vet. Dhe ja, mishi i edhte dhe krimbat të tregojnë procesin çfarë ndodh te nëna tokë, ose shprehur më mirë, nën tokë, skena për të cilat s’duam të mendojmë. Një fotografi shumë e qartë. Gjithë ata krimba, për kaq pak kohë të shpërbëjnë, të dekonstruktojnë, të turren e të sulen dhe të bëjnë ushqim të tyrin. Dhe, njeriu ku shkoi, çka la? Fizikusi s’është, shpirti në një botë misterioze, te i Zoti i vet. Thua bëhesh inekzistent? Sipas meje jo, ama ti si të duash thuaj. Ama në thelbin e njeriut është dëshira për jetë, për të mos vdekur. Vetë jeta tregon se njeriu vazhdon të ekzistojë dhe mbetet gjallë edhe pas shpalljes morte, i  ndjerë, nëse ka lënë kujtime pozitive, mbresa të mira, nëse ka qenë punëmirë, në se ia ka dhënë hakun jetës dhe njerëzve, nëse ka qenë i dobishëm. Përndryshe, vdes përgjithmonë, madje ka edhe të atillë që quhen “të gjallët e vdekur”, që vdesin para se ta japin shpirtin. Për të mos u bërë hi me të tëra, duhet të bëjmë punë që do të na gdhendin në kujtesën kolektive të njerëzve, e ajo është e përhershme, nuk vdes kurrë, bëhet i përjetshëm. S’i takon njeriut të krenohet as me trup e as me forcë. Dhe m’u kujtua një mik i prekur nga sëmundja fatale e 2019-ës, në respirator për momentin, në gjendje kritike. Shiriti i shoqërimeve me të jashtëzakonisht i gjallë. Fjalët e ëmbla dhe bamirësitë të tij s’janë rrezikuar fare as nga Covid-19 as nga gjë tjetër; të fuqishme, të ferskëta, të gjalla, si për mua ashtu edhe për subjektet që i ka këshilluar me fjalë, që u ka ndihmuar me fjalë, pajtesa, vatra, shtëpi, shkolla, faltore… Të madh e bënë veprat, e bëri Zoti, me famë e nam, qysh në këtë botë sepse reflektoi shpirtmadhësi, njerëzillëk, kulturë ta madhe pa ndonjë shkollë kushediçfarë, me katërvjeçare. Dhe sot përgjërohemi për të. Për njeriun e mirë lutet e qan edhe toka, jo vetëm njerëzit, gjithë ekzistenca. Sepse njeriu i mirë vërteton thënien: “Njeri ti e konsideron vetem një trup i vogël, ndëra ti vetë je bebza e qenies, ti je gjithësia më e madhe!”

Jeta është art i ngadhënjimit ndaj vështirësive të jetës, është art i shërbimit njeriut, është gjetjes së lumturisë në horizontalen e shqetësimeve të panumërta të kësaj bote. E lumturia arrihet nëse i lexon drejt shenjat e jetës, shenjat në rrugë, dhe nëse sillesh konform tyre. Dhe krimbi është një shenjë që flet edhe për biologun, por edhe për çdo njeri me mend kokë që di ta lexojë biodiversitetin dhe aventurën e quajtur jetë e shkurtër. Jo relativisht e shkurtër, por shumë e shkurtër. Sa hap e mbyll sytë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button