Rama vizitë dy ditore në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama ka filluar ditën e sotme një vizitë dy ditore në Kosovë. Rama do të ketë një axhendë të ngjeshur ku do të takohet me udhëheqësit e vendit. Mediat kosovare raportojnë se Rama do të takohet me Presidentin Thaçi dhe me kreun e PDK, Kadri Veselin. Po ashtu do të ketë takime edhe me Vjosa Osmanin apo dhe me liderët e partive të tjera, shkruan Top Channel.

Në ora 16:00 Rama  pritet të takojë kryeministrin Avdullah Hoti. Ndërsa në ora 18:00 kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Në fund të ditës së sotme, në ora 18:50 do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo vizitë zhvillohet në një kohë mjaft të vështirë për Kosovën, pas ngritjes nga Prokurori Special në Hagë të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Te enjten e shkuar, Rama pati një deklarim në Kuvendin e Shqipërisë ku foli gjerë e gjatë për luftën e pastër të UÇK-së si dhe për komandantët e UÇK-së të cilët luftuan drejtë dhe pastër për një Kosovë të lirë dhe sot të pavarur.

3 ditë më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi erdhi në Shqipëri, por pa specifikuar arsyet apo edhe nëse do të zhvillonte takime në Tiranë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sonte në orën 20:00 do t’u drejtohet qytetarëve të vendit me një fjalim nga zyra e tij, pasi Gjykata Speciale në Hagë publikoi propozim-aktakuzën kundër tij dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Fjalimi i kreut të vendit ishte paralajmëruar për të dielën mbrëma, por ishte shtyrë për sot, pa dhënë asnjë arsye.Zyra e Presidencës në njoftimin e djeshëm nuk ka dhënë detaje rreth fjalimit, i cili do të jetë deklarimi i parë i Thaçi pas propozim-aktakuzës për kinse krime lufte

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button