RMV, Kandidatët që garojnë për të siguruar ulëse në Parlament mbeten nën hijen e liderëve politikë

Përshpejtimi i procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, benifitet që ka siguruar vendi me anëtarësimin në NATO si në aspektin e sigurisë dhe atë ekonomik, ideja që qeveria e ardhshme të drejtohet nga një kryeministër shqiptar, eliminimi i dallimeve rreth marrëveshjes me Bullgarinë, si dhe mbrojtja e interesave kombëtare, janë tema këto ku kryesisht janë të fokusuar liderët e partive politike në javën e parë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Nga ana tjetër, nën hije mbeten oferta e kandidatëve për deputetë për votuesit sa i përket vënies së institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve.

Njohësit e çështjeve politike thonë se kjo dukuri vazhdon të përsëritet gjatë cikleve zgjedhore sepse deputetët zgjidhen përmes listave të mbyllura dhe fituesit i përcakton partia akoma pa filluar gara, duke i vendosur në krye të listës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Tito Petkovski, për REL thotë se sistemi zgjedhor në vend është i tillë që e tërë fuqia politike është vendosur në duart e drejtuesve të partive politike dhe jo tek deputetët të cilët duhet të jenë kontrollues të politikave të qeverisë.

Për këtë arsye, shton Petkovski, deputetët të cilët garojnë për të siguruar ulëse në institucionin ligjvënës, mbeten nën hijen e ideve të mëdha si kauzë e liderëve të partive politike.

“Ky mbetet defekti më i madh në sistemin politik të vendit e që është mungesa e përgjegjësisë nga ana e të zgjedhurve të popullit për të këmbëngulur në prezantimin e interesave të qytetarëve. Kjo ndodh për shkak se të gjithë ata deputetë të cilët nuk janë të disiplinuar ose thënë troç, nuk i zbatojnë urdhrat e drejtuesve të partive politike, shumë lehtë mund të përjashtohen nga lista e kandidatëve për deputetë ose ata të vendosen në pozita që nuk garantojnë për ulëse në kuvend”.

“Larg është ajo kohë kur deputetët vendimet do t’i marrin në emër dhe interes të qytetarëve, kjo mbetet e pamundur derisa nuk pëson ndryshime kodi zgjedhor dhe qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin atë kandidat që mendojnë se në mënyrë më dinjitoze do t’i përfaqësojë interesat e tyre në institucionin ligjvënës”, thotë Petkovski.

Nga ana tjetër, Besa Kadriu, njohëse e çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë fushatë zgjedhore deputetëve u mbetet shumë pak për të thënë për sa i përket funksionimit të institucioneve ku primare do të kenë shërbimet cilësore sepse tanimë qytetarët e kanë të qartë se funksionimi i institucioneve nuk ka për bazë profesionalitetin, por mbetet i varur nga politika.

“Maqedonia e Veriut ka reflektuar gjithnjë e më tepër se ka nevojë për më shumë kapacitete institucionale të cilat do të jenë më të besueshme, më të forta, më profesionale, më transparente e tjerë, dhe unë këtu i shoh ato defektet e këtij sistemi që nuk përkon me atë pjesë të standardeve që gjithnjë e më tepër aludon faktori ndërkombëtar për një funksionim të mirëfilltë institucional”, thotë Kadriu.

Ndërkohë dhe anketat nxjerrin në pah se qytetarët e Maqedonisë në plan të parë kanë reformat në sistemin e shëndetësisë dhe atë të arsimit, për të mundësuar shërbime më cilësore.

Në bazë të sondazhit të fundit të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar të publikuar së fundmi, një e treta e qytetarëve (32%) kanë vlerësuar se prioritet janë reformat në sistemin e kujdesit shëndetësor, për të siguruar shërbime më cilësore ndërkohë që një e katërta (23%) e qytetarëve të anketuar kanë theksuar se nevojiten reforma në arsim, ndryshe nga vitet e kaluara kur në krye të listës me prioritet ishin çështjet ekonomike, ulja e shkallës së papunësisë, standardi jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button