Një tekst informativ nuk guxon të përdoret për komente ofenduese

Po recenzojmë një tekst me titull tendencioz „„Zaevizmi” e ka mbërthyer edhe Sugarevskin“ , të publikuar në portalin lider.com.mk, në datë 26.06.2020, e që është i mbushur përplot me komente ofenduese dhe konstatime të pavërtetuara. Teksti i ngjason një fushate propagandistike informative nga një autor i pa emër.

Vetë titulli „„ Zaevizmi” e ka mbërthyer edhe Sugarevskin“ është koment, i përdorur si sinonim për shpalosjen e gënjeshtrave dhe është një qëndrim personal i autorit, gjë që është e palejueshme në zhanret informative. Për një lajm në të cilin flitet për vizitën e ministrit të transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski dhe kryeministrit teknik, Oliver Spasovski në komunën e Haraçinës, qoftë edhe nëse ishte pjesë e fushatës politike, duhet të respektohen kriteret e informimit dhe përshtatshmërisë së titullit, i cili do duhej t’i udhëzonte lexuesit për përmbajtjen e tekstit, gjë që në këtë rast nuk është bërë aspak. Ky tekst në portal është vendosur në rubrikën informative, e jo në atë të kollumnave, që është e veçuar shumë qartë.

Në këtë tekst humbet kufiri mes lajmit dhe komentit, edhe pse janë ndarë në paragrafe, por nuk janë respektuar rregullat gazetareske për raportim informativ, me çka është bërë shkelje e Nenin 13 të Kodit etik të gazetarisë, i cili thotë:

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Autori ka të drejtë të komentojë dhe të ketë qëndrim personal sa i përket ngjarjeve informative, si dhe atyre parazgjedhore, të përdorë deklarata, argumente dhe kontra argumente, por vetëm nëse është theksuar qartë se bëhet fjalë për një tekst komentues, pas një lajmi të publikuar paraprakisht, gjë që nuk është bërë me këtë publikim.

Pastaj, pas deklaratës së Sugarevskit se në të gjithë vendin në 30 vitet e fundit nuk ka pasur ndërtime, ashtu siç po ndërtohet në infrastrukturë këto 3 vitet e fundit, autori i paemër komenton: „Foli dhe mbeti gjallë. Si duket edhe atë e paska mbërthyer „Zaevizmi“, që definohet si fol, gënje,moho. Tani nuk është çështja se kur do e mohojë atë që e ka thënë, sepse vetë numrat që i thotë e demantojnë“,… „Ndërsa pretendimi se për dy vite e gjysmë është ndërtuar më shumë se 30 vitet e kaluara është pikërisht për këtë fushatë. Fjalë boshe… Nëse i shohim punët realisht, Sugarevski as nuk do mund të arrijë t’i lyejë me bojë gjithë ato që janë ndërtuar në tre dekadat e fundit“.

Pretendimet e shpalosura nuk janë mbështetur me fakte dhe argumente dhe përmbajnë ofendime personale drejtuar ndaj një funksioneri publik. Ato janë të njëanshme, kanë elemente tifozerie dhe nuk është respektuar distanca profesionale nga subjekti politik, me çka është shkelur Neni 14 i Kodit etik të gazetarëve.

Në tekst ka elemente edhe të fshehjes së informacioneve, duke i përzgjedhur vetëm faktet të cilat i përshtaten autorit. Nuk janë përcjellë deklaratat e Sugarevskit në të cilat ai flet për investimet e përgjithshme në periudhën e kaluar, për vlerën e tyre dhe për projektet e ardhshme të planifikuara për në Haraçinë, por bëhet spin dhe keqpërdoret informacioni. Qëllimi nuk është që të informohet, por të ngjallet dyshim tek votuesit për veprimet e kundërshtarëve politik.

Madje edhe fotografia e cila e shoqëron tekstin nuk është nga vendi i ngjarjes, por është e bërë në komunën e Sveti Nikoles, gjë që mund të shihet nga tabela informative.

Produkti mediatik shkel edhe një nga parimet e sjelljes nga Kodi etik i gazetarëve:

Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë.

BURIMI: VËRTETMATËSI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button