Presidenti Meta kujton 18-vjetorin e rikthimit të Familjes Mbretërore në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përkujtuar 18-vjetorin e rikthimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në atdhe, e cila për shkak të rrethanave u detyrua të qëndronte jashtë vendit për më shumë se 6 dekada.

Kreu i shtetit me një shënim në “Facebook”, shprehet se ky moment është një ngjarje e madhe, por njëherësh historike për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ai thekson se ky akt, edhe pse i vonuar, ishte një mesazh pajtimi dhe rivlerësimi për kontributin që dha Mbreti Ahmet Zogu, në krijimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar modern.

“Rikthimi i Familjes Mbretërore shqiptare në Atdhe 18 vite më parë, pas mbi 6 dekada mërgimi të detyruar është një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët. Edhe pse me vonesë ishte një akt pajtimi dhe rivlerësimi për kontributin e pamohueshëm të Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut për krijimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar modern.

Aq më tepër kur këtë vit festuam 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes ku roli i Tij ka qenë madhor, jo vetëm per realizimin e tij por edhe zbatimin e vendimeve të këtij Kongresi”, shkruan Meta.

I pari i Republikës nënvizon faktin se mirënjohje e veçantë në këtë datë i takon Mbretëreshës Geraldinë, e cila sipas tij vendosi të bëhej shqiptare duke i qëndruar besnike atdheut.

“Në këtë ditë të shënuar një mirënjohja e veçantë i takon Mbretëreshës Geraldinë e cila në një moshë shumë të re vendosi të bëhej shqiptare dhe i qëndroi besnike përgjithmonë Atdheut që zgjodhi edhe kur ai i ktheu shpinën.

Ajo mbetet një shembull i sakrificës, i vetëmohimit, i dashurisë njerëzore dhe familjare, i faljes dhe tolerancës, por mbi të gjitha i besnikërisë pa kushte ndaj Atdheut”, shton Meta.

Familja Mbretërore e Zogut mbërriti në Tiranë saktësisht në qershor të vitit 2002, duke i dhënë fund një mërgimi 63 vjeçar. Një avion “Boing 727” i kompanisë “Million  Air”, solli nga aeroporti Lanceria i Johanesburgut, ish-Mbretëreshën Geraldine, Leka Zogun, pjesëtarët e ish-Familjes Mbretërore, stafin e tyre të ngushtë, por edhe pjesëtarë të tjerë të personelit të shërbimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button