LSDM s’e hoqi Arbenin, por ministri i Shëndetësisë

Burimi: KriThink

Retorika e mediave nuk po tregohet “imune” ndaj rrethanave politike në vend. Në fushatë zgjedhore disa media kanë zgjedhur “të nxehin” edhe më shumë garën politike duke publikuar dezinformata me retorikë që ka për qëllim të krijojë ndasi në baza etnike. I tillë është artikulli që do ta recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku original i artikullit: “LSDM heq Arbenin vë Aleksandrin në mes të krizës shëndetësore” 

Data e publikimit: 26.06.2020

Data e recensimit: 27.06.2020

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull që dezinformon

“LSDM heq Arbenin vë Aleksandrin në mes të krizës shëndetësore”, është titulli i artikullit që do ta recensojmë.

Por, ai dezinformon sepse thotë se LSDM e ka larguar nga posti i drejtorit të Qendrës së Shëndetit Publik, Arben Ziberin.
Një parti politike nuk mund të shkarkojë funksionarët shtetëror. Siç edhe është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë, Ziberi është shkarkuar nga ministri Venko Filipçe. (Këtu: 11:20)

“Shkarkimi ka ardhur pas deklaratës së tij sa i takon punës së Komisionit për çfarë vlerësojë se ka minuar imazhin e anëtarëve të Komisionit për sëmundje ngjitëse të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe kanë punuar në mënyrë profesionale”, ka sqaruar ministri Filipçe për shkarkimin.

Kjo deklaratë e Filipçes erdhi pasi Ziberi paraprakisht në profilin e tij në rrjetin social “Fejsbuk” kishte shkruar se “ka ndikuar te Komisioni për sëmundje ngjitëse që të hapen kufijtë që mërgimtarët të vijnë në vend dhe të votojnë për kryeministrin shqiptar (i cili është propozim i partisë BDI ku ai është kandidat për deputet)”.

Retorikë (jo)gazetareske

Artikujt gazetaresk duhet të bazohen në parime gazetareske, ku mes të tjerash sugjerojnë që, “Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë”.

Ky parim është shkelur nga media, sepse në artikull është përdorur gjuhë e cila nxit urrejtje ndëretnike. Artikulli përmban edhe komente të cilat tregojnë simpati ndaj një subjekti politik dhe urrejtje për subjektin tjetër politik. Ka nxitur edhe panik.

“Ky akt i shëmtuar, brutal dhe populist me elemente të diskriminit etnik dhe hakmarrjes politike është porosi për të gjithë shqiptarët, për gjithë diasporën shqiptare dhe të gjithë qytetarët e tjerë. Ky revanshizëm politik ka ardhë në një moment kur për LSDM-në vazhdon të mbeten prioritare zgjedhjet dhe jo shëndeti i njerëzve i kërcënuar tejmase nga Covid-19 përcjellë TetovaSot”.

Ka nxitur edhe panik, duke përdorur konceptin e manipulimit si “Thirrje e mundësisë”. Ky koncept nënkupton “prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë”. Pohimi se me shkarkimin e Ziberit do të kërcënojë tejmase jetën e qytetarëve, është manipulim. Kësisoj, media ka bërë shkelje të një sërë parimesh gazetareske.

  • Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.
  • Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.

Andaj përfundojmë se në situata të tilla, kur kemi shkarkime të bartësve të funksionit, duhet të gjurmohet edhe shkaku. Në situatë kur vendi është edhe në fushatë zgjedhore, mundohuni që informimin ta siguroni nga më shumë kanale mediatike. Kështu do të keni mundësi të krijoni pasqyrën reale mbi një fenomen të caktuar nga më shumë këndvështrime.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button