FEKA E NEKA SI BEKA E CEKA

Jetojmë nëpër kuarte të hirta, me ëndrra të këqija, pranë fallxhorëve. Kujdesuni, na thoshte dikur Ernesti. Ata janë shumë të rrezikshëm. Demek fallxhorët: Beka e Ceka. Hapni sytë, ata nga çifçinj janë bërë edhe fallxhorë me emër, por edhe çifligarë të mëdhenj. Beka e Ceka tash kanë bërë prona të pafund këtu e atje, këndej e andej, gjithandej. Plus edhe fallxhorë me emër. E çka ishin dje? Çifçinj. A shkonte dikush të nxjerrë fall te ata? Jo. Ama dje. Dje, për dje.

Sot ka ndërruar meseleja. Sot të gjithë u shkojnë rrotull atyre. Lepe – peke Bekë, o Cekë, he ty zoti të dhashtë edhe tamël zogu! A po më tregon si duket e ardhmja ime në fund të filxhanit tënd? Kështu u thonë, kurse Beka e Ceka e kthejnë kokën e qeshin, sepse e dinë që njerëzit e thjeshtë i bëjnë respekt e temena pasurisë, jo urtisë, e nderojnë xhelatin, jo Sokratin. Eh, thonë Beka e Ceka, ku ishit dje? Dje kur ishim çifçinj as që e dinit se ekzistojmë, sot kur e dëgjoni kumbimin e lirave tona, kur i njehim ato tring, tring, menjëherë – mule te te Beka ose te Ceka. E s’ka as nga Beka e as nga Ceka asnjë metelik. Shkoni e fërgohuni në atë dhjamin tuaj që ju ka mbetur.

Thonë se Beka e Ceka janë burra të mirë, por nuk bën ta thuash ndonjë fjalë të keqe për ta, ka thënë Ernesti, se ku ta dish duke kaluar pranë ndonjë ndërtese të bie pahiri ndonjë vazo me lule mbi kokë, ose, mos e dhashtë i madhi zot, kur kalon pranë lumit të rrëmbyeshëm të merren mendtë e bie në të. Atëherë s’ke më shans të dalësh ngase rryma e ujit është e fuqishme shumë. Pastaj rryma e ujit nuk ka ndodhur t’i ndihmojë njeriut në nevojë.

Kuartet tona vlojnë nga njerëzit, po të gjithë janë leckamanë, me përjashtime të vogla. Janë nja dy veta si Beka e Ceka pronarë. Këta kanë zbritur në kuartet tona nga dy fshatra të ndryshme. E kanë hedhur në vendlindje shkopin e bariut nëpër shkurre e sot i sheh me kollare dhe tesha me stof të shrenjtë. Kanë bërë shtëpi – pallate si të pashallarëve në kuartet tona të përhirta. Dallohen mes vetes se njëri e ka të artë dhëmbin e syrit. Njerëzit, si njerëzit më, thonë se e ka bërë kështu këtë dhëmbë ta ruajë sa më gjatë sepse do t’i duhet për të përtypur më mirë mishin. E do mishin ky shumë. Ky është Feka. Kjo që kafshon Feka, nuk është e vërtetë, po njerëzit e thonë kështu figurshëm ngase Feka jep para me fajde. Për hobi, e ka.

Tjetri, nga këta të dy është Neka. E, ky Neka ka qenë lajmës katundi. Edhe babai i Nekës ka qenë lajmës. Edhe gjyshi. Edhe stërgjyshi. Neka përkulu andej, përkulu këndej, një ditë u afrua te thesari i dovletit ku i ofroi shërbimet e tij. A ka mundësi vëllezër që të më bëni mua roje thesari? pyeti. E shikuan këshilltarët e thesarit, e matën dhe e çmatën prej thembre deri në kupë të kresë. I shëndoshë – po, qafën e trashë – po,  pastaj e kishte një buzëqeshje nga ato që të bëjnë të të vijë keq për të e këshilltarët thanë: mirë, do të bëhesh roje, ama roje nate. Bereqat versën, tha Neka. Sot pak, nesër pak, sivjet diçka, vjetin tjetër pak më shumë e hajt-hajt, një ditë ky Neka i pasherr, ua vinte nërkamcat padiktueshëm të gjithë këshilltarëve dhe vet u bë i pari i thesarit. Punoi sa punoi, kur përnjëherë u tërhoq nga detyra.

Tha: nuk jam mirë me shëndet. E përcollën me dandane. Neka pastaj e hapi një bakall sa për idare. Pastaj edhe një, edhe një, edhe shumë të tjerë. Tash thonë se Neka para ka me thes, ama s’e merr gjumi. Nuk fle fare. Siklet ka, por ai e ka gjetur një eglendisje: natën e ndez një qiri, e merr qypin dhe derisa del drita i numron lirat. Kështu çdo natë e heq mërzinë.

Kur shkojnë në xhami Feka e Neka, kuptohet edhe Beka e Ceka gjithmonë renditen në safin e parë, menjëherë pas hoxhës, kurse kur dalin në kafene, rreth tyre mblidhen plot njerëz e secili orë e ças e thërret kamerierin, shtyhen që t’i qerasin Fekën e Nekën dhe Bekën e Cekën. Shpresojnë se Feka e Neka dhe Beka e Ceka mund të bëjnë ndonjë intervenim te dovleti që djemve të tyre t’u gjendet një punë, aty kah sarajet. Po Feka e Neka si Beka e Ceka. Bëhen që dëgjojnë, po vetëm i numërrojnë kokrrat e rruzareve e mendët i kanë te planet e tyre: si t’i shtojnë lirat.

Dhe, sa çel e mshel sytë harrojnë se kanë pirë kafe e ndonjë raki me njerëzit e kuarteve tona të hirta. S’u kërcet atyre. Ata kanë punë të tjera. Secili prej këtyre është fallxhor. Kallëzojnë fall, pra. E fallxhorët nuk dinë ta shtrinë dorën për të dhënë. Ata dinë vetëm të marrin. Kanë hyrë ata në botën e parasë, ku përveç tyre nuk ka njeri të gjallë. Nuk ka as komb e fe brenda. Për fat të keq as zot nuk ka në botën e parasë. Po aty i gjen Bekën e Cekën dhe Fekën e Nekën. E ku ka vend këtu për njerëzit e lodhur e të përvujtur të kuarteve tona të përhirta ku viruset me emër të bukur bëjnë kërdi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button