Sky Sport: Akord total mes Interit dhe Realit

Sky Sport ishte e para që njoftoi dje arritjen e marrëveshjes mes Interit dhe Realit të Madridit, për transferimin në Milano të mbrojtësit maroken Achraf Hakimi, ndërsa sot ka zbuluar se janë dakordësuar të gjitha detajet e operacionit, transmeton SS.

Sipas medias së njohur botërore, drejtuesit zikaltër dhe ata madrilenë kanë zhvilluar një video-telefonatë në orët e pasdites së sotme, ku kanë përcaktuar të gjitha detajet e transferimit, që do të kryhet mbi bazën e 40 milionë eurove, plus 5 të tjera në formë bonusi.

Tani palët kanë zgjidhur të gjitha burokracitë dhe kanë një akord total, ndërsa pritet që nesër në mbrëmje, ose të hënën në mëngjes, Hakimi të mbërrijë në Milano, ku do të kryejë vizitat mjekësore dhe do të prezantohet zyrtarisht si futbollist i Interit.

Klubi zikaltër dhe mbrojtësi maroken, mësohet se kanë arritur mes tyre shumë herët një marrëveshje për një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ndërsa kishte mbetur vetëm akordi me Realin, që u arrit plotësisht pasditen e sotme.

Ashtu siç bëhet e ditur nga Sky Sport, mes palëve është rënë dakord që transferimi të mbyllet brenda muajit qershor, pasi Reali dëshiron ta regjistrojë shitjen në sezonin 2019-2020, për të shmangur humbjet në bilanc.

Ishte pikërisht kjo arsyeja që u preferua oferta e zikaltërve para asaj të Manchester Cityt, që kishte ofruar më shumë, por që nuk mund të mbyllte negociatat, pa fituar më parë betejën me UEFA-n, që e ka përjashtuar për dy sezone nga kompeticionet europiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button