OKB: Rreth 12.4 milionë civilë në Afganistan përballen me pasiguri akute ushqimore

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar se 12.4 milionë civilë në Afganistan po përballen me pasiguri akute ushqimore për shkak të konfliktit të armatosur, çmimeve të larta të ushqimit dhe pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e rregullt javore për media në Gjenevë, zëdhënësja e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Elizabeth Beers, tha se kriza e ushqimit në Afganistan ka arritur nivele alarmante.

“Pandemia COVID-19 në Afganistan është kthyer nga një krizë shëndetësore në një krizë ushqimore dhe për mbijetesë. Pasojat socio-ekonomike të virusit ndikojnë në komunitetet më të prekshme, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale”, tha Beers.

Ajo theksoi se njerëzit në Afganistan kanë nevojë urgjente për ndihmë ushqimore.

“Në gjysmën e dytë të vitit 2020, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së duhet të sigurojë një fond prej 53 milionë dollarësh për të garantuar ndihmë humanitare për popullin e Afganistanit në mënyrë që t’i shpëtojë njerëzit”, tha Beers.

Po ashtu edhe zëdhënësja e Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për Fëmijë (UNICEF), Marixie Mercado, tha se shumë fëmijë në Afganistan vuajnë nga kequshqyerja.

“Të dhënat tona të fundit tregojnë se numri i fëmijëve nën moshën 5-vjeçare që vuajnë nga kequshqyerja dhe që janë të kërcënuar për jetën është rritur nga 690 mijë në muajin janar në 780 mijë në muajin maj. Rritja prej 13 për qind në këtë periudhë të shkurtër është shumë shqetësuese”, tha Mercado.

Ajo theksoi se fëmijët me pasiguri akute ushqimore janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të ndryshme dhe sipas saj kjo është arsyeja pse ata kanë nevojë për trajtim të veçantë mjekësor.

Zëdhënësja e UNICEF-it shtoi se ajo është “thellësisht e shqetësuar” se kriza aktuale humanitare në Afganistan mund të përkeqësohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button