Platini sërish nën hetim për 2 milionë franga zvicerane që mori nga FIFA

Michel Platini është vënë sërish nën hetim nga prokurorët zviceranë rreth akuzave për shpërdorim detyre gjatë periudhës kur drejtonte UEFA-n në vitet 2007-2015, shkruan Euronews Albania.

Çështja ka të bëjë me pagesën prej rreth 2 milionë frangash zvicerane që Platini ka marrë nga FIFA në vitin 2011, periudhë në të cilën ajo drejtohej nga Joseph Blatter.

Në janar 2011, Platini pati kërkuar nga FIFA të paguhej për një shërbim konsulence që i kishte bërë Blatterit gjatë periudhës 1998-2002, kërkesë e cila u miratua dhe në shkurt ai mori paratë.

Si Blatter, ashtu edhe Platini kanë mohuar të kenë shkelur ligjin, pavarësisht se ata e kanë pasur të vështirë të vërtetojnë ekzistencën e një marrëveshjeje kontraktuale mes tyre.

Akuza ndaj Platinisë është ngritur prej vitit 2016-të kur asokohe prokurorët zviceranë po hetonin për keqmenaxhime dhe korrupsion presidentin e FIFA-s, Blatter, dhe nxorrën të njëjtat pretendime edhe ndaj francezit.

Të dy janë pezulluar prej 4 vitesh nga drejtimi i posteve të larta të federatave sportive, pezullim që përfundon në tetor të këtij viti.

Francezi ka deklaruar gjithmonë vullnetin për t’iu rikthyer drejtimit të organeve sportive.

Në vitin 2018 Platini qe shprehur se prokuroria i kishte mbyllur hetimet duke e liruar nga akuzat. Mirëpo vitin e shkuar në prokurorinë zvicerane pati lëvizje. Një tjetër prokuror u ngarkua me çështjen, prokurori Thomas Hildbrand, i cili tashmë e ka rihapur dhe një herë hetimin.

Deri më sot 5 gjykata të ndryshme – përfshirë atë të komitetit të etikës në FIFA, Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, – janë shprehur kundër Platinisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button