KOHË PËR SHPALOSJE PROGRAMESH – JO PËR THELLLIME HASMËRISHË

Ja ku jemi sërish në stinën e shfaqjeve të zhurmshme dhe lëvizëse kasaba më kasaba, katund më katund, mëhallë më mëhallë, madje shtëpi më shtëpi, që e bëjnë këtë fund qershori e fillim korriku më të nxehtë se rëndom. Është kohë zgjedhjesh, prandaj. Por mbetet enigmë përse betejat zgjedhore të shqiptarëve për pushtet fiktiv janë një dajm më të serta se betejat për pushtet faktik të palës tjetër? Përse gjithë këto fyerje reciproke, gjithë këto përçarje, gjithë kjo hasmëri ndërvëllazërore…, kur dihet se në konditat aktuale zgjedhjet nuk mund t’i fitojë asnjëra prej partive tona.

Pas tridhjetë vitesh demokracie në paterica do të duhej të kishim mësuar më shumë nga e shkuara, do të duhej ta kishim më të qartë se, realisht, gëzojmë statusin e etnisë së rendit të dytë, të cilin nuk mund ta ndryshojmë pa e ndryshuar kushtetutën e vendit, që na trajton si përqindje e që do të mbetet e tillë për aq kohë sa shqiptarët do të përpiqen të zgjidhin problemet madhore, jo nëpërmjet një sistemi të përafrimit të qasjeve e energjive, po nëpërmjet filozofisë së kacagjelimeve të rrepta që e betonojnë vendnumërimin tonë në të gjitha sferat e jetës.

Subjektet garuese në zgjedhje duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat gjendemi nuk e lejojnë luksin e karnevaleve politike. Në vend të baltosjes së njëri-tjetrit me sharje/fyerje banale; në vend të britmave patetike, motove e parullave boshe; në vend të sihariqeve të bujshme për shpërnguljet e hallexhinjëve nga njëra parti te tjetra, që është dukuri e çdo cikli zgjedhor dhe që shpërfaq më açik se gjithçka tjetër shtytjen për të qenë anëtar partie…, subjektet politike duhet të shpalosin para zgjedhësve edhe detajet më të imëta e më bindëse të programeve të tyre, pej të cilave do ta kuptojmë:

  • Si do t’na bëjnë komb shtetformues dhe plotësisht të barabartë me kombin biblik, parësia e të cilit vazhdon të përcaktojë rritën time, tënden, tonën?
  • Si do ta ndalin ekzodin masiv të të rinjëve?
  • Si do ta përmirësojnë standardin e jetës së votuesve, njësoj në @do cep të vendit?
  • Si do ta menaxhojnë betejën me virisin vrasës, që aktualisht korr jetën më tmerrshëm në verndbanimet tona?
  • Si do ta ndalin korrupcionin dhe hajdutërinë e milionerëve deri dje të pabrekë, kushdoqofshin ata?
  • Si do ta ndalin yrishin e bashibozukëve që shqiptarinë e shfrytëzojnë vetëm si mburojë për të fshehur burimet e honorareve fijengatërruara si lesh arapi?
  • Si do ta ndryshojnë, të përçarë si mos më keq e me pushtete fiktive kahjen e rrotës së jetës sonë e hajt bir…?

Këso përgjigjesh presim të ofrojnë në kohë zgjedhjesh të gjitha partitë garuese, që politikën nuk e konceptojnë si veprimtari mashtruese, që përshtatet sipas rrethanave e qëllimeve të caktuar të një grupi shoqëror që synon vetëm mbrojtjen e interesave të veta, por si veprimtari që ka për qëllim të ruajë e të forcojë me parimësi të skajshme rendin shoqëror dhe bazën ekonomike të të gjithëve, pa asnjë dallim dhe pa asnjë POR të vetëm.

Këtë duan zgjedhësit që kanë të drejtë të shtrojnë pyetje, jo t’i dëgjojnë garuesit si peshq të pagjuhë, kurse pretendentët për pushtet duhet ta kenë durimin t’i dëgjojnë me vëmendje edhe kërkesat e tyre joreale, lerë me ato që e bëjnë substancën e jetës.

 

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button