Prishtinë, aksion simbolik për liberalizim të vizave para zyrës së BE-së

Një grup qytetarësh kanë protestuar nëpërmjet një aksioni simbolik para Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë për të shprehur pakënaqësinë për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra qytetarë kanë formuar radhë para objektit të BE-së në Prishtinë, në shenjë solidariteti ndaj pritjeve të qytetarëve nëpër ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë për të marrë vizë, teksa kanë mbajtur në duar fotografi me pyetjen “Sa duhet të presim?”.

Motoja e aksionit “Kosovo Can’t Breathe” (Kosova s’mund të frymojë), në sinkronizim me protestën në SHBA ndaj racizmit pas vrasjes së George Floyd, sipas pjesëmarrësve të këtij aksioni ka për qëllim të shprehë pakënaqësinë ndaj “racizmit institucional të BE-së, i cili nuk po e ndalë diskriminimin ndaj qytetarëve të Kosovës, duke mos i dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë”.

Pjesëmarrësi i këtij aksioni, Ndriçim Çekaj, tha se pritjes së liberalizimit të vizave nga kosovarët “duhet t’i vijë fundi”.

“Me pamundësinë për të lëvizur më tutje kjo është një barrë e rëndë të cilën qytetarët e Kosovës nuk mund ta mbajnë më mbi supe dhe ne kemi zgjedhur këtë formë për ta kundërshtuar. Jemi këtu për të përcjellë një mesazh për vendimmarrësit e Bashkimit Evropian përmes zyrës së tyre në Prishtinë për t’ju thënë se kjo është një qasje diskriminuese, jo e drejtë dhe raciste ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Çekaj.

Aksion për liberalizim të vizave, Prishtinë Photo: AA

Qytetarët e Kosovës vazhdimisht kanë shprehur shqetësimet e tyre për mosliberalizimin e vizave nga ana e BE-së. Një gjë të tillë Kosova e ka bërë vazhdimisht edhe në nivel institucional.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në vendet e BE-së, por “mbetet në diskrecionin e vendeve anëtare të BE-së të vendosin nëse liberalizimi do të ndodh”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button