Qeveria dhe gazetarët, ende të hidhëruar

Qeveria duhet të gjejë mënyrë si ta ri-fillojë dialogun me gazetarët. Është ky mesazhi i euro-ambasadorit në Shkup, Aivo Orav. Mirëpo, as Qeveria e as Shoqata e gazetarëve deri më tani nuk kanë shfaqur vullnet për “pajtim” pas ngjarjeve të 24 dhjetorit në Kuvend ku me dhunë u nxorën jashtë gazetarët që ishin dëshmitarë të dëbimit njashtu me dhunë të deputeteve të opozitës maqedonase nga salla e seancave. Që atëherë Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka ndërprerë bisedimet me Qeverinë të cilat ishin një nga kushtet e Bashkimit Evropian për aderimin e Maqedonisë në familjen evropiane.

Nga ana tjetër, presionet ndaj medieve rriten, ndërsa indeksi i lirisë së tyre vazhdimisht bie.

“Mendoj se kjo është shumë dëshpëruese dhe serish mendoj se këtu element kyç është dialogu. Qeveria duhet të gjejë mënyrë si ta ri-fillojë dialogun me gazetarët. Jam i sigurtë se do të ketë shumë mundësi se si të arrihet kjo. Duhet të tregohet vullnet i mirë” thotë Orav në një intervistë dhënë për REL.

Për PortAlb, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani tha se kategorikisht nuk lëvizin nga qëndrimi i tyre, të gjenden fajtorët për ngjarjet e 24 dhjetorit e më pas mund të shkohet përpara më këtë dialog.

“Neve na intereson të zbardhet rasti, mënyra se si këtë do ta bëjë Qeveria nuk është me rëndësi, kryesorja është të gjenden fajtorët e asaj ngjarjeje të tmerrshme. E deri atëherë as që mendojmë ta ri-kthejmë dialogun me Qeverinë. Këtë ia kemi bërë të ditur edhe euro-ambasadorit” tha Selmani.

Pas ndërprerjes së dialogut, zv/kryemnistrja për euro-integrime Teuta Arifi, sektori i së cilës ka udhëhequr bisedat me SHGM, i shkroi kësaj organizate duke thënë se do të bëjë çmos të zbardhë rastin.

Për atë se çfarë konkretisht do të ndërrmer, nga Sekretariati nuk dhanë përgjigje por sërish dhanë qëndrimin e njejtë.

“Sekretariati për çështje evropiane në kuadër të rolit të saj në dialogun institucional të zhvilluar mes SHGM dhe Qeverisë së Maqedonisë si dhe kompetencave të saja si institucion bën gjithë që është e mundur me qëllim që të vazhdojë dialogu për përmirësimin e gjendjes së lirisë së mediave dhe të drejtave të punonjësve në media. Procesi i integrimit të Republikës së Maqedonisë në BE  ka nevojë për angazhimin e plotë të mediave në mënyrë që të jetë i suksesshëm prandaj vazhdimi i këtij dialogu është i rëndësisë thelbësore për përparimin e proceseve demokratike në vend” thanë për Portalb nga Sekretariati për çështje Evropiane.

Por sa realisht Qeveria merr parasysh organizatat për të përmirësuar gjendjet faktike?

“Çështja e lirisë së mediave është kyçe për zhvillimin e Maqedonisë, ndërsa në shtetet moderne demokratike secili ndryshim në ligj që e cënon këtë të drejtë bazike njerëzore duhet të realizohet përmes procesit të konsultimeve publike në të cilat do të marrin pjesë të gjithë palët e interesuara, ndërsaatë që e kanë për ta thënë të merret parasysh, në vend të shfrytëzimit të prezencës së tyre formale si alibi. Në situatë kur teknologjitë e reja mundësojnë që çdo qytetar të publkojë por edhe për çdonjërin të zbulohet se çfarë ka thënë dhe ka shkruar, është me rëndësi të kuptohet se këto ndryshime nuk ndikojnë vetëm në punën e gazetarëve, por te të gjithë” tha Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button