Analizë rajonale e efekteve të COVID-19 në mediet e Ballkanit Perëndimor

COVID-19 ka transformuar medien dhe gazetarinë, gjithandej. Megjithatë, varësisht nga konteksti i shteteve, mund të kuptohet edhe ndikimi i ndryshëm që pandemia kishte në profesionin e gazetarit. Në këtë analizë rajonale do të prezantohen të gjeturat nga 10 intervistat e realizuara me gazetarë nga katër shtete të rajonit, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri, shkruan Portalb.mk.

Analiza u punua nga Dren Gërguri

Pandemia u përjetua ndryshe nga gazetarët në secilin nga këto katër shtete dhe njëkohësisht, mënyra e ushtrimit të profesionit nga ana e tyre ishte e ndryshme, duke iu përshtatë situatës dhe rrethanave në shtetin përkatës.

Aplikacionet, pjesë e rëndësishme në metodat e punës së gazetarëve gjatë pandemisë

Përdorimi më i shpeshtë i mundësive që ofron teknologjia është një nga të përbashkëtat e gazetarëve në të katër shtetet në shqyrtim. Aplikacionet e ndryshme u shndërruan në pjesë shumë të rëndësishme në metodat e punës së tyre. Të tilla aplikacione janë përdorë edhe më herët nga gazetarët, por jo në masë aq të madhe sikur gjatë periudhës kur u shfaq pandemia, thonë të intervistuarit.

Adriatik Kelmendi

Një tjetër e përbashkët ishte pakësimi i kontakteve me burimet, për shkak të kufizimit të lëvizjeve dhe kjo u nënvizua në rastin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, pozitive theksohet mundësia që falë teknologjisë janë realizuar më lehtë intervistat me ekspertët dhe personat e tjerë të rëndësishëm. Adriatik Kelmendi, Drejtor i Përgjithshëm i Klan Kosovës, deklaron se duke përdorë teknologjinë, kanë arritur të intervistojnë më shpesh disa njerëz të caktuar, më shumë se që do të arrinin t’i intervistonin në situatë normale. Ndihmën nga epoka digjitale e nënvizojnë edhe kryeredaktori i A2CNN, Elert Yzeiri dhe gazetari nga BeH, Milorad Milojeviq.

Pavarësisht masave të lëvizjes, redaktorja përgjegjëse në Koha Ditore, Brikenda Rexhepi tregon se ata nuk e kanë ndalë punën në terren duke mbuluar pikat kufitare para se ato të mbyllen tërësisht, karantinat, spitalet, etj., ndërkohë, Milojeviq vë në pah disa vështirësi të gazetarëve në Bosnje e Hercegovinë, si pasojë e kufizimit të lëvizjes, sikur pamundësia për të marrë pjesë në konferenca për shtyp të qeverisë.

Mobile journalism – apo gazetaria me ndihmën e celularit, ka qenë një nga zgjidhjet e bëra nga gazetarët, për shkak të rrethanave, thotë Aleksandar Manasiev, kryeredaktor i VidiVaka. Këtë formë të gazetarisë e kanë përdorë edhe te grupi KOHA, thekson Rexhepi.

Goran Lefkov
Goran Lefkov

Në çështjen e transparencës së institucioneve dhe të qasjes në dokumentet publike, në Bosnje e Hercegovinë e në Kosovë vihet në pah se ka qenë më e lehtë kur është fjala për pandeminë, mirëpo vështirësitë kanë vazhduar të ekzistojnë për temat e tjera. Pavarësisht kësaj, gazetarët në BeH arritën të zbulojnë dy skandale, thotë Darko Omeragić, duke iu referuar skandalit të blerjes së respiratorëve dhe aferës për blerjen e tendës-spital mobil. Ndërkohë, në Shqipëri, Aleksandër Çipa nga UGSH-ja potencon faktin që volumi i të dhënave është shtuar, por kjo nuk e ka rritur transparencën dhe informimin e publikut me atë lloj informacioni që ka interes. Mbylljen e institucioneve e thekson edhe Goran Lefkov, redaktor në Inbox7.

Aleksandar Manasiev

Të intervistuarit konfirmojnë rritjen e interesimit të qytetarëve për informacion, por hezitojnë të konkludojnë se kjo nënkupton rritje të besueshmërisë. Gentiana Begolli nga AGK-ja thekson se besimi i audiencës në media në Kosovë ka mbetur i pandryshuar, ndërkaq, në rastin e Shqipërisë, Çipa thotë se krahas shumëfishimit të audiencës, është rritur edhe pabesueshmëria ndaj medieve online. Manasiev thotë se në Maqedoni të Veriut, niveli i besimit ka mbetur siç ka qenë, i ulët, ndërkohë Milojevic thekson që qytetarët kishin më shumë besim në media vetëm në rastet kur raportohej lidhur me koronavirusin. 

COVID-19, shkaktar i humbjes së punës dhe zvogëlimit të pagës në të katër shtetet

Gjatë krizës së pandemisë, gazetarët janë në mesin e personave më të rrezikuar nga infektimi. Natyra e punës së gazetarit e vendos atë në një pozitë të tillë dhe kjo shton nevojën për plotësim të kushteve të nevojshme për punë dhe mbështetje të duhur nga vetë kompanitë mediale.

Në rastin e katër shteteve, pjesë e analizës, të intervistuarit tregojnë se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar pajisjet bazike anti-koronavirus, si përdorimi i maskave, dorezave dhe dezinfektuesve. Te Klan Kosova është praktikuar një protokoll me 12 pika, ku është përcaktuar mënyra e sjelljes, lehtësimet në oraret e punës, masat për lirimin e disa kategorive të punëtorëve, etj., tregon Drejtori i Përgjithshëm, Kelmendi, i cili, gjithashtu, shton se, megjithatë, ka pasur gazetarë të disa medieve që kanë vazhduar të punojnë zakonshëm, pa masa mbrojtëse. Begolli tregon që në këtë periudhë, AGK-ja u ka dalë në ndihmë gazetarëve duke iu dhënë mbi 300 pako doreza, maska dhe dezinfektues. Këshillimet psikologjike do të ishin gjithashtu një formë e nevojshme e mbështetjes për gazetarët, por që kjo ka munguar në të katër shtetet.

Aleksandër Çipa

Krahas masave mbrojtëse dhe mbështetjes për gazetarët, një tjetër çështje e rëndësishme është qëndrueshmëria e medieve dhe siguria e punës së gazetarëve. COVID-19 ndikoi që gazetarë të humbin vendin e punës, e të tjerë të vazhdojnë punën me pagë më të ulët. Në të katër shtetet kishte gazetarë që mbetën pa kontratë dhe ndër ta ishte edhe Omeragic, i cili ishte në mesin e 10 punëtorëve që u larguan nga gazeta Oslobođenje. Omeragic thotë se është i befasuar me largimin e gazetarëve nga disa media, veçanërisht, potencon ai, të gazetarëve të mirë. Në Kosovë, për shkak të pandemisë u mbyllë gazeta Zëri dhe mbetën të papunë 22 punëtorë. Në Shqipëri, Çipa thotë se u prekën rreth 12% e punonjësve medial ndërkaq 47 gazetarë humbën vendin e punës. Në Maqedoninë e Veriut, Duridanski tregon që pesë gazetarë mbetën pa punë. Fenomeni i zvogëlimit të pagave ishte i përhapur në të katër shtetet ndërkaq për dallim nga Kosova, në Shqipëri e Maqedoni të Veriut nuk ka mbyllje të medieve gjatë kësaj periudhe.

Presioni financiar, frika nga humbja e vendit të punës, përballja direkte me rrezikun për tu infektuar ishin disa nga aspektet më të prekura të punës dhe jetës së gazetarëve. Kryetari i UGSH-së, Çipa thekson që në Shqipëri deri tani janë 5 raste të konfirmuara të gazetarëve të prekur nga virusi, si dhe të anëtarëve të familjeve të tyre. 

Brikenda Rexhepi

Shpërthimi i dezinformimit dhe mungesa e strategjisë për ta luftuar atë

Që nga shfaqja i pandemisë, pati shpërthim të dezinformatave që ndërlidheshin me COVID-19. Interesimi i madh i qytetarëve për të marrë më shumë informacione rreth koronavirusit rezultoi me rritje të shpërndarjes së dezinformatave, posaçërisht në media sociale.

Në shtetet e rajonit nuk ka një strategji se si duhet të luftohen dezinformatat, megjithatë nuk mungojnë iniciativat, qoftë nga organizata jo-qeveritare apo media të caktuara, të cilat përpiqen që të luftojnë drejtpërdrejt një dezinformatë që bëhet virale në media sociale. Duridanski nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave mendon se kur media e bën punën e saj, atëherë nuk ka nevojë për “forcë speciale” që ta luftojë dezinformatën. Që profesionalizmi është metoda më e mirë për të luftuar dezinformimin e thonë edhe Yzeiri, Kelmendi e Milojevic.

Darko Duridanski

Burimet e dezinformimit variojnë dhe motivet e shpërndarjes së një dezinformate janë të ndryshme. E përbashkëta në të katër shtetet është që media sociale shihet si burim kryesor i dezinformimit. Pastaj, personat që shpërndajnë dezinformata janë të ndryshëm, prej atyre që thjesht dëshirojnë të fitojnë vëmendje, siç thotë Kelmendi, e deri te ata që shfrytëzojnë situatën për interesa të caktuara politike apo biznesore, siç thekson Omeragic.

Një tjetër pikë e përbashkët në të katër shtetet është fakti se intensiteti i dezinformatave është rritur pas shfaqjes së pandemisë. Kjo mund të konsiderohet e natyrshme për shkak se interesimi i njerëzve për temën e koronavirusit ka shtyrë edhe ata që merren me dezinformata, të fokusohen pikërisht në këtë krizë, si tema kryesore e këtyre muajve. Kelmendi e Milojevic theksojnë se fillimi ishte kritik, ndërkaq, me kalimin e kohës u zvogëlua edhe numri i dezinformatave. Në Kosovë, krahas krizës shëndetësore, shoqëria ka përjetuar edhe një krizë politike, megjithatë, në aspektin e shpërndarjes së dezinformatave, kanë dominuar ato me tematikë që ndërlidhet me COVID-19. Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë, dezinformatat për koronavirusin u përdorën edhe për shpërqendrim të vëmendjes, për faktin se nuk publikohej asnjë informacion në lidhje me prokurimet e diskutueshme publike, thekson Milojevic. 

Darko Omeragić, novinar iz Sarajeva: Pandemija je promijenila ...
Darko Omeragic

Liria e medies u kërcënua më së shumti në Shqipëri dhe Bosnje

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i gazetarisë që është hulumtuar në këtë analizë është liria e informimit dhe e gazetarit. Përgjysmimi i stafit ka ndikuar edhe reduktimin e mundësisë së qasjes në informacione dhe dokumente publike, potencojnë Begolli dhe Duridanski. Çipa shton se është shumëfishuar centralizimi i informacionit zyrtar, duke vënë edhe një herë në pah vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në Shqipëri, për shkak të institucioneve që vështirë iu ofrojnë gazetarëve qasje në dokumente publike. Ndërkaq, Kelmendi potencon se një nga gjërat pozitive të pandemisë është rritja e bashkëpunimit media-institucione në Kosovë. Në rastin e Bosnjes, Milojevic përmend se si ka qenë e vështirë të arrihet te një informacion tjetër i rëndësishëm, përveç nëse ka qenë i ndërlidhur me pandeminë.

Liria e medieve u kërcënua më së shumti në Shqipëri dhe në Bosnje e Hercegovinë. Çipa tregon se si në Shqipëri ka pasur penalizime për media dhe gazetarë me pretekst për mosrespektim të distancimit social në redaksi dhe studio televizive. Ai gjithashtu përmend gjobën ndaj TV Ora si dhe nënvizon që ka pasur mbi katër raste të dhunës dhe cënimit të integritetit fizik të gazetarëve që kanë tentuar të raportojnë nga mjediset spitalore dhe ato të shëndetësisë publike për raste dhe situata pandemike. Ndërkohë, Yzeiri përmend edhe thirrjet e kryeministrit Rama drejtuar publikut shqiptar që të qëndrojnë larg medieve. Në Bosnje e Hercegovinë kishte ndërhyrje të shtetit në lirinë e shprehjes përmes një dekreti që trajtonte përhapjen e panikut, por që u tërhoq më pastaj, pas reagimit publik dhe organizatave ndërkombëtare. Në Maqedoni nuk kishte iniciativa ligjore të tilla, ndërkaq, Duridanski thekson se ishin pesë sulme ndaj gazetarëve. Gazetarët u penguan në punën e tyre edhe në Kosovë dhe gjatë pandemisë janë regjistruar tri raste, konfirmon Begolli. Pra, kishte kërcënime për lirinë e medies dhe ato u shpërfaqën në mënyra të ndryshme në të katër shtetet.

Elert Yzeiri
Elert Yzeiri

Në lirinë e gazetarit është shumë e rëndësishme edhe privatësia e tij. Të intervistuarit potencojnë se janë të vetëdijshëm për cënimin e privatësisë, si rrjedhojë e zhvillimeve teknologjike, por ngritin nevojën për përdorim të kanaleve të sigurta të komunikimit. Kelmendi thotë se përdorimi i teknologjisë rrit hapësirën për të qenë i survejuar ose i përgjuar dhe kjo ka rrezik të keqpërdoret, ndërkaq Yzeiri mendon se privatësia është vjedhur me kohë, mirëpo ka krijuar edhe imunitet në komunitetin e gazetarëve.

Gazetaria pas pandemisë, parashihen dy rreziqe kryesore

Po, si e shohin të intervistuarit, gazetarinë pas pandemisë. Implikimet financiare duket të jenë të pashmangshme dhe kjo i shqetëson edhe gazetarët në këto katër shtete. Duridanski mendon se ka rrezik që të pranohet kjo mënyrë e punës sikurse gjatë pandemisë, me më pak njerëz, më shumë përdorim të mjeteve digjitale për komunikim, që mund të çojë në nevojë më të vogël për punëtorë dhe më pak raportime nga terreni, e cila sipas Duridanskit, epilog do të jetë një gazetari më pak cilësore.

Millorad Millojeviq

Manasiev parasheh se do të ketë më shumë përdorim të mjeteve digjitale dhe përfshirje më të madhe të mobile journalism. Pikërisht, përdorimit më të madh të teknologjisë i druhet Kelmendi, që shton se kontakti i drejtpërdrejtë është i pazëvendësueshëm dhe sipas tij, gazetaria mund të humb shumë nëse zëvendësohet kontakti apo intervista e drejtpërdrejt me komunikimin nëpërmjet mjeteve digjitale. Yzeiri shpreson që kjo situatë pandemike do t’i bëjë mediet më të përgjegjshme, më të kujdesshme dhe më objektive, ndërkaq Milojevic potencon faktin se ekziston pasiguri absolute në Bosnje e Hercegovinë dhe parasheh pasoja të rënda financiare për medien, pas pandemisë.

Gentiana Begolli

Një gjë është e sigurt, jeta e secilit prej nesh ka ndryshuar që nga shfaqja e pandemisë dhe do të jetë ndryshe, edhe pasi të kalojë kjo pandemi. Njësoj mund të themi edhe për gazetarinë, sepse tek e fundit ajo buron nga shoqëria dhe është reflektim i shoqërisë në të cilën funksionon. Pandemia ka shpërfaq edhe një herë rëndësinë e medies, rëndësinë e gazetarit dhe ka rikonfirmuar se nuk mund të mbështetemi në informacione të cilat përgatiten nga ata që nuk janë të thirrur për të bërë gazetari, nga ata të cilët nuk e kuptojnë lajmin apo rolin e medies në shoqëri.

Për këtë analizë u intervistuan (renditja alfabetike):

Adriatik Kelmendi – Klan Kosova/Kosovë

Aleksandar Manasiev – VidiVaka/Maqedoni e Veriut

Aleksandër Çipa – UGSH/Shqipëri

Brikenda Rexhepi – Koha Ditore & KTV/Kosovë

Darko Duridanski – SSNM/Maqedoni e Veriut

Darko Omeragic – Oslobodenje/Bosnje

Elert Yzeiri – A2CNN/Shqipëri

Gentiana Begolli – AGK/Kosovë

Goran Lefkov – Inbox7/Maqedoni e Veriut

Milorad Milojevic – Radio Evropa e Lirë/Bosnje

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button