Ngrohtorja e Shkupit nuk lëshon rroga për punëtorët, paralajmërohen greva

Punëtorët e ngrohtores dhe shoqatës aksionare “Toplifikacija” ka dy muaj që nuk kanë pranuar pagë. Në fakt, pas datës 20 janar kanë pranuar pagën e nëntorit, ndërsa e dhjetorit dhe e janarit ende nuk janë lëshuar në llogaritë e punëtorëve.

Problemet nuk kanë të ndalur për “Toplifikacija”, njëherë u ballafaquan me problemin e licencave, tani nuk lëshojnë rroga për punëtorët.

Punëtorët të mllefosur, për Portalb thonë se ka humbur durimi tek ata dhe se paga e nëntorit e cila u lëshua në janar është e njëjte sikur të mos kishte qenë fare.

Ata treguan se ka zëra të cilët thonë se mundësia është e madhe të organizohet grevë e tyre ngase Sindikata e pavarur e punëtorëve nuk ka arritur të bie në ujdi me drejtorinë në lidhje me këtë dhe disa çështje tjera brenda firmës.

“Paga e nëntorit që u lëshua në muajin janar ajo nuk është shfrytëzuar aspak ngase ka shumë punëtorë të cilët paguajnë kredi ndërsa nga muaji nëntor e deri në janar nuk është larë borxhi në banka, dhe kjo rrogë e tëra është marrë nga bankat, e kush mund të më tregon se si t’ia dalim pa rrogë 3 muaj resht”, tha një punëtorë i ngrohtores i cili si të gjithë tjerët nuk dëshiroi të shfaq emrin e tij.

“Nuk di të ketë ndodhur kjo ndonjëherë në këtë firmë, por këtu njerëzit punojnë dhe e sigurojnë kafshatën, e nuk di se si i kanë kaluar këto muaj pa paga. E ajo që është edhe më e keqja, këtu ka bashkëshortë të cilët punojnë që të dy në këtë firmë, a thua vallë si kanë kaluar ata gjatë këtyre muajve”, tha një punëtor tjetër.

Portalb kontaktoi me drejtorinë e “Toplifikacija”, mirëpo nuk mori përgjigje nga askush, e siç na tha sekretarja e ngrohtores “për këtë problem nuk dëshiron të jep deklaratë askush”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button