Musliu: Me vrasjen e Rizajt dhe Ndrecajt nuk u zhdukën të gjitha sekretet rreth ngjarjeve në Kumanovë

Drejtori i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut, Erolld Musliu në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka deklaruar se pjesëtarë të Agjencisë për Zbulim ishin të implikuar në rastin e Kumanovës dhe ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend.

Ai ka thënë se këto dy ngjarjes, paraqesin njolla të zeza në historinë më të re të vendit tonë dhe janë dy shembuj të hidhur për përbërjen dhe udhëheqjen e Agjencisë. Për të dyja ngjarjet, siç tha ai, Agjencia për Zbulim, ka formuar komisione përkatëse që kanë për detyrë të bëjnë verifikimin e gjendjes faktike nga aspekti i rolit të Agjencisë, në këto ngjarje. Komisionet kanë konstatuar mosrespektim të procedurave nga ana e drejtorëve të mëparshëm.

“Paramendoni, ata kanë vepruar vetëm përmes personave të afërt të tyre duke mos informuar dhe duke i anashkaluar drejtuesit dhe sektorët e caktuar në bazë të hierarkisë në këtë lëmi. Në lidhje me rastin e Kumanovës është konstatuar mungesë e sinqeritetit drejt prokurorisë publike , kjo është e pakuptimtë. Sa u përket motiveve të Grupit të Kumanovës, tanimë është e qartë se motivi politik ka mbisunduar për angazhimin e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, edhe pse përmendet edhe momenti financiar. Është e paqartë arsyeja e kontakteve të operativës (së Agjencisë për Zbulim) me udhëheqësit e grupit të armatosur dhe mungesa e informacionit për veprimet në Goshincë dhe depërtimit të grupit në zonën urbane të qytetit të Kumanovës. Por më duhet të theksoj se tanimë opinioni e ka kuptuar realitetin e ri në Agjenci, autonominë dhe objektivitetin në punë, kështu që filluam të pranojmë të dhëna të cilat më parë ishin të panjohura për Agjencinë”, ka deklaruar Musliu.

Ai ka shtuar se, një pjesë e konsiderueshme e të dhënave të nevojshme për kompletimin e këtij rasti të komplikuar ende gjenden tek disa pjesëtarë të grupit që janë në burg.

“Nuk mendoj se u zhdukën të gjitha sekretet me vrasjen e Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt. Kurse në lidhje me “ndërhyrjen e dhunshme në Kuvendin më 27 prill 2017” janë bërë një varg gabimesh në procesin e udhëheqjes dhe përzgjedhjen e operativës së angazhuar. Në këtë rast është e paqartë se pse është involvuar (përfshirë) Agjencia dhe pjesëtarët e saj në këtë ngjarje (ngjarjet e 27 prillit në Parlament) që është kompetencë e organeve të rendit publik, sepse ne jemi Agjenci Zbulimi dhe ne veprojmë jashtë kufijve të shtetit. Në fushën e veprimit janë dërguar pjesëtarë me përvojë minimale të punës në Agjenci ose të punësuar që posa e kishin kaluar provimin e profesionalitetit. Këta pjesëtarë të Agjencisë janë dërguar në fushën e veprimit , pa qëllim të qartë, pa përgatitje operative për “identifikimin e prezencës së huaj”, për të cilët nuk është ditur identiteti, përshkrimi apo fotografia e tyre”, tha ai.

Musliu ka bërë të ditur se, në lidhje me këto dy raste Agjencia për Zbulim ka dërguar dy analiza voluminoze në Prokurorinë Publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button